Burg i përjetshëm për Naser Pajazitaj – KosovaPress

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit Naser Pajazitaj, shtetas kosovar, i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, për shkak të veprës penale vrasje e rëndë dhe për shkak të dy veprave penale të mbajtjes më pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.

Kryetari i Trupit gjykues i Departamentit për Krime të Rënda – Ibrahim Idrizi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave, dëgjimit të palëve, të pandehurin N.P. e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim me burgim të përjetshëm.

N.P. akuzohet se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit – Komuna Deçan, në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë”, duke qenë edhe më parë i dënuar për vepër penale të vrasjes së rëndë, me dashje dhe me armë të tipit të panjohur, për motive të ulëta ka privuar nga jeta Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.

Derisa viktima ditën kritike ka qenë duke shkuar në punë, në këmbë nëpër rrugën në drejtim të Strellcit të Epërm dhe kur afrohet në afërsi të shtëpisë së N.J., kalon i pandehuri me veturën e tij, i cili ndalet e merr D.P. me veturë, e më pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit dhe kur arrin te “Kroni i Lajthisë” e privon nga jeta me armë duke shtënë dy herë në kokë dhe largohet nga vendi i ngjarjes.

Kufoma e viktimës është gjetur më 17.12.2015 në vendin e ngjarjes nga disa kalimtarë të rastit. 

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.

Burimi i lajmit: Kosova Press

Author: admin