December 5, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Italia fiton “Eurovisionin 2021” falë votave të publikut – KOHA.net

4 min read

00:48

Italia fiton “Eurovisionin 2021” falë votave të publikut

318 pikë nga publiku kanë çuar Italinë në majë të listës së shteteve pjesëmarrëse në edicionin e sivjetmë të “Eurovisionit” për të triumfuar në fund.

Italia kishte 206 pikë nga votat e publikut dhe ishte në vendin e katërt, prapa Zvicrës së përfaqësuar nga Gjon Muharremaj e Franca dhe Malta.

Por falë shumë votave të publikut, rokgrupi “Maneskin” triumfoi me këngën “Zitti E Buoni”.

Edhe pse fitoi në votat e jurive profesionale, Muharremaj me Zvicrën pas votave të publikut ra në vendin e tretë. Në vend të dytë përfundoi Franca.

Image
00:37

Shqipëria merr 35 pikë nga publiku, në total 57

Anxhela Peristeri ka marrë vetëm 35 pikë nga votat e publikut në edicionin e sivjetmë të “Eurovisionit”. Në total, Shqipëria ka marrë 57 vota këtë edicion dhe ka ngelur larg pozitave të para.

00:28

Përfaqësuesi shqiptar i Zvicrës del fitues në votat e jurisë në “Eurovision”

Shqiptari Gjon Muharremaj, i cili përfaqëson Zvicrën në “Eurovision” ka dalë fitues në votat e jurisë në edicionin e sivjetmë. Nga 39 shtetet që ndanë votat, Gjon’s Tears ka marrë 267 vota. Menjëherë pas tij është Franca me 248.

“Jam shumë i lumtur. Ka pasur kaq shumë muaj punë dhe të shoh këtë ndikim që ka pasur të njerëzit është ndjenja më e rëndësishmja, jam shumë i lumtur”, ka thënë ai në kohën kur po ndaheshin pikët.

Pas votimit të jurive profesionale, tash do të ndahen pikët nga votimi i publikut.

00:01

Shqipëria ndan 12 pikë për Muharremajn e Zvicrës

Juria profesionale e Shqipërisë ka ndarë pikët maksimale për Zvicrën. Këngëtari shqiptar Gjon Muharremaj aktualisht është duke prirë në listën e votave nga juria me 63 pikë, 13 më shumë se ndjekësi i parë.

Image

Në anën tjetër, Shqipëria ka marrë 12 pikët maksimale nga Malta. Deri tash Anxhela Peristeri ka 14 vota nga 8 shtetet që kanë publikuar votat e jurisë.

23:57

12-pikëshi i parë fitohet nga këngëtari shqiptar i Zvicrës

Gjon Muharremaj ka rrëmbyer 12 pikët e para të një jurie shtetërore. Përfaqësuesi i Zvicrës arriti të marrë pikët maksimale nga juria e Izraelit.

23:04

Mbyllen performancat, hapet votimi

Kanë përfunduar 26 performancat e shteteve pjesëmarrëse në finalen e “Eurovisionit”. Pas përfundimit të performancave tashmë është hapur votimi.

Shqipëria ka numrin dy. Ajo u përfaqësua nga Anxhela Peristeri.

Ndërkaq, për Zvicrën në “Eurovision” u paraqit Gjon Muharremaj. Ai këndoi i 11-i.

Pos votimit nga publiku, në vendimin final është edhe vota e jurive profesionale të shteteve.

22:03

Këngëtari shqiptar që përfaqëson Zvicrën në mesin e favoritëve në “Eurovision”

Këngëtari me prejardhje nga Kosova, Gjon Muharremaj, i njohur edhe si Gjon’s Tears, përfaqëson Zvicrën me këngën “Tout l’Univers” të kënduar në frëngjisht.

“E dua këtë këngë. Kjo është Zvicra, një tjetër favorit për të fituar me ‘Tout l’Univers’”, ka shkruar Roisin O’Connor nga “Independent”

21:21

Anxhela Peristeri “e zjarrtë” në finalen e “Eurovisionit”

Image

“E zjarrtë” në performancën e saj është paraqitur Anxhela Peristeri në finalen e “Eurovisionit”. Ajo performoi këngën “Karma” si e dyta në renditjen e këngëve të finales.

Interpretimi i Peristerit në gjysmë finale ishte vlerësuar nga kritikët e “Eurovisionit” pasi që shumica e vendeve kanë interpretuar në anglisht. Vetë këngëtarja korçare e kishte bërë prej kohësh të ditur impenjimin e saj për të kënduar në shqip.

“Gjuha shqipe është shumë gjuhë e bukur dhe mendoj se gjithë Evropa e bota duhet ta dëgjojnë”, kishte thënë Peristeri në një intervistë për emisionin “Express” në Kohavision më shumë se një muaj më parë, kur kishte folur për përfaqësimin e Shqipërisë në “Eurovision” dhe vendimin e saj që këngën ta këndojë në shqip.

21:05

Nis finalja e “Eurovisionit”, në garë dy këngëtarë shqiptarë

Në edicionin e 65-të, gara evropiane e këngës, “Eurovision”, po sfidon gjendjen e pandemisë. Tashmë ka nisur finalja e madhe e cila pa mbahet në “Ahoy Arena” të Rotterdamit. Aty dy këngëtarë shqiptarë janë në garë për atë që njihet si garës më e rëndësishme e këngës – “Eurovision”.

Anxhela Peristeri dhe këngëtari me prejardhje nga Kosova, Gjon Muharremaj, i njohur edhe si Gjon’s Tears, kanë renditur Shqipërinë dhe Zvicrën në dhjetëshen e vendeve fatlume që morën votat e publikut dhe jurive kombëtare.

Këto vende në finalen e madhe do ta kenë përballë 26 vende ku përfshihet vendi nikoqir – Holanda, “Pesëshja e Madhe” (Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar), si dhe 10 vendet e para nga secila prej dy gjysmëfinaleve.

Pas vitit të kaluar ku gara e njohur e këngës evropiane, “Eurovision”, u anulua për shkak të pandemisë së koronavirusit, ajo po kthehet këtë vit me një përzierje muzike e melodramash. Për sivjet “Eurovisioni” ka si moto “Open up”, që nga organizatorët është vlerësuar të jetë mesazhi frymëzues për Evropën e cila përpiqet të ringrihet pas pandemisë.

Finalja është duke u ndjekur me prani fizike nga 3 mijë 500 njerëz – pasi vetëm 20 për qind e kapacitetit të arenës – e që kanë treguar testin negativ që është bërë në 24 orët e fundit.

Burimi i lajmit: Koha.Net