January 19, 2022

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Mafiozi turk që u strehua në Kosovë po trazon qeverinë e Erdoganit – Sinjali

8 min read

Pretendimet e një bosi të mafias, Sedat Peker, për korrupsion midis zyrtarëve të lartë të Turqisë kanë trazuar politikën turke dhe po kërcënojnë imazhin e qeverisë së presidentit, Recep Tayyip Erdogan, e cila tashmë është duke u përballur me krizën ekonomike dhe pandeminë e COVID-19. Peker një kohë ka qenë i strehuar edhe në Kosovë.

Peker nuk ka
ofruar asnjë fakt për akuzat e tij. Besohet se ai aktualisht gjendet në Dubai.

Cilat janë akuzat e Peker?

Përmes një sërë
publikimesh të videove në rrjetet sociale, javët e fundit, Peker, ka bërë
pretendime për korrupsion, trafik droge dhe fshehje të vrasjeve ndaj figurave
të partisë në pushtet në Turqi duke thënë se ka pasur lidhje të ngushta mes
zyrtarëve të lartë turq me persona të nëntokës, transmeton agjencia Asocciated
Press (AP).

Pretendimet e tij
kthehen dekada më parë në ngjarje dhe ai nuk ofron asnjë fakt për ato. Por,
përmes monologjeve të tij që zgjasin me orë në videot e publikuara, ai e
portretizon veten si një sinjalizues. Publikimet ndodhin në një kohë jo të
favorshme për presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, partia e të cilit
tashmë ka shënuar rënie të përkrahjes në bazë të hulumtimeve të opinionit,
shkruan The Guardian.

Edhe pse mediave
tradicionale turke – të cilat janë nën kontroll të plotë nga shteti – iu desh
kohë të regjistrojnë shtatë episodet e videove të publikuara nga Peker në
Youtube – nga 12 të premtuara në total – në platforma të ndryshme në internet,
megjithatë, videot kanë arritur të kenë më shumë se 30 milionë shikime.

I ulur në një
tavolinë në një dhomë hoteli, me një qafore ari rreth qafës dhe libra e shënime
të vendosura me kujdes para tij, Peker ka folur për shumë tema dhe persona,
duke ofruar dëshmi dramatike të krimeve të kryera në emër të zyrtarëve të
zgjedhur, dhe duke përdorur terminologjinë ligjore, e cila po të analizohet
mund të sinjalizojë se pretendimet e tij janë përpiluar në atë mënyrë që mund
të ishin material për në gjykatë.

Hap pas hapi,
mafiozi turk përmes rrëfimit të tij ka krijuar një pamje të bashkëpunimit të
gjerë midis rrjeteve të krimit të organizuar dhe zyrtarëve të lartë në Turqi.

Ai deri më tani e
ka shënjestruar kryesisht ministrin e Brendshëm të Turqisë, Suleyman Soylu.

Në video, bosi i
krimit të organizuar pretendoi se ka pasur një marrëdhënie të ngushtë me
ministrin e Brendshëm Soylu, i cili, siç thotë, i ofroi atij informacione të
sigurisë dhe e paralajmëroi për një hetim ndaj grupit të tij.

Peker gjithashtu pohoi
se Soylu kishte kërkuar ndihmën e tij në një përpjekje për të mposhtur një grup
rival brenda partisë në pushtet (Partia për Drejtësi dhe Zhvillim). Në disa
intervista televizive, Soylu, ka mohuar pretendimet.

Presidentja e
Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian,
Charles Michel dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Në videon e tij
të fundit, Peker e ka akuzuar, Erkam Yildirim, djalin e ish-kryeministrit
Binali Yildirim, se kishte udhëtuar në Venezuelë për të gjetur rrugët e
mundshme të kontrabandës së narkotikëve. Ish-kryeministri, Binali Yildirim, e
mohoi duke këmbëngulur se djali i tij, i cili udhëheq një kompani transporti,
kishte udhëtuar në Karakas me një mision humanitar për të shpërndarë mjete dhe
teste kundër COVID-19.

Bosi i mafias ka
akuzuar edhe ish-ministrin e brendshëm, Mehmet Agar dhe djalin e tij Tolga
Agar, një ligjvënës nga Partia në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim. Peker
pretendoi se Tolga Agar ishte përfshirë në përdhunimin dhe vdekjen e dyshimtë
të një gazetareje kazake, Yeldana Kaharman. Ligjvënësi Agar i ka hedhur poshtë
akuzat.

Peker ka thënë
gjithashtu se një ish-nënkolonel dhe një zyrtar i lartë i shërbimit turk të
inteligjencës (MIT) urdhëroi vrasjen e një gazetari turk qipriot më 1996.

