January 19, 2022

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Kurti: Nuk besoj që ka luftëtarë të UÇK-së që janë kriminelë të luftës – KosovaPress

4 min read

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se ai nuk beson që ka luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që janë kriminelë të luftës por që beson që kriminelë të luftës nuk ka vetëm në Serbi por ka edhe në Veri të Kosovës, në Bosnje e ndoshta edhe në Mal të Zi. Kështu deklaroi Kurti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, kur u pyet edhe njëherë nga shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ableard Tahiri se kush janë kriminelët e luftës në Kosovë e që duhet të largohen nga institucionet.

[embedded content]

Kurti tha edhe se këto deklarata nuk i ka bërë për të parën herë në Bruksel dhe se nuk i kupton reagimet e bëra nga opozita. Megjithëkëtë, i pari i Qeverisë tha se problemi më i madh i qeverisë është paaftësia e opozitës për kritikë.

“Pa numër herë edhe në këtë Kuvend por edhe në media në këto vitet e fundit unë kam folur për kriminelët e luftës dhe paqe. Nuk e kam thënë për herë të parë në Bruksel. Po ta bëja për herë të parë do mund të bënte ndonjë nën pyetje ndokush. Por e kam thënë pa numër herë. Serbia po e dinë për kë e kam fjalën, Brukseli po e dinë për kë e kam fjalën. S’di pse lajmërohen disa në Kosovë kot për së kot. Unë nuk besoj që ka luftëtarë të UÇK-së që janë kriminelë të luftës, por unë besoj që kriminelë të luftës nuk ka vetëm në Serbi, por ka edhe në Veri të Kosovës, ka edhe në Bosnje, ndoshta ka edhe në Mal të ZI. Aty nuk kam folur me shtetet, kam folur për rajonin sepse darka e punës nuk ishte bilateralë ishte mulateralë”, tha Kurti.

Kurti derisa kritikoi opozitën për paaftësi për kritikë, ai shprehi gatishmërinë për t’iu dhënë ide që ta kritikojnë qeverisjen e tij.

“Por më lejoni të them se unë këtu shoh një lloj paaftësie për të na bërë kritikë dhe ky është problemi dhe rreziku më i madh për qeverinë tonë është mungesa e kritikës. Ne nuk kemi rrezik tjetër. Ju keni nevojë ose për paragjykim ose për shpifje që të na bëni kritikë që duke qenë që bazohet në shpifje ose paragjykim nuk është më e tillë. Ky është problemi jonë, sepse ju duket nuk konsideroni problem. Ne kemi problem të madh me ju sepse ju jeni të paaftë të bëni kritikë. Qeverisja demokratike ka nevojë për kritikë të opozitës të cilën ne nuk po e shohim e as nuk po e dëgjojmë andaj më lejoni ta shprehi gatishmërinë time për bashkëpunim në këtë drejtim. Unë mund të iu jap mund të jap edhe ide se si të na kritikoni mirëpo ju duhet ta kërkoni një gjë të tillë. Unë nuk bëjë ofertë pa kërkesë. Prandaj, ju ofroj bashkëpunimin tim që ju të kërkoni ide për kritikën që ta bëni ju e të na ndihmoni që qeveria të jetë demokratike. E nëse ju na bëni kritikë vetëm duke shpifur e paragjykuar kjo tregon paaftësinë tuaj për kritikë. Dhe me të vërtetë në muajt dhe vitet në vijim, rreziku më i madh i qeverisjes”, tha ai.

Kjo deklaratë nxiti reagimin e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Ableard Tahiri. Ai tha se halli i qytetarëve nuk është paaftësia e opozitës por paaftësia e qeverisë për të udhëhequr vendin në të ardhmen.

“Nga paaftësia juaj për të prezantuar një program dhe një viziton të qartë zhvillimit të këtij vendi për katër vitet e ardhshme ju i jeni kthyer me kritika opozitës, por ne ju kuptojmë nuk është problem por halli i qytetarëve nuk është paaftësia e opozitës por paaftësia e qeverisë sepse ju keni me qeveris vendin në katër vitet e ardhshme. Ajo sa i përket deklarimit tuaj vërtetë është për marrë se ju në start keni treguar njëfarë kompleksiteti të inferioritetit ndaj Aleksandër Vuçiq ai ka qenë pjesë e një regjimi që ka kryer krime në Kosovë, ata kriminelë munden me u fsheh në veri por nuk janë të Kosovë, mund të fshehin në Bosnje por janë kriminel të regjimit të Millosheviqit”, potencoi Tahiri.

Burimi i lajmit: Kosova Press