May 19, 2022

KleaBe

ALL HERE FOR YOU

Çeku: Vendimi që Manastiri i Deçanit të konsiderohet monument i rrezikuar s’bazohet në logjikë të shëndoshë – Sinjali

2 min read

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar për vendimin e “Europa Nostras” që të fusë Manastirin e Deçanit në listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara të Evropës për vitin 2021, tek një ditë pasi kjo organizatë shpalli listën. Në reagimin e tij, Çeku ka thënë se vendimi që Manastiri i Deçanit të jetë në listën e 7 objekteve më të rrezikuara nuk bazohet në logjikë të shëndoshë, transmeton Sinjali.

Të enjten, “Europa Nostra” e shpalli Manastirin e Deçanit në listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara të Evropës për vitin 2021. Vendimtar për këtë janë raportet e Serbisë, që i shkruan UNESCO-s se ndaj këtij monumenti ka pasur edhe “përpjekje për sulm terrorist nga ISIS-i”. Institucionet shtetërore të Kosovës nuk patën reaguar në adresë të organizatës me anëtarë nga 40 shtete e “partnere e vjetër e BE-së”.

Të premten është publikuar edhe letra që Vjosa Osmani dhe Albin Kurti në kohën sa ishin ushtruese e detyrës së presidentes dhe kandidat për kryeministër i kishin shkruar “Europa Nostras”. Pavarësisht argumenteve, ajo u shpërfill.

Duke kundërshtuar qëndrimet e “Europa Nostras”, ministri Çeku ka thënë se “në arsyetimin e kësaj organizate shihet qartë njëanshmëria e saj kur referencat i merr kryekëput nga historiografia serbe në rastet kur përmend karakteristikat e brendshme të objektit, derisa Kosovën e përmend me një fusnotë!”

“Kjo qasje e Europa Nostra është joprofesionale, jorealiste, e njëanshme, dhe me ndikim të qartë politik. Vendimi për ta futur Manastirin e Deçanit në listën e 7 objekteve më të rrezikuara nuk bazohet në logjikë të shëndoshë, duke qenë se vetë arsyetimi i vendimit bie ndesh me argumentet për rrezikun që kinse po i kanoset. Për këtë flasin edhe fotografitë të cilat i ka publikuar vetë Europa Nostra në faqen e saj zyrtare”, ka shkruar ai në Facebook.

Çeku ka thënë se institucionet e Kosovës po e trajtojnë çështjen duke shtuar se po zhvillohen konsultime të brendshme, por edhe me ndërkombëtarët për të përcaktuar hapat e ardhshëm.

“Republika e Kosovës është instanca më e lartë e mbrojtjes së aseteve të trashëgimisë kulturore në vend. Ne e mbrojmë trashëgiminë tonë. Trashëgimia jonë është universale. Ajo i takon krejt njerëzimit, i takon brezave të kaluar, të tashëm dhe të ardhshëm”, ka përfunduar ai. /Gazeta Sinjali/

Burimi i lajmit: Gazeta Sinjali