December 4, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

LDK-ja s’flet për ftesën e Kurtit, e kritikon për programin qeverisës – KOHA.net

3 min read

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka pranuar të deklarohet lidhur me paralajmërimin e kryeministrit Albin Kurti ditë më parë se për bisedimet me Serbinë do të diskutojë me partitë në opozitë.

Kryeministri Kurti, në një konferencë pas mbledhjes së qeverisë, të premten e javës së kaluar kur edhe ka miratuar programin qeverisës, ka bërë të ditur se synon që të koordinohet me partitë në opozitë para se të udhëtojë në Bruksel muajin që vjen, për takimin e parë me Serbinë në kuadër të dialogut.

LDK-ja të shtunën nuk ka treguar nëse do ta pranojë ftesën e Kurtit për takim me arsyetimin se është fokusuar në qëndrimet e këtij subjekti në lidhje me programin qeverisës.

“Ne së shpejti do të organizojmë edhe konferencën për media që ka të bëjë me dialogun dhe politikën e jashtme dhe do t’u përgjigjemi pyetjeve që kanë të bëjnë me këtë çështje”, ka thënë zëdhënësja Sibel Halimi, pasi është pyetur nga gazetarët.

Në konferencën ku kritikuan qasjen e qeverisë Kurti karshi sistemit të drejtësisë, rendit e ligjit, LDK-ja ka thënë se partia në pushtet premtimet e bëra i ka pasur sa për të bërë fushatë pasi nuk ka ndonjë plan konkret për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.

Duke folur për procesin e paralajmëruar të vettingut, Shkëmb Manaj nga kjo parti ka thënë se ekzekutivi nuk ka as ide e as plan për këtë proces.

“Kjo çështje është përdorur për interesat politike sa ishin në opozitë e tani në pushtet ngase është prezantuar deri më tani mund të shihet si tentim për t’i kapur organet e drejtësisë e aspak si reformë thelbësore me qëllim të fuqizimit të institucioneve të drejtësisë”, ka thënë ai.

Derisa ka renditur kritikat edhe për çështjet e tjera që lidhen me rendin e ligjin, Manaj ka thënë se në programin qeverisës, Qeveria nuk ka paraparë asnjë masë konkrete për integrimin e veriut.

“Partia në pushtet sa ishte në opozitë trumbetonte se kur do të vinte në pushtet do të shtrinte autoritetin e vet në veri të Kosovës prandaj duhet t’u shpjegojë qytetarëve të Republikës së cilat janë masat që i kanë ndërmarrë në shtrirjen e këtij autoriteti”, ka thënë ai.

Ndonëse ka përkrahur nismën ligjore të qeverisë për konfiskimin e pasurisë së fituar jashtëligjshëm, LDK-ja ka pasur disa kritika.

Sipas kësaj partie, qasja karshi kësaj çështjeje është më shumë për legalizimin e pasurisë kriminale sesa për konfiskimin e saj.

Kritikat ndaj programit të qeverisë, LDK-ja i ka renditur edhe atë lidhur me mungesën e një plani për Policinë e Kosovës, për pensionimin e hershëm të zyrtarëve ligjorë e për mungesën e ofrimit të sigurimit shëndetësor.

Shqetësuese kjo parti e ka parë edhe mosplanifikimin e ekzekutivit për anëtarësim në INTERPOL e organizatat e tjera të sigurisë e për mungesën e strategjisë kombëtare për trajtimin e krimeve të luftës.

LDK-ja konsideron se në planin e saj katërvjeçar, Qeveria është dashur të përfshijë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, për shkak se në shtator të këtij viti përfundon moratoriumi njëvjeçar i dalë nga marrëveshja e Washingtonit për të mos ndërmarrë iniciativa të tilla.

Takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë pritet të mbahet në muajin qershor. Paraprakisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pritet të takohen javën tjetër në Bruksel, në kuadër të takimit të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Joseph Borrell, me liderët e Ballkanit Perëndimor.

[embedded content]

Burimi i lajmit: Koha.Net