December 4, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Ish-komandanti Kastrati në përvjetorin e operacionit “Shigjeta”: Ishte mësymja më e madhe e UÇK-së

2 min read

Komandanti i operacionit “Shigjeta” Nexhmedin Kastrati, ka kujtuar këtë operacion që ndodhi 22 vjet më parë e njihet si një prej betejave më të lavdishme të UÇK-së, ka treguar më shumë detaje për organizimin e ushtarëve.

“Pas ardhjes së fluksit të vullnetarëve nga diaspora janë organizuar qendra të mobilizimit ku janë armatosur ushtarët, janë formuar strukturat organizative ushtarake, janë caktuar komandantët e njësive dhe kanë filluar përgatitjet për mësmyje të vijës kufitare. Pas urdhrit të Komandës së Përgjithshme komanda e operacionit ka filluar përgatitjet ushtarake me lëviz njësitë në brezin kufitar dhe të vëzhgojnë territorin. Pjesa më e madhe e njësive të UÇK-së kanë qenë këmbësoria dhe armatim i lehtë, pra i këmbësorisë”.

Ai në Klan Kosova, ka thënë se ky sulm ka qenë operacioni më i madh i organizuar ndonjëherë prej UÇK-së.

“Pas fillimit të bombardimeve forcat serbe kishin përforcuar të gjitha vijat kufitare, kishin organizuar fusha minash, kishin marrë përforcime prej njësive brenda dhe njësi vullnetare radikale me përbërje të ushtarëve të Rusisë, Ukrainës, Bullgarisë dhe të tjera.

“Operacioni “Shigjeta” është ndarë në tri radhitje – drejtime taktike. Gjithçka ishte e përgatitur, ishin bërë vëzhgimet, njësitë i ishin afruar vijës kufitare (vijës së armikut). Ishte mësymja më e madhe masovike e UÇK-së, Ka qenë befasi për armikun neutralizimi i forcave të atyre dhe shtyrja në brendësi të Kosovës”.

Komandanti i operacionit “Shigjeta” deklaroi se forcat serbe kanë pësuar humbje të mëdha në këtë operacion të cilin e kanë cilësuar si tmerri i Pashtrikut.

“Ne me sulmin në malet e Pashtrikut kemi arritur që edhe t’i lidhim të gjitha forcat e armikut që ka lehtësuar edhe bombardimet e NATO-s. Kemi pasë edhe na humbje. Në gjithë operacionin “Shigjeta” janë vrarë 18 ushtarë dhe janë plagosur 57, edhe pse forcat serbe përmendin me qindra e mijëra, po ato nuk janë të vërteta dhe kanë ndodhur në radhët e tyre. Radhët tona kanë pasë humbje minimale në krahasim me madhësinë dhe gjerësinë e frontit, derisa armatimi ka qenë i lehtë”.

Burimi i lajmit: Epoka e Re