November 29, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Dogana i quan të pavërteta deklaratat e Tahirit për shpedicionin e kamionit me kokainë – KOHA.net

2 min read

Dogana e Kosovës i ka quajtur të pavërteta deklaratat e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, se familjarë të drejtorit aktual kanë bërë shpedicionin e kamionit në të cilën ditë më parë u gjetën 400 kilogramë kokainë.

Në seancën e Kuvendit të enjten, Tahiri hodhi akuza në drejtim të kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar edhe se familjarë të drejtorit aktual të Doganës kanë bërë shpedicionin dhe se “ky drejtor është dashur të shkarkohet menjëherë”.

“Drejtori i Doganave, meqë e përmende si storie të suksesshme, qysh ndodhi që shpedicionin e kamionit me 400 kilogramë kokainë me bë djali i vëllait të drejtorit që po e lavdëron ti”, ka thënë Tahiri.

Ndërkaq në një reagim të mëvonshëm, Dogana e Kosovës ka thënë se ky deklarim është i pavërtetë.

“ Sot me datë 27 maj 2021, deputeti i Kuvendit të Kosovës z. Abelard Tahiri në seancën parlamentare ka deklaruar se agjensioni që ka bërë deklarimin e mallit në dërgesën që është kapur droga në tentim kontrabandim në sasi të 400 kilogramëve është i vëllait të drejtorit të Doganës. Dogana e Kosovës ka bërë verifikimet e nevojshme dhe siguron publikun se ky deklarim është i pa vërtetë. Deklarata të tilla përtej dëmit të padrejtë që i bëjnë drejtorit dhe familjes së tij, i bëjnë dëm të madh besimit të publikut ndaj Doganës së Kosovës dhe po ashtu edhe partnerëve të rëndësishëm ndërkombëtarë dhe vendor. Ky dëm ndikon jashtëzakonisht keq në arritjen e objektivave në mbrojtjen e shoqërisë dhe mbledhjen të hyrave”, thuhet në reagim të Doganës.

Dogana ka thënë se s’do të lejojë anime politike, ndërsa ka paralajmëruar se drejtori Agron Llugaliu do të ngre padi ndaj Tahirit nëse ai nuk tërheq fjalët e pavërteta dhe s’kërkon falje publike. Dogana ka ftuar edhe Prokurorinë që të nisë hetimet për ndriçimin e rastit.

Burimi i lajmit: Koha.net