May 19, 2022

KleaBe

ALL HERE FOR YOU

Kosova rrit eksportin në SHBA – Sinjali

2 min read

Kompanitë e Kosovës kanë arritur të eksportojnë mallra në Shtetet e Bashkuara në vlerë 30 milionë euro në katër muajt e këtij viti, për dallim me vetëm 2 milionë sa ishte në periudhën e njëjtë në vitin e kaluar.

Zëdhënësi i Doganës
së Kosovës, Adriatik Stavileci,  tha për
Radio Evropa e Lirë se në vitin 2019, e gjithë vlera e eksporteve nga Kosova në
SHBA ishte vetëm 3 milionë euro.

Kësaj rritje të
eksportit i ka kontribuar statusi preferencial tregtar, që Kosova gëzon me
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, status ky që i lejon dërgimin e mallrave të
liruara nga detyrimet doganore, me qëllim të promovimintë të rritjes ekonomike
në shtetet në zhvillim.

Janë rreth 3,500
produkte nga sektorë të ndryshëm, që Kosova mund t’i eksportojë në ekonominë më
të madhe të botës, pa pasur nevojë të paguaj taksa.

Arsyeja e rritjes
se eksportit të produkteve “ Made in Kosova” në Shtetet e Bashkuara të
Amerikës, është shfrytëzimi i çrregullimeve që janë krijuar në zinxhirin e
furnizimit global, përgjatë viteve të fundit, sidomos pas shpërthimit të
pandemisë se shkaktuar nga koronavirusi, tha Arian Zeka, drejtor ekzekutiv në
Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK).

Arian Zeka fton
kompanitë prodhuese dhe përpunuese nga Kosova, që të shfrytëzojnë statusin
preferencial tregtar që Kosova gëzon me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në
kuadër të të ashtuquajturit Sistem i Përgjithësuar i Preferencave (GSP), për të
eksportuar produktet e tyre në SHBA.

“Oda Amerikane ka promovuar vazhdimisht për përfitimet e këtij aranzhimi preferencial të njëanshëm, që është përkrahje për eksportet e Kosovës në SHBA. Dhe tashme jemi të lumtur që po shohim edhe rezultate konkrete në këtë aspekt”, thekson Zeka për REL.

GSP është program tregtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili lejon importe të liruara nga detyrimet doganore të mallrave nga shtetet përfituese, me qëllim promovimin e rritjes ekonomike në shtetet në zhvillim. Rreth 3,500 produkte nga sektorë të ndryshëm nga Kosova, janë të pranueshme për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pa paguar taksë. /Gazeta Sinjali/

Burimi i lajmit: Gazeta Sinjali