December 5, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Drita me president të ri dhe me përforcime për Evropë – KOHA.net

4 min read

Drita e Gjilanit edhe këtë vit do të marrë pjesë në garat evropiane. Si nënkampione e Kosovës në futboll, Drita do të paraqitet në Ligën e Konferencës, garën e re të UEFA-s që i takon nivelit të tretë.

Për të pasur paraqitje sa më të mirë, te ekipi gjilanas kanë filluar të mendojnë për përforcime.

Drejtori i përgjithshëm, Feti Murseli, ka thënë për KOHËN të enjten se do të përforcohen me lojtarë të repartit ofansivë. Sipas tij, drejtuesit e klubit dhe shtabi teknik i kanë vendosur “pikat” që duhet të realizohen në afatin kalimtar të verës.

“Pikat i kemi vendosur dhe me këtë punë është duke u marrë drejtori sportiv. Do të ketë transferime. Kryesisht do të jenë në fazën ofensive, pasi në atë defansive jemi mirë. Në fazën ofensive kemi pasur probleme të mëdha me lëndimet e lojtarëve dhe në fund na ka kushtuar. Rexha, Cuculi, Ajzeraj, Maloku, Namani e Vuçaj janë lojtarë të cilët kanë munguar në shumë ndeshje shkaku i lëndimeve. Jemi të dëshpëruar që nuk e kemi fituar titullin, por nuk mund ta quajmë dështim, pasi kemi dalë në vendin e dytë dhe do të marrim pjesë në garat evropiane”, tha Murseli.

Lojtarët e Dritës janë në pushim veror. Ata do të kthehen në aksion më 6 qershor.

Murseli thotë se fokusi do të jetë te lojtarët e Superligës së Kosovës. Ai vlerëson se futbollistët e huaj nuk po e njohin futbollin kosovar dhe po kanë probleme të ambientohen.

“Fokusi do të jetë te lojtarët që luajnë në Superligë. Ata e njohin shumë mirë ligën. Do të jetë vështirë për pozitat që kërkojmë, por jemi duke punuar në këtë drejtim. Do të marrim lojtarë që të rrisim konkurrencën. Krahas ardhjeve do të vendosim edhe për largime. Sigurisht që do të ketë edhe largime. Lojtarët e huaj kanë pasur probleme në futbollin e Kosovës, pasi nuk po e njohin mirë ligën. Po ashtu kishin edhe telashe të tjera. Lojtarët e huaj qe i kemi ne të gjithë kanë kontrata dhe do të qëndrojnë”, deklaroi Murseli.

Ai foli edhe për Ligën e Konferencës. Sipas Murselit, Drita do të japë më të mirën që ta prezantojnë futbollin e Kosovës siç i ka hije.

“Liga e Konferencës është një format i ri dhe ende nuk kemi informacione të sakta. E mira është që do të jenë dy ndeshje. Ne kemi koeficient të mirë dhe besoj që mund të përballemi në ndeshjen e parë me ndonjë kundërshtar më të lehtë. Më 15 qershor hidhet shorti. Ndeshja e parë do të luhet më 8 korrik, kurse e dyta më 15 korrik. Ne do të angazhohemi që të japim më të mirën dhe ta përfaqësojmë futbollin e Kosovës siç është më së miri. E kemi bërë edhe në vitet e kaluara”, tha Murseli.

Ai konfirmoi qëndrimin e trajnerit Ardian Nuhiu dhe zbuloi se do të përgatiten në Bullgari për garat evropiane.

“Ardian Nuhiu ka kontratë me Dritën dhe do të vazhdojë të jetë në krye të skuadrës. Përgatitjet për garat evropiane besoj që do t’i kryejmë sërish në Bansko të Bullgarisë. Atje kemi qenë në dy vjetët e fundit dhe besoj që do të shkojmë sërish. Problem mund të jetë çështja e vizave, por atje kemi kaluar shumë mirë. Është bërë vend i përshtatshëm. Do të zhvillojmë edhe ndeshje miqësore”, deklaroi drejtori i Dritës.

Murseli pohon se buxheti i klubit mund të ketë rritje për 10 për qind. Në vitin e kaluar konfirmon se i kanë harxhuar më shumë se 1 milion euro.

“Buxheti i Dritës do të jetë pothuajse i njëjtë me të vitit të kaluar. Mund të jetë për 10 për qind më i lartë. Sezonin e kaluar kemi shpenzuar më shumë se 1 milion euro. Klubi në fillim e ka pasur buxhetin e garantuar për katër vjet dhe pasi e kemi kryer atë periudhë tani planifikimet janë vetëm për një vit. Ne nuk kemi pasur probleme me paga. Çdoherë pagat janë dhënë nga data 1 deri më 5. Do të vazhdojmë të jemi korrektë edhe në edicionin e ri”.

Feti Murseli e ka pranuar se presidenti i Dritës, Valon Murseli, ka bërë kërkesë zyrtare që të largohet nga pozita që mban, por jo edhe nga klubi.

“Valon Murseli ka thënë para një muaji ose dy se do të largohet nga pozita e presidentit, por jo nga klubi. Ai ka bërë kërkesë zyrtare për largim nga posti i presidentit dhe në muajin tjetër besoj që do të takohemi dhe do të vendosim. Valoni i ka 50 për qind të aksioneve të klubit. Kurse 50 për qind të tjera i ka Flamur Bunjaku. Valoni ka kërkuar të largohet për shkak të angazhimeve të mëdha që ka me bizneset e tij. Por ai do të jetë pjesë e klubit, pra largimi mund të ndodhë vetëm nga pozita e kryetarit. Valoni dëshiron të jetë si Flamur Bunjaku, aksionar në klub, por jo edhe të ketë post”, përfundoi Murseli.

Drita e mbylli edicionin 2020/2021 në vendin e dytë me 76 pikë, dy më pak se Prishtina që u shpall kampione.

Ekipi nga Gjilani ka vendosur “rekord” në vitin e kaluar në garat evropiane. Drita kishte arritur deri në raundin e tretë të kualifikimeve të Ligës së Evropës. Ishte eliminuar nga Legia e Varshavës.

Burimi i lajmit: Koha Net