December 4, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Teatri i Pejës, mes namit të vjetër dhe heshtjes aktuale – KOHA.net

5 min read

Bekim Fehmiu, Melihate Ajeti, Faruk Begolli, Melihate Qena, Nexhmije Pagarusha, Istref Begolli e Muharrem Qena ishin vetëm disa nga artistët, të cilët performuan talentin e tyre në dërrasat e Teatrit Profesionist “Istref Begolli”.

Me pamje nga Lumbardhi i Pejës, ky teatër ka qenë një nga shtyllat kulturore të Kosovës, nën sistemin qeverisës të Jugosllavisë.

Fillet e dashurisë ndaj artit skenik në këtë qytet kishin nisur në vitin 1945, në shoqërinë kulturo-artistike “Përparimi”. Mirëpo, viti 1950 ndryshoi rrjedhën e kësaj lidhjeje emocionale, duke e ngritur atë në një stad profesional përmes themelimit zyrtar të teatrit.

Shfaqja “Dredhitë e Shaptukit” e Kristë Berishës ishte premiera e parë teatrale, duke bërë që 278 ulëset e tij të mbusheshin plot.

Nga ajo kohë e deri në vitin 1970, aktorët e regjisorët më me emër, pikëtakim patën këtë teatër, duke shënuar kështu periudhën e lulëzimit të tij.

kjo u dëshmua me çmimet e marra jashtë kufijve shqiptarë, në Serbi, Kroaci dhe vende të tjera.

“Ndërtesa e Teatrit të vjetër ka qenë këtu. E ka pasur sallën, skenën dhe dy dhoma për përgatitjen e shfaqjeve. Një dhomë për dramën shqipe, një për serbe. Ajo ndërtesë një kohë ka shërbyer si kinema, është quajtur ‘Kinema Slavica’. U mor vendimi që ai objekt të rrënohet dhe të ndërtohet objekti i ri i Teatrit, e që atëherë dhe sot është më i miri për nga interieri dhe funksionimi”, ka thënë publicisti Sejdi Berisha.

Mirëpo, shkrimtari e publicisti Sejdi Berisha kujton se okupimi bëri që perdja e këtij teatri të binte për një kohë më të gjatë.

“Në vitin 1980, ishte një rënie rapide e Teatrit atëherë kur hyn masat e dhunshme. Drama shqiptare pothuajse u suspendua ose edhe kur përgatisnim duhet të kalonte nën filtra të ndryshëm dhe nisi ajo shkapërderdhja shpirtërore e aktorëve”, ka deklaruar ai.

Më vonë, ky objekt i artit dhe kulturës shndërrohet në seli të KFOR-it, duke pasur organizime të natyrave krejt ndryshe.

Pak vite më vonë, nisi rigjallërimi artistik. Në mesin e disa aktorëve, të cilët që në vitin 2000 filluan përpjekjet artistike ishte edhe ish-studenti i artistit të madh, Faruk Begollit, Agon Bala.

Në vitin 2015 ai bëhet pjesë e trupës rezidente, bashkë me Aida Alidemin, Flarmon Shabajn, Fitore Broqin, Shpresa Salihajn, Herodita Rashmajn e Luan Dacin për të vazhduar deri më sot.

Kjo kastë aktorësh po e ndien mungesën e duartrokitjeve të publikut, të cilën së fundi e përjetoi në shfaqjen e dhënë gjatë pandemisë, “Historia e Teatrit”.

“Më mungon, më duket që nuk kam çfarë të bëj jashtë. Këtu kam ardhur dhe i kam lënë të gjitha problemet e jetës së jashtme. Kam bërtitur me nëntekste, e kam shfryrë veten, kam jetuar. Një përshëndetje e gjithçka këtu ia vlen për duartrokitjen që e merr nga publiku. Nuk është se çka ne jashtë bëjmë, këtu mund ta gjejnë. Këtu çka bëjmë njerëzit mund ta gjejnë jashtë. Ne jemi aktorë të cilët i luajmë problemet e njerëzve të cilat s’i shfaqin ato, e ne mundohemi ata t’i shërojmë. E tani kam nevojë të shërohem vet”, është shprehur Bala.

Pandemia, nuk është vështirësia e vetme, me të cilën po përballen këta aktorë. Funksionimi 3-vjeçar me një ushtrues detyre të Teatrit, i cili njëkohësisht ka punuar në Drejtorinë e Kulturës në Pejë, ka bërë që problemet të trashëgohen vit pas viti dhe nami i vjetër i tij të zbehet.

“Ne kur kemi filluar provave, regjisorin e kemi cilësuar drejtor. Ai i ka caktuar provat, kemi ardhur dhe kemi filluar të punojmë pa ndërprerë. Por, kur ka ardhur fundi, ne nuk kemi pasur me kë ta bëjmë një dolli, si përfaqësues teatri”, ka shtuar ai.

Në janarin e këtij viti, në krye të Teatrit emërohet për herë të parë një grua, Krenare Luta. Ajo thotë se sfidat financiare e problematikat e aktorëve kanë qenë problemet e para me të cilat është përballur.

“Si mangësi e gjithë këtyre viteve dhe mos depërtimit të shfaqjeve jashtë vendit ka qenë edhe një ndër problematikat, përzgjedhja e cilësia. Këto janë bërë ndoshta pa ndonjë mendim, por si shkasë kanë pasur financimin e tyre. Sikurse që është problematikë edhe në teatrot e tjera. Me ardhjen time këtu synoj mos të përcaktohemi në numrin e shfaqjeve që i jepim por në cilësinë e tyre. Cilësia është ajo që duhet ta çojë teatrin tonë përpara”, ka thënë Luta.

Në verën e këtij viti, Teatri Profesionist “Istref Begolli” do t’i nënshtrohet restaurimit, duke u intervenuar në pjesën e jashtme e të brendshme, në skenë dhe ndriçim, mirëpo, sipas drejtoreshës, gjithnjë duke ruajtur autenticitetin e tij.

“Si prioritet i tanishëm është plotësimi i vendeve të lira të punës, anëtarëve të stafit dhe trupës rezidente, e cila do të ndodh kohë pas kohe sepse kemi edhe pjesëtar të stafit që do të dalin në pension e që mungesa e tyre do të vërehet. Kemi pasur punonjës të caktuar të cilët përveç detyrës së caktuar të cilën e kanë pasur kanë kryer edhe shumë punë e detyra tjera, një ndër punonjësit më të zellshëm është Ali Thaçi, i cili përveç ndriçimit i ka kryer edhe punimet rreth skenografisë, zërimit dhe të gjitha nevojat tjera”, ka shpjeguar ajo.

Në shtator pritet që aktorët të kthehen në skenë dhe publiku pejan të shijojë një shfaqje të re. Nga viti i themelimit e deri më sot, Teatri Profesionist i Pejës “Istref Begolli” ka realizuar përafërsisht 1000 premiera.

Burimi i lajmit: Koha.Net