December 4, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

+5 për fundjavë! – e fundit e sezonit

4 min read

Xhiroja e fundit e sezonit në top ligat evropiane dhe njëkohësisht “5 për fundjavë” e fundit për këtë sezon.

Por, si xhiron e kaluar, edhe këtë herë kemi “më shumë se 5 për fundjavë”, pasi që ndeshjet vendimtare në ligat përkatëse luhen të gjitha në të njëjtën kohë dhe asnjëra nuk ka më pak rëndësi se tjetra.

1. Werder Bremen – Borussia Mönchengladbach (e shtunë, 15:30)

Fituesi i titullit dhe top katërshja në Gjermani dihen, e në xhiron e fundit vëmendja do të jetë te lufta për mbijetesë. Si vitin e kaluar, edhe këtë vit Werderi i Milot Rashicës e gjen veten në luftë për mbijetesë.

Në xhiron e fundit, Werderi takohet me Gladbachin, i cili ende është në lojë për një vend që dërgon në UEFA Conference League, e kjo mund t’ia bëjë punën edhe më të vështirë Milotit me shokë.

Kölni, një vend më poshtë se Werderi, luan me Schalken e rënë nga liga dhe me gjasë do të fitojë, prandaj ndeshja e Werderit është shumë e rëndësishme dhe interesante.

Gjithsesi, edhe nëse Werderi mbetet në Bundesligë, shpresojmë që Rashica të largohet nga aty, ta gjejë një skuadër me ambicie më të mëdha.

2. Valladolid – Atletico Madrid, Real Madrid – Villarreal (e shtunë, 18:00)

Me Barcelonën jashtë garës për titull, titulli në Spanjë do të vendoset mes dy skuadrave madrilene në xhiron e fundit. Normalisht, gjithçka është në dorën e Atleticos, që me një fitore ndaj Valladolidit, skuadër në pronësi të fenomenit Ronaldo, do të shpallej kampion i Spanjës.

Në anën tjetër, Reali do të tentojë ta mposhtë Villarrealin dhe të shpresojë në gabim të Atleticos, qoftë edhe barazim, për ta fituar kështu La Ligan e dytë me radhë, të 35-tën në histori.

Kujtojmë që mesjavën e ardhshme Villarreali e luan finalen e Europa Leagues ndaj Manchester Unitedit, mirëpo edhe pikët në La Liga i duhen, pasi që po lufton për një pozitë që dërgon në Europa League sezonin që vjen.

3. Aston Villa – Chelsea, Leicester – Tottenham, Liverpool – Crystal Palace (e diel, 17:00)

Njëjtë si sezonin e kaluar, edhe këtë sezon Leicesteri në fund mund ta gjejë vetën jashtë top katërshes, ani pse ishte gjatë gjithë sezonit aty.

Ndonëse me pikë të barabarta, Leicesteri për shkak të goldallimit ndodhet prapa Liverpoolit në renditje dhe duke qenë se në xhiron e fundit luan ndaj Tottenhamit dhe një fitore me goleadë nuk do të jetë e lehtë (për ta mbyllur sezonin me goldallim më të mirë se Liverpooli), Leicesteri mbetet në pritje të gabimeve të Chelseat apo Liverpoolit, në mënyrë që ta mbyllë sezonin në top katër.

Ndeshjen më të lehtë në letër e ka Liverpooli, ndaj Crystalit në shtëpi, kurse Chelsean e pret punë aspak e lehtë ndaj Aston Villës në udhëtim. Që të trija do të jenë ndeshje interesante!

4. Atalanta – Milan, Bologna – Juventus, Napoli – Verona (e diel, 20:45)

Sikur Leicesteri në Angli, edhe Milani ishte gjatë gjithë sezonit brenda top katërshes, e në fund mund ta gjejë veten jashtë.

Barazimi skandaloz ndaj Cagliarit në shtëpi javën e kaluar ia ka komplikuar shumë punët skuadrës së Piolit, që në xhiron e fundit duhet të fitojë në udhëtim te Atalanta për ta mbyllur sezonin në top-katër. Sigurisht, duke llogaritur që Juventusi e Napoli i fitojnë ndeshjet e veta këtë xhiro, ndaj Bolognës dhe respektivisht Veronës.

Milani luan më mirë në udhëtim sesa jashtë shtëpisë, por ndaj Atalantës nuk do të jetë aspak e lehtë, edhe pse kjo e fundit e ka siguruar pjesëmarrjen në Champions League sezonin tjetër.

Nga këndvështrimi ynë, shpresojmë që Napoli të fitojë ndaj Veronës, në mënyrë që sezonin tjetër t’i shohim në Champions League Amir Rrahmanin e Elseid Hysajn.

5. Angers – Lille, Brest – PSG (e diel, 21:00)

Pas barazimit në shtëpi ndaj St.Etienne, Lille për ta fituar titullin duhet ta fitojë ndeshjen e fundit të sezonit në udhëtim te Angers.

Nuk ka dyshim që Parisi do ta mposhtë Brestin, prandaj Lillet nuk i kryen punë rezultat tjetër përpos fitores ndaj Angersit.

Do të ishte një histori shumë e bukur nëse Lille e ndalë dominimin parisien dhe shpresojmë që të ndodhë!

Burimi i lajmit: FFK