December 3, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

EURO 2020: Danimarka synon ta shfrytëzojë rolin e autsajderes për të befasuar sikur në vitin 1992 – KOHA.net

5 min read

Danimarka arriti të sigurojë pjesëmarrjen në “Euro 2020” duke u kualifikuar si e dyta nga Grupi D. Vendi skandinav e humbi pozitën e parë në grup vetëm për një pikë të vetme, por ishte këmbëngulës për t’u kualifikuar në turneun e madh të Evropës. E pikërisht kjo këmbëngulësi duhet t’i shërbejë Danimarkës edhe në “Euro 2020”, nëse dëshiron të lërë gjurmë.

Në Evropianin i cili nis më 11 qershor, Danimarka do të futet me synime të mëdha. Por do të jetë e vështirë për futbollistët që të përsëritin suksesin e vitit 1992. Atëbotë Danimarka ishte plotësisht autsajdere e turneut, pasi fillimisht nuk arriti të kualifikohej për t’u ftuar pas dhjetë ditësh që ta zëvendësojë Jugosllavinë që u diskualifikua pas shpërbërjes si shtet. Atë ftesë speciale Danimarka e shfrytëzoi për ta shkruar përrallën më të mirë të futbollit në Evropë, duke u shpallur kampione. Mirëpo, a mundet gjenerata aktuale të ndjekë gjurmët e Peter Schmeichelit, Brian Laudrupit e Henrik Larsenit, mbetet të shihet në “Euro 2020”.

Përzgjedhësi dhe taktika

Kanë qenë katër përzgjedhës në krye të Përfaqësueses së Danimarkës prej largimit të Richard Moller Nielsenit në vitin 1996, i cili arriti suksesin më të madh duke u shpallur kampion i Evropës. Morten Olsen ishte trajneri me jetë më të gjatë te Danimarka, duke operuar nga korriku i vitit 2000 deri në nëntor të vitit 2015, ndërsa trajneri i ri Kasper Hjulmand ka udhëhequr ekipin në vetëm dhjetë ndeshje. Hjulmand, i cili kishte një karrierë të shkurtër si lojtar, punën e trajnerit e nisi në vitin 2006 te skuadra e Lyngbyt. Shumë shpejt ai shkoi te Nordsjaellandi ku për një kohë të shkurtër punoi si ndihmës përpara se ta merrte postin e trajnerit kryesor. Si trajner kryesor Hjulmand e fitoi titullin e kampionit të Danimarkës në edicionin e tij të parë. Në krye të Danimarkës, Hjulmand erdhi në vitin 2019 duke e zëvendësuar Age Hareiden. Te Danimarka ai ka eksperimentuar me një larmi kombinimesh të sistemit të lojës, por 4-2-3-1 duket se është i preferuari i tij. Tetorin e kaluar ky sistem i lojës pati efekt të fuqishëm në fitoren e Danimarkës si mysafire e Anglisë (1:0). Duket se këtë sistem Hjulmand e ka krijuar posaçërisht për mesfushorin Christian Eriksen, që konsiderohet lokomotiva e ekipit.

Ylli i ekipit

Lojtari kryesor i Danimarkës, Christian Eriksen, do të jetë 29-vjeçar kur të zhvillohet “Euro 2020”. Por ai aktualisht ka mbi “një shekull” paraqitje dhe ekspozim global. Pavarësisht që nuk pati minutazhë të madhe tek Interi në edicionin e kaluar, Eriksen e shpërbleu besimin e trajnerit Antonio Conte për ta fituar vendin e titullarit në duelet e fundit ku e ndihmoi ekipin të shpallet kampion i Italisë. Ai shënoi katër gola në 34 ndeshje tek Interi dhe në Evropian do të jetë arma kryesore e përzgjedhësit Hjulmand.

Eriksen do të mbështetet fuqishëm nga Pierre-Emile Hojbjerg, Thomas Delaney, Martin Braithwaite dhe Yussuf Poulsen. Ndërsa në portë do të jetë Kasper Schmeicel, portieri më jetëgjatë te Danimarka me 63 paraqitje, i cili është i vendosur për të vazhduar trashëgiminë e shkëlqyer të babait të tij, Peterit. Ai është një portier i shquar që garanton se danezët janë ende kundërshtarë të vështirë për t’u mposhtur.

