December 4, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Ambasadorja Byrnes pjesëmarrëse në panelin e ILPP: Jam e impresionuar nga energjia e të rinjve në RMV – Telegrafi

2 min read

Ambasadorja e Shtetave të Bashkuara të Amerikës Kate Marie Byrnes, sot ka marrë pjesë në panel diskutimin “Punësimi dhe punësueshmëria e të rinjve – përgjithësisht në vendin tonë dhe veçanërisht në rajonin e Pollogut”, i organizuar nga Instituti për Lidership dhe Politika Publike që u mbajt në Tetovë.

Në fjalimin e saj, ambasadorja Byrnes u shpreh e kënaqur për pjesëmarrjen, ndërsa tha se është e impresionuar nga energjia e të rinjve në RMV.

“Është kënaqësi të jem sot këtu në këtë panel, pasi tema e diskutimit të organizuar nga ILPP prek tre çështje që janë me interes edhe për Ambasadën e SHBA-së në Maqedoni, e që janë: gratë, të rinjtë dhe ndërmarrësia. Unë jam e impresionuar nga energjia e të rinjve në RMV dhe një nga gjërat që më japin kënaqësi është që t’u ndihmojmë të rinjve të gjejnë zërin e tyre, përmes mundësimit të platformave që realizohen nga agjent të ndryshimeve, siç është Instituti për Lidership dhe Politika Publike”, tha ambasadorja Byrnes.

Paneli u realizua në formë hibride, ku me prezencë fizike morën pjesë një numër i vogël profesorësh, përfaqësues të OJQ-ve, përfaqësues nga sektori i biznesit, ekspertë dhe profesionalistë të fushës, si dhe profesionistë të rinj.

Instituti për Lidership dhe Politika Publike, u zotua se edhe në vazhdimësi do të mundohet të sjell bashkë të gjithë faktorët relevant vendimarrës, jo vetëm në diskutime të tilla, por edhe në projekte të përbashkëta, për të adresuar sa me më kompetencë këtë temë dhe për të ofruar mundësi më të mira për të rinjtë.

Ndryshe, përveç ambasadores Byrnes, panelistë ishin edhe kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi, rektori i Universitetit të Evropës Juglindore Abdylmenaf Bexheti dhe drejtori i Agjencisë për Punësim Abdush Demiri./Telegrafi/

Burimi i lajmit: Telegrafi