Janjiq nuk e pranon Kurtin në vizitë (VIDEO)

Njëherë për njëherë Manastiri i Deçanit nuk do t’i hap dyert për vizitën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Një ditë pasi që u bë publike letra dërguar kryemurgut të kësaj faltoreje, Sava Janjiq, ku Kurti shfaqi dëshirën për vizitë e bisedë rreth përkushtimit të Qeverisë në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, nga Kisha Ortodokse Serbe, tërthorazi i thanë JO kësaj letre.

Dioqeza Rashkë-Prizren në një komunikatë, thonë se detyra e parë që duhet ta plotësojë Kurti në raport me KOS-in është jetësimi i një Aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës .

Bëhet fjalë për aktgjykimin e vitit 2016, që i njeh pronësinë Manastirit të Deçanit në tokat përreth, njofton Klan Kosova.

“Për më tepër, Ministri i Planifikimit Hapësinor nga qeveria e Kurtit publikisht e refuzoi vendimin e Komisionit për Zona të Veçanta të Mbrojtura nga nëntori i vitit 2020 mbi ndërtimin e një bajpasi përreth zonës së mbrojtur të Manastirit. Duke minuar këtë vendim, i cili u mor me ndërmjetësimin ndërkombëtar, praktikisht po kërkohet shkelja e ligjit për zonat e mbrojtura. Në këtë situatë, përgjigja ndaj letrave të tilla, pa treguar më parë respekt për vendimet e gjykatës dhe sundimin e ligjit, është plotësisht e pakuptimtë “, thuhet në sqarimin e Dioqezës.

Letra për Igumanin dhe ajo tjetra me anë të të cilës kryeministri Albin Kurti bashkë me presidenten Vjosa Osmani e kryeparlamentarin Glauk Konjufca e dërguan në UNESCO, u bë shkas për një takim urgjent në Beograd.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, thirri në takim kreun e Kishës Ortodokse Serbe prirë nga partiarku Porfirije.

Pas drekës ku mori pjesë edhe presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, Vuçiq tha se “Kurti po tenton që ta paraqesë trashëgiminë kishtare ortodokse si kosovare e jo siç është në realitet trashëgimi e qartë e Serbisë”.

Drejtori i Fondacionit “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” Sali Shoshi thotë se zyrtarët kosovarë duhet të vazhdojnë të kërkojnë kontakt të ngushtë me klerin e Kishës Ortodokse Serbe.

Manastiri i Decanit u bë top temë pasi që Organizata “Evropa Nostra” e përfshiu atë në mesin e shtatë monumenteve më të rrezikuara. Me këtë cilësim nuk u pajtuan udhëheqësit e shtetit kosovar.

“Autoritetet e Kosovës të cilat mbrojnë trashëgiminë kulturore. Kjo gjë duhet të kuptohet nga krerët e Manastirit të Deçanit që duhet të bashkëpunojnë më ngushtë edhe komunitetet lokale që e rrethojnë”, tha Shoshi.

Mbi temën për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore më, specifikisht asaj ortodokse në tokën e Kosovës, Kurti u shkroi 52 liderëve botërorë, përfshirë këtu kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq.

[embedded content]

klankosova.tv

Burimi i lajmit: Klan Kosova

Author: admin