November 29, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Anglezi që po fiton turnetë e pingpongut në Kosovë – KOHA.net

5 min read

Anglezi Christopher David Doran edhe fundjavën e shkuar doli fitues i një turneu të pingpongut të mbajtur në Kosovë.

David Doran triumfoi në turneun memorial “Ahmet Hoxha” të mbajtur në Ferizaj, ku pjesëmarrës ishin rreth 150 pingpongistë nga Kosova. Për Doranin ky ishte turneu i dytë rresht që e fitoi në Kosovë. Në fillim të muajit ai doli fitues në turneun memorial “Gazmend Berisha (Kalega)” të mbajtur në Pejë.

Në të dy rastet anglezi në finale e mposhti lojtarin më të mirë në Kosovës, Fatih Karabaxhakun.

“Në finale përsëri u ndeshën Christopher David Doran dhe Fatih Karabaxhaku. Kësaj radhe ndeshja ishte më e fortë, për çka tregon edhe rezultati i ngushtë 3:2 për Christopher David Doran që ka kontribuar në ngritjen e cilësisë në elitën e pingpongut kosovar”, shkruan në njoftimin e Federatës së Pingpongut të Kosovës.

Vetë David Doran për KOHËN ka thënë se është krenar për triumfin e tij, duke insistuar se aspak nuk ka qenë e lehtë për shkak të konkurrencës së fortë.

“Ndoshta për shkak të popullsisë më të vogël në Kosovë standardi është mjaft i lartë, por lojtarët më të mirë janë në një nivel mjaft konkurrues. Unë kam një avantazh ndaj lojtarëve në vend që ndoshta ka të bëjë me përvojën time, që më ka dhënë një avantazh në turnetë që kam luajtur deri më tani. Unë nuk kam qenë në gjendje të luaj asnjë meç kompetitiv pingpongu për 18 muaj, kështu që më ka pëlqyer shumë të jem në gjendje të marr pjesë përsëri në gara zyrtare”, është shprehur David Doran.

Pingpongisti anglez prej fundit të shkurtit po luan në Kosovë. Ai është pjesë e ekipit të Superligës, Priping nga Prishtina. Në ekip David Doran ka rol të dyfishtë, të lojtarit dhe trajnerit. Në fakt është lojtari i parë që është transferuar në Kosovë. Ai do të jetë pjesë e Pripingut deri në fund të këtij viti, saktësisht të edicionit 2021.

“Më përpara ekipet kanë transferuar lojtarë vetëm në xhiron e fundit, kurse David Doran është i huaji i parë që është transferuar në Kosovë pas ndërrimit të rregullores nga federata”, tha Kastriot Orana, kryetar i klubit Priping.

Pripingu është klub i themeluar në janar të vitit të shkuar, kurse këtë edicion për herë të parë po garon në Superligë. Orana thotë se me angazhimin e pingpongistit anglez, Priping është ngritur dukshëm në cilësi dhe ka arritur deri në gjysmëfinale të Kupës. Ai thotë se angazhimi i David Doran ka ardhur me propozimin e trajnerit Eli Baraty që ka njërën prej akademive më të suksesshme të pingpongut në Londër.

Në të vërtetë David Doran ka qenë reprezentues i Anglisë në nivelin junior, kurse karrierë ka bërë në ligat më të forta të Anglisë, Belgjikës, Gjermanisë dhe Suedisë.

“Në dhjetor të vitit të shkuar Priping ka organizuar një kamp për të rinj me trajnerin Eli Baraty, i cili ka Akademinë EBATT të pingpongut, që është një ndër më të suksesshmet. Në atë kamp unë i kërkova që të na ndihmojë në gjetjen e një lojtari të përshtatshëm për klubin tonë dhe ai na rekomandoi Chrisin. Chrisi është ish-reprezentues i Anglisë për juniorë. Ai në ekipin tonë është edhe lojtar, edhe trajner dhe jemi të kënaqur me angazhimin e tij. Vërehet dukshëm se lojtarët tanë kanë ngritur cilësinë e lojës tyre. Të rinjtë po përparojnë shumë”, tha Orana. “Ky është viti ynë i parë në Superligë. E kemi përfunduar sezonin e parë dhe po presim të dytin”.

David Doran deri më tani ka marrë pjesë në të gjithë turnetë e organizuar, që i ka fituar, kurse llogaritet favorit edhe për turneun e muajit të ardhshëm.

“Gjatë sezonit të verës ne do të mbajmë edhe një kamp dhe do të mundohemi që Chrisin ta ndalim edhe pasi t’i skadojë kontrata”, ka theksuar Orana.

David Doran 29-vjeçar është adaptuar në Prishtinë, ku jeton dhe vepron prej muajit shkurt. Madje ai insiston se ideja për të luajtur në Kosovë i ka ardhur papritmas.

“Ideja për të ardhur në Kosovë me të vërtetë erdhi si një befasi. Të them të drejtën e gjithë kjo ndodhi shumë shpejt. Shoku im, Eli Baraty, bëri një kamp dhe disa punë në Priping, por ai nuk ishte në gjendje të kthehej për shkak të familjes dhe më pyeti nëse do të vija në vend të tij. Në atë kohë Mbretëria e Bashkuar ishte në bllokim të plotë, kështu që erdhi si një mundësi e mirë për të punuar pasi unë nuk isha në gjendje të punoja në Britani të Madhe. Unë jam shumë i kënaqur që jam këtu pasi të gjithë kanë qenë jashtëzakonisht mirëpritës, është një përvojë e mrekullueshme”, pranoi David Doran, që foli edhe për pingpongun e Kosovës në përgjithësi. “Niveli i pingpongut në Kosovë është solid dhe pak më i mirë nga sa prisja, sidomos në nivelin e ekipit përfaqësues. Gjithmonë ka nevojë për përmirësim në sport. Lojtarët më të mirë janë shumë të fortë në gara”.

David Doran tha se tashmë është adaptuar me rolin e tij të dyfishtë në ekip. Edhe ai është i kënaqur me ngritjen e cilësisë te klubi Priping dhe insiston se synimi i tij është që në fund të sezonit ekipi të jetë sa më lart i ranguar në tabelën përfundimtare. Priping aktualisht është në vend të gjashtë.

“Për mua personalisht nuk është aq e vështirë. Për fat të keq kam pasur një numër dëmtimesh në të kaluarën time, kështu që nuk mund të stërvitem aq shumë vetë në aspektin fizik. Unë mendoj se i ndihmon lojtarët në klub kur një trajner mund të tregojë goditjet vetë dhe për fat të mirë për mua, lojtarët kërkojnë të luajnë me mua shumë dhe duket se e shijojnë atë, kështu që ndihem sikur duhet të bëj diçka drejt”, shtoi ai. “Sa i përket përgatitjes është shumë interesante, sepse ne kemi treguar shumë progres si klub. Thjesht ka qenë jashtëzakonisht për të ardhur keq që kemi humbur një numër ndeshjesh me vetëm dy pikë. Kemi humbur ndeshje vendimtare kështu që kemi pasur një sezon solid por ishte shumë afër për të qenë një sezon i mahnitshëm”.

David Doran ka shtuar se te Pripingu po punojnë fuqishëm me shpresën se mund të bëjnë një ndryshim të madh në një periudhë të shkurtër kohore.

Burimi i lajmit: Koha Net