Lojtari i së ardhmes

Një lojtar që të gjithë do të presin me padurim ta shohin në “Euro 2020” është 20-vjeçari Mikkel Damsgaard. Damsgaard mund të luajë në disa role të mesfushës. Ai luan si mesfushor i krahut të majtë dhe nëntëshe false, kurse në katër sezonet e tij të para si profesionist Damsgaard ka vepruar si qendërsulmues. Dhe në secilin rol ai ka regjistruar mbi 1500 minuta lojë.

Në edicionin 2016/17 ai kaloi pjesën më të madhe si një mesfushor qendror, ndërsa në edicionin 2017/18 minutat e tij u ndanë në mënyrë të barabartë midis mesfushës dhe sulmit. Ai mund të luajë një rol vendimtar me të tjerët si Erikseni. Ai gjithashtu ka aftësi për të shënuar gola për ekipin dhe mund të tregohet jetik nëse Danimarka shpreson të përsërisë suksesin e vitit 1992.

Bilanci

Danimarka duhej të rrinte për 20 vjet midis kualifikimeve nga pozita e dytë në kampionatet evropiane. Danimarka hyri në gjysmëfinale më 1964 pasi doli e katërta nga katër pjesëmarrës në Evropianin e parë të saj. Ndërsa, në vitin 1984, përfundoi në pozitën e tretë prej tetë ekipeve pjesëmarrëse. Pas një paraqitjeje zhgënjyese në fazën e grupeve në vitin 1988, Danimarka arriti të triumfonte në Evropianin e vitit 1992 të mbajtur në Suedi, duke e mposhtur Gjermaninë (2:0) në finale. Danezët nuk kanë pasur të njëjtin nivel suksesi më pas, gjë që është e kuptueshme. U eliminuan në fazën e grupeve në vitet 1996, 2000 dhe 2012, derisa nuk arritën të kualifikoheshin në vitet 2008 dhe 2016. Megjithatë, në “Euro 2004” Danimarka arriti deri në çerekfinale që është një synim i arsyeshëm për këtë vit.

Gjasat

Ishin të paktë ata që kanë pritur se Danimarka do të triumfonte në “Euro 1992” dhe ndjenja është pothuajse e njëjtë përafërsisht tri dekada më vonë. Danimarka është pjesë e një grupi të vështirë – Grupit B – që e përbëjnë edhe Belgjika, Rusia e Finlanda. Danezët janë pa dyshim midis përfaqësueseve të rangut më të ulët të Evropës, prej atyre në turne. Aktualisht Danimarka llogaritet favoritja e dhjetë për të fituar në “Euro 2020”, me përfaqësueset si Anglia, Belgjika dhe Kroacia, përpara saj.

Lista e Danimarkës për Evropian

Portierë: Kasper Schmeichel, Jonas Lossl, Frederik Ronnow

Mbrojtës: Jens Stryger Larsen, Simon Kjaer, Andreas Christensen, Joachim Andersen, Daniel Wass, Mathias Jorgensen, Joakim Maehle, Jannik Vestergaard, Nicolai Boilesen

Mesfushorë: Mathias Jensen, Christian Norgaard, Pierre-Emile Hojbjerg, Thomas Delaney, Anders Christiansen, Christian Eriksen, Mikkel Damsgaard, Robert Skov

Sulmues: Martin Braithwaite, Andreas Cornelius, Andreas Skov Olsen, Yussuf Poulsen, Kasper Dolberg, Jonas Wind

Ndeshjet e Danimarkës në “Euro 2020”

12 qershor: Danimarka – Finlanda (18:00, Kopenhagë)

17 qershor: Danimarka – Belgjika (18:00, Kopenhagë)

21 qershor: Rusia – Danimarka (21:00, Kopenhagë)

Burimi i lajmit: Koha Net