May 19, 2022

KleaBe

ALL HERE FOR YOU

Haradinaj: Kurti dhe Vuçiq kanë strategji të njëjtë për dialogun

3 min read

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk është duke u marrë me dialogun Kosovë-Serbi, prandaj në takimin e 25 majit me kryeministrin Albin Kurti ka kërkuar përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces.

“Në takim e kam shprehur shqetësimin edhe kërkesën që dialogu pa Amerikën mund të na dalë i keq, më mirë me e pasë Amerikën në dialog prej fillimit dhe jo me pritë që në fund me hy Amerika dhe të ndërhyjë në dialog, pra më mirë të rrugëtojmë bashkë që ta kemi një qëndrueshmëri, që ta kemi një siguri”.

“BE-ja realisht nuk po merret me dialogun, nuk është fare e kyçur në dialog. Në të kaluarën me dialogun është marrë [Federica] Mogherini, çfarë ka ndodhur? Është caktuar një i ngarkuar që është [Miroslav] Lajçak si ndërmjetës, por nuk është as [Josep] Borelli vetë, është situatë e re, jo kredibile dhe me mbet çështja e dialogut të Kosovës në nivelin e Lajcakut nuk është premtuese”.

Haradinaj, në Rubikon të Klan Kosovës, ka deklaruar se strategjia e Albin Kurtit për dialogun është e njëjtë me të Aleksandar Vuçiqit, pasi të dy po mundohen ta zvarrisin këtë proces.

“Kurti ka frikë se do ta befasojë ndonjë gjë rrugës, që do t’i ofrohet ndonjë zgjidhje e keqe, që do ta detyrojnë në ndonjë marrëveshje jo të mirë për Kosovën dhe e ka gjetur një strategji të hezitimit, të vonesave, të mosmarrjes pjesë. Në këtë rast më mirë i kish shku Kurtit ajo që e kam bërë unë. Edhe unë kam pasë frikë nga marrëveshjet e këqija, nga befasitë, por unë kam bërë vetëvendosje, vendosur vetë, punët e Kosovës i kam kryer vetë si ushtrinë, Trepçën, pavarësinë energjetike”.

“Kurti e ka zgjedhur një strategji ‘ngreh e mos këput’, që i bjen me shku në Bruksel, mos me i mbet faji Kosovës që po e bllokon dialogun, por nuk po do me hy në temë, kjo strategji i pëlqen shumë Vuçiqit, është në shërbim të tij se ai i ka zgjedhjet në pranverë të vitit që vjen, edhe ai tutet që po e detyron Amerika për një marrëveshje që e dëmton atë në zgjedhje dhe në këtë mënyrë ka një paqe mes Albinit dhe Vuçiqit që mos me hy në temë.

“Në këtë rast u përputhet interesi dyve, Albini po frikësohet me hy në temë nga një marrëveshje jo e duhur, Vuçiq po ashtu, dhe e kanë zgjedhë mos me hidhëru Evropën duke shkuar në takime, të njëjtin interes e kanë në dinamikën e dialogut dytë”.

Haradinaj shtoi se nuk beson që Kurti po i shërben Vuçiqit, por se qasja e Qeverisë së Kosovës për dialogun është në interesin e institucioneve të Serbisë.

Burimi i lajmit: Klan Kosova