December 5, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Ferran Torres flet për Chelsean, Guardiolan dhe finalen e Championsit – KOHA.net

4 min read

I transferuar nga Valencia në verën e vitit 2020, Ferran Torres ka pasur një ngritje të jashtëzakonshme në edicionin e tij të parë te Manchester City, duke fituar titullin e kampionit në Premier League dhe duke arritur në finale të Ligës së Kampionëve si shënuesi më i mirë i klubit në këtë garë, me katër gola. Mentaliteti fitues i 21-vjeçarit po dëshmohet në secilën ndeshje, por ai thotë se po vazhdon të mësojë shumë nën urdhrat e Pep Guardiolas dhe është i vendosur që ta ndihmojë Cityn ta fitojë për herë të parë në histori të klubit trofeun e Ligës së Kampionëve.

“Është një tatuazh që e kam bërë me motrën dhe kushëririn tim, dhe do të thotë që unë refuzoj të fundosem, pavarësisht rrethanave. Duhet të shpejtoni hapin dhe të ktheni situatën në favorin tuaj, kështu që kjo frazë e tatuazhit tim ka më shumë të bëjë me futbollistët”, ka zbuluar Torres.

“Ky është mentaliteti që duhet të kenë lojtarët, të përpiqen të jenë më të mirët, dhe madje të bëhen më të mirët në çdo aspekt. Kjo është ajo për të cilën punoj çdo ditë si brenda ashtu edhe jashtë fushës, me dietën time, atë që pi, punën në palestër. Jo vetëm që është e rëndësishme të përpiqem të jem lojtari më i mirë, por ka të bëjë edhe me zgjatjen e karrierës në futboll”.

Për punën me Pep Guardiolan

“Nëse dëshiron të jesh më i miri, duhet të punosh me më të mirët dhe aktualisht më i miri është trajneri Guardiola, me të arriturat e tij te City. Mbi të gjitha është më i miri për mënyrën se si ndikon te lojtarët, të cilët i ndihmon të përmirësohen dhe për mënyrën se si ai përpiqet të ndihmojë ekipin. Nëse ai ka nevojë të qëndrojë edhe gjysmë ore në mënyrë që ta kuptoni si duhet, ai do ta bëjë. Ai jeton për këtë dhe i kushton të gjithë kohën futbollit, gjë që mendoj se e bën dallimin me trajnerët e tjerë”, ka thënë Torres për “uefa.com”, pak ditë para finales së Championsit, që është të shtunën nga ora 21:00. Në Porto takohen Man. City dhe Chelsea.

“Unë do të thosha se ai më ka kthyer në një lojtar krejtësisht tjetër nga ai që isha para se të transferohesha te City. Ai më ka ndihmuar të luaj praktikisht në çdo pozicion sulmues, ndërsa në të kaluarën kam luajtur vetëm në krahun e djathtë. Sa më i shkathët të jetë një lojtar, aq më shumë shanse ka për të luajtur dhe të jetë futbollist më i mirë. Ende po mësoj çdo ditë prej tij”.

Për rutinën e tij para finales

“Nëse do të thosha se finales duhet t’i qasesh sikur të ishte vetëm një ndeshje tjetër e radhës, do të gënjeja. Sapo të ngriheni nga shtrati, e dini që është një ditë e veçantë. Por në fund të ditës duhet të jeni të qetë dhe maksimalisht i përqendruar në ndeshje. Mund të bëni ritualet tuaja, nëse keni ndonjë, ose të bëni një sy gjumë nëse kjo është gjëja juaj. Pikërisht rituali im para finales është që të bëj pak gjumë si çdo ditë tjetër”, u shpreh Torres.

“Unë vij nga Foios, që është një fshat i vogël dhe të gjithë njerëzit do ta shikojnë këtë ndeshje duke më përkrahur mua dhe Manchester Cityn. Do të jetë ndeshje e veçantë, të cilën dua ta fitoj për bashkëfshatarët e mi”.

Për Chelsean

“Ata (lojtarët e Chelseat) janë një ‘dhimbje në qafë’, në një mënyrë të mirë, pasi gjithmonë janë duke ndjekur topin. Vrapojnë shumë dhe e duan topin. Nuk bazohen vetëm në kundërsulme pasi gjithashtu duan ta marrin topin nga këmbët e kundërshtarit, gjë që i bën shumë të rrezikshëm. City është një ekip që i pëlqen të mbajë topin, dhe nganjëherë është shumë e vështirë ta marrësh atë nga ne, por Chelsea ka bërë një punë të shkëlqyeshme në ndeshjet kundër nesh. Në fakt londinezët na kanë mposhtur dy herë. Kështu që në finale të Championsit asnjëherë nuk i dihet”, shtoi Torres. “Ne jemi një nga skuadrat më të mira në botë, kështu që do të përpiqemi të fitojmë. Ne kemi fituar Premier Leaguen, që nuk ishte aspak lehtë, por kemi punuar shumë gjatë sezonit për një sukses të tillë. Fitorja në finalen e Championsit do të ishte qershia mbi tortë. City kurrë nuk ka fituar në këtë garë, që është një motiv shtesë, dhe ne do të bëjmë të pamundurën për t’ia dalë”.

Burimi i lajmit: Koha Net