Kaos në Qendrën e vaksinimit “1 Tetori” – KOHA.net

Radhë të gjata të qytetarëve e përpjekje të policisë për ta mbajtur nën kontroll masën e tubuar, janë parë mëngjesin e së premtes para Qendrës së vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë.

Për disa orë rresht, qytetarë të shumtë, kryesisht të moshës mbi 65 vjeç, i kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë, madje edhe duke u shtyrë me ata pak pjesëtarë të policisë, në përpjekje për ta siguruar një numër për të hyrë në radhë për vaksinimin.

“Valla kena pritë shumë e kallaballëk ka pasë. Në fillim jam frikësu për gruan se kjo është me sëmundje, por depërtuam. Brenda atje qe shumë mirë”, ka thënë një i moshuar i cili u vaksinua pas disa orë pritjeje bashkë me gruan e tij.

“Qe një orë e gjysmë jemi t’u pritë veç për numër njëherë e për vaksinë s’di ende sa duhet me pritë. Na i kanë dhënë vetëm numrat, jam 703”, ka thënë një tjetër qytetar i Prishtinës.

“Që nja 3 a 4 orë jemi duke pritë. Deri tash jemi rujt nga infektimi e bon vaki tash jemi infektu”, është shprehur i shqetësuar një i moshuar.

E pas pamjeve të transmetuara, institucionet ndërhynë dhe qindra qytetarë u futën brenda sallës në pritje për t’u vaksinuar. Pak minuta më vonë këtu u sollën edhe rrethojat për të siguruar rend gjatë pritjes për vaksinimin. Por, këto rrethoja nuk i hynë në punë policisë këtë të premte. Kjo meqë, vetëm 4 orë pas nisjes së vaksinimit, u ndërpre dhënia e numrave për qytetarët e ardhshëm që po vinin për t’u vaksinuar.

Kjo bëri që një i moshuar të heqë dorë nga vaksinimi.

“ Para mëngjesit kom ardhp me pritë edhe prapë nuk munda. Tash s’po e marr hiç. Le ta marrin këta udhëheqësit e për neve s’ka dert”, ka thënë 67-vjeçari.

E të tjerë që erdhën nga qytete të tjera u kthyen gjithashtu pa u vaksinuar.

“Jemi të Suharekës, nuk kemi marrë numër tash na thanë nesër me ardhë prapë. Është maltretim se na sot duhet 120 kilometra me i bo prapë”, është shprehur një banor i Suharekës.

E dikush të premten këtu erdhi për t’u vaksinuar me vaksinën e “Pfzierit”, por u kthye i pakënaqur, pasi u vaksinua me atë të “Astrazenecës”.

“Kom desht me marr ‘Pfizer’ unë e di që, por u detyrova me marrë të “Astrazenecës”. Ia dhanë edhe shoqes… Nuk jam i kënaqur me këtë”, ka thënë ai.

Distanca mes qytetarëve nuk u respektua as brenda qendrës së vaksinimit. Përkundër hapësirës së madhe dhe vendeve të lira, shumica e atyre që prisnim ishin ulur afër njëri-tjetrit.

E përkundër njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë se në orën 12 të ditës do të mbahej konferenca lidhur me procesin e vaksinimit, askush prej zyrtarëve të qendrës së vaksinimit nuk dha sqarime.

Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate, i arsyetoi tollovitë e krijuara me ardhjen e shumë qytetarëve nga komunat e tjera. Sipas MSH-së, qytetarët e komunave të tjera duhet t’u drejtohen qendrave të vaksinimit në komunat e tyre dhe t’i shmangin grumbullimet para qendrave të vaksinimit.

Burimi i lajmit: Koha.Net

Author: admin