December 5, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

AUV: Ka dyshime për grip të shpezëve në katër lokacione në Kosovë – KosovaPress

2 min read

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton se ka dyshime të bazuara  për paraqitjen e sëmundjes “Gripi i Shpezëve” (Avian Influenza) te shpezët në fermat e ekonomive familjare në katër lokacione në vend, por bën thirrje që të mos krijohet panik te qytetarët dhe fermerët pasi që gjendja është nën kontroll.

Sipas udhëzimit administrativ për luftimin e sëmundjes zoonotike të shpezëve “Gripi i shpezëve” Avian Influenza,  autoritetet kompetente shtetërore dhe  fermerët janë të obliguar të ndërmarrin veprime konkrete për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Masat fillestare për parandalimin e përhapjes së sëmundjes përfshijnë ndalimin e lëvizjes së shpezëve nga fermat, ndalimi i mbajtjes së panaireve, tregjeve, ekspozitave dhe grumbullimeve të tjera të shpezëve dhe zogjve të tjerë.

AUV kërkon ngritjen e nivelit të biosigurisë në ferma, për të penguar përhapjen e sëmundjes, vendosja dezbarierave në hyrje dhe dalje të fermave, ndalimin e hyrjes se personave të paautorizuar, ushqimet, pajisjet dhe plehu, të mos jenë në kontakt me fermat e prekura me këtë sëmundje dhe kontrollin e lëvizjes së shpezëve brenda zonës së mbikëqyrjes duke i zbatuar masat e dezinfektimit.

Masat që do të aplikohen në zonën mbrojtëse janë identifikimi i të gjitha pronave me shpezë brenda zonës, vizita periodike të të gjitha pronave me shpezë, ekzaminimi klinik i atyre shpezëve, përfshirë edhe marrjen e mostrave, nëse është e nevojshme për ekzaminime laboratorike, përdorimi i mjeteve të duhura për dezinfektimit në hyrje dhe dalje të pronës.

Po ashtu, ndalohet transporti i shpezëve pa aprovim nga autoriteti kompetent.

AUV ka bërë të ditur se po ndërmerr veprimet e nevojshme për luftimin e sëmundjes zoonotike të shpezëve “Gripi i shpezëve” Avian Influenza dhe se përmes Drejtorisë së Shëndetit dhe Mirëqenies se Kafshëve do të punohet për parandalimin e përhapjes se kësaj sëmundje te shpezët.

AUV njëherësh kërkon nga qytetarët dhe fermerët që të mos krijojnë panik, pasi që situata është nën kontroll. 

Burimi i lajmit: Kosova Press