Ish-kreu i Gjilanit me bashkëpunëtorë para gjykatës me dyshimin për keqpërdorime në 18 tenderë – KOHA.net

Ka nisur gjykimi ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 36 të akuzuarve tjerë, në lidhje me akuzat për korrupsion me tenderë.

Procedura e administrimit të provave në këtë rast ka nisur në seancën e 26 majit, pasi të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Pas heqjes dorë nga leximi i aktakuzës, të gjithë të akuzuarit kanë mohuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, për shkak të numrit të madh të akuzuarve dhe mbrojtësve, seancat në këtë rast po mbahen në Ministrinë e Drejtësisë, në Prishtinë, për shkak të hapësirës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në Komunën e Gjilanit janë bërë dallavere me 18 tenderë, për çka po akuzohet ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 27 zyrtarë tjerë komunal.

PSRK pretendon se të akuzuarit kanë bërë kurdisjen e tenderëve, me qëllim që ato t’i fitojnë disa biznese të caktuara, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë, dëmtim të buxhetit, përmes ekspertizës financiare, kanë konstatuar ekspertët e caktuar nga Gjykata e Themelore e Pejës, Hysni Selmanaj dhe Ukë Sadikaj.

Gjithsej 18 tenderë janë përfshirë në ekspertizë financiare me urdhrin e gjykatës në fjalë, për të vlerësuar nëse dhënia e tyre ishte bërë në përputhje me rregullat e prokurimit publik dhe nëse ka pasur dëmtim të buxhetit të Komunës së Gjilanit.

Burimi i lajmit: Koha.net

Author: admin