November 29, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Gjendje alarmante e Depos së Barnave, barnat me afat ruhen bashkë me ato të skaduara – KOHA.net

5 min read

Më pak se një metër është distanca ndërmjet barnave që përdoren dhe atyre pa afat në depon e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërmjet tyre nuk ka ndarje fizike. Janë veç disa paleta të drurit, që shërbejnë si rrethoja për produktet e skaduara. E madhe është sasia e barnave të blera me paratë e shtetit, që përfunduan në këtë depo, në pritje të asgjësimit.

Një pjesë e madhe e depos nuk ka ndriçim. Telat janë të këputur. Për ta parë gjendjen është përdorur ndriçim shtesë nga ekipi i KOHËS. Ndonëse objekti menaxhohet nga Ministria e Shëndetësisë, ai duket si i braktisur.

Qysh në hyrje vërehet që e gjithë depoja nuk ka ajrosje. Sistemi i klimatizimit ekziston, por nuk funksionon. Shkaku i pamjes së marrë, duket që depoja në të kaluarën u përfshi nga zjarri.

Në fund të prillit KOHA i kërkoi MSH-së qasje në dokumentet e produkteve të skaduara. Por për një gjë të tillë ky institucion nuk ka kthyer përgjigje. Në të dhënat e dy vjetëve me parë, është thënë që janë rreth 20 tonë barna të skaduara. Por, siç kanë thënë burimet, sasia nuk dihet me siguri, shkaku se nuk janë të regjistruara. Kësisoj, nuk mund të kalkulohet as vlera e barnave që kanë skaduar në duar të shtetit duke mos iu dhënë pacientëve, e as vlera sa mund të kushtojë asgjësimi.

Shkatërrimi i barnave është proces i kushtueshëm. Bëhet me procedura të veçanta, përafërsisht herën e fundit kur ka ndodhur në nivel qendror, është paguar rreth 4 euro asgjësimi i një kilogrami. Ai proces i asgjësimit ishte ndërmarrë tetë vjet më parë, por ishte përcjellë me parregullsi të mëdha. Pjesë e aktakuzës ka qenë edhe ish-sekretari i MSH-së, Ilir Tolaj.

Ai në seancë gjyqësore pati sqaruar këtë proces.

“Për ta bërë asgjësimin e barnave me afat të skaduar, ne kemi kontaktuar të gjitha kapacitetet ekzistuese në Kosovë që posedojnë furrënalta, siç janë KEK-u, Fabrika e Çimentos në Han të Elezit dhe ‘Ferronikeli’, por të gjithë në mënyrë të kulturuar na kanë refuzuar. Kjo ka ndodhur pasi që ata kanë deklaruar se temperatura e tyre nuk është e mjaftueshme për shkatërrim të barnave dhe se nëse barnat hyjnë në furrënalta mund ta qesin krejt sistemin jashtë funksionit”, pati deklaruar Tolaj.

Sipas Ligjit për pajisje dhe produkte mjekësore, për produktet të cilave u skadon afati, barnatoret përkatëse janë përgjegjëse për regjistrimin, evidentimin dhe stokimin deri në asgjësimin e tyre, duke u vënë tiketa “të papërdorshme”.

“Produktet mjekësore pa Licencë Importi apo pa Autorizim Marketingu, duke përfshirë dispozitat e nenit 20 paragrafi 3. të këtij ligji, apo me cilësi të dyshuar, apo të falsifikuar, apo me afat të skaduar, ose të deponuar apo të përgatitur në kundërshtim me kushtet e përcaktuara me PMSH, apo dukshëm të dëmtuara ose të pakonsumuara tërësisht (më tej, “produkte medicinale të papërdorshme”), duhet të shkatërrohen, përfshirë paketimin e tyre, me qëllim të parandalimit të rrezikut për jetë dhe për shëndetin e njerëzve ose kafshëve apo për mjedisin”, thuhet në paragrafin 2 të nenit 23 të këtij ligji.

Ndonëse nuk ka të dhëna për këtë kategori barnash, i njëjti ligj parasheh një gjë të tillë.

“Institucionet e autorizuara në Republikën e Kosovës për shkatërrimin e produkteve të papërdorshme mjekësore janë të detyruara që të evidentojnë, mirëmbajnë dhe ruajnë të dhënat mbi shkatërrimin e këtyre produkteve mjekësore, në pajtim me procedurat për evidentimin e mbeturinave të përcaktuara nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, thuhet në paragrafin e fundit të po të njëjtit nen.

Para asgjësimit barnat duhet të regjistrohen, për t’u barazuar në stoqe produktet e përdorura me ato që kanë përfunduar për shkatërrim.

Llojet e barnave me afat të skaduar në Depon Qendrore janë të shumta. Ka edhe të tilla, për mungesën e të cilave ka pasur shumë ankesa.

Insulina është produkt jetik për pacientët me diabet. Ndonëse është në Listë Esenciale, Ministria e Shëndetësisë që nga paslufta ka dështuar ta bëjë furnizimin e rregullt për pacientë. Por në depon ku ruhen barnat pa afat, ka qindra të tilla të cilat kanë skaduar, e nuk janë shfrytëzuar nga pacientët. Janë të firmës “Sanof” dhe afati u ka skaduar qysh në vitin 2014.

Pothuajse secila kategori e barnave dhe e materialit shpenzues ekziston në këtë depo: Madje edhe material i nevojshëm për salla të operimit, e edhe të sistemit të infuzionit.

Në Inspektoratin Farmaceutik po ashtu nuk kanë dhënë detaje për barnat e skaduara, por vetëm kanë thënë se ka procedurë strikte për asgjësimin e tyre.

Depoja Qendrore ndodhet brenda kompleksit të Pallatit të Rilindjes. Ishte hapur më 2009, kur ministër i Shëndetësisë ishte Alush Gashi. Atëkohë ishte premtuar që në këtë depo nuk do të kishte vend për barna të skaduara.

“Ministri Gashi ka thënë po ashtu se në depon e re nuk do të ketë vend për barna të skaduara, sepse tash e tutje menaxhimi i procesit të blerjes së barnave dhe distribuimit të tyre do të bëhet në mënyrë shumë më profesionale, ndërsa ka theksuar se asnjë donacion në barna apo material shpenzues nuk do të pranohet pa iu nënshtruar verifikimit të komisionit profesional, pasi që dihet se në të kaluarën janë pranuar donacione në barna që kanë pasur afate shumë të shkurtra të skadimit”, shkruhej në komunikatën e vitit 2009.

Por jo vetëm brenda, një pjesë e barnave pa afat ruhen edhe në hyrje të depos. Pako të mbushura, të pahapura kurrë, gjenden para objektit.

E siç ka mësuar KOHA, ato janë nga donacionet e organizatave ndërkombëtare, të cilat pak ditë para skadimit i kanë sjellë në Kosovë.

[embedded content]

Burimi i lajmit: Koha.net