Peker pretendon
se ka qenë i përfshirë në krime, duke thënë se njerëzit e tij sulmuan zyrat e
një gazete më 2015 dhe kërcënuan akademikë që kërkonin paqe në konfliktin e gjatë
të Turqisë me partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Reagimet e Erdoganit

Presidenti turk,
Recep Tayyip Erdogan tha të mërkurën (26 maj) se akuzat e Peker janë një
komplot kundër Turqisë. Ai u zotua se do të luftojë bandat kriminale.

Erdogan tha se ai
e mbështet ministrin e Brendshëm, Suleyman Soylu.

Presidenti turk e
quajti publikimin e videove si një “operacion dinak” ndaj udhëheqjes së tij dhe
Turqisë.

“Ne do t’i
shkatërrojmë këto lojëra dhe komplote. Ne do t’i ndjekim anëtarët e bandave
kriminale kudo në botë”, tha Erdogan, në një fjalim drejtuar anëtarëve të
partisë së tij në pushtet.

Peker, i cili
besohet se jeton aktualisht në Dubai, nuk ka ofruar deri më tani prova për të
mbështetur pretendimet e tij.

Opozita turke ka
bërë thirrje që të hetohen pretendimet e Peker.

Ahmet Davutoglu,
një udhëheqës i partisë së opozitës dhe ish-aleat i Erdoganit që kishte
shërbyer si kryeministër nga 2014 deri më 2016, bëri thirrje për një hetim
parlamentar të akuzave dhe vuri në dyshim mbështetjen e presidentit për
ministrin Soylu.

“Nëse Presidenti
Erdogan beson në pafajësinë e Soylu, ai duhet ta kishte thënë këtë në ditën e
parë. Jo pas 25 ditësh”, tha Davutoglu.

Akuzat e mafiozit
Peker ende nuk e kanë prekur “Vëllain Taip”, siç e quan ai
presidentin. Por, shënjestrimi i rrethit të tij të ngushtë jep sinjale se
Erdogani do të jetë objektivi përfundimtar.

“Çështja e
legjitimitetit ose pozicionit të Peker nuk justifikon heshtjen ose
pandëshkueshmërinë”, i tha AFP-së, Erol Onderoglu, përfaqësuesi i Turqisë
për Reporterët pa Kufij.

Kush është Sedat Peker dhe lidhjet e tij me
Kosovën

Peker, 49 vjeç,
ka mbajtur disa dënime me burg në Turqi.

Peker besohet se
ishte arratisur nga Turqia vitin e kaluar pasi filloi një operacioni kundër
grupit të tij.

Është e paqartë
se pse bosi i mafias, i cili e ka mbështetur Erdoganin duke organizuar tubime
politike në favor të tij dhe duke bërë kërcënime kundër kundërshtarëve të tij –
është kthyer kundër qeverisë.

Peker pohon se ai
u detyrua të flasë pasi gruaja dhe dy vajzat e tij u keqtrajtuan gjatë një
sulmi të policisë në shtëpinë e tyre.

Radio Evropa e
Lirë më 15 prill ka bërë një hulumtim në lidhje me të kaluarën e Sedat Peker
dhe lidhjet e tij me Kosovën.

Peker i cili në
Turqi konsiderohet si një ndër personat më të rëndësishëm të ‘operacioneve
mafioze’ që nga vitet e 90-ta, në dy vjetët e fundit ka gjetur strehim edhe në
Kosovë dhe vendet të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Peker e ka një
leje të përkohshme qëndrimi në Kosovë, e së fundmi, ai është pajisur edhe me
një pasaportë të Maqedonisë së Veriut, me identitet të rremë. Gjatë qëndrimit
në Kosovë, disa herë është takuar me disa zyrtarë nga Kosova.

Në një shkrim të
publikuar në muajin shkurt të vitit 2019, organizata Nordic Monitor e
përshkruan Pekerin si personin më të fuqishëm të mafias turke. Nordic Monitor
është një faqe lajmesh në internet dhe faqe përcjellëse, që drejtohet nga
Rrjeti Nordik i Kërkimeve dhe Monitorimit me qendër në Stokholm. Kjo media
mbulon lëvizjet ekstremiste fetare, ideologjike e etnike dhe grupet radikale,
me një fokus të veçantë në Turqi.

Në vitin 1997,
Peker u akuza për një vrasje që bëri që ai të largohej drejt Rumanisë, por pak
muaj më vonë, një gjykata në Turqi e shpalli të pafajshëm.

Siç raporton BBC
në gjuhën turke, një hetim i nisur kundër krimit të organizuar në fillim të
viteve 2000, çoi në arrestimin e Pekerit pesë vjet më vonë.

Në fund të
procesit gjyqësor, Peker u dënua me 14 vjet burgim për veprën penale “Formimi i
një grupi të armatosur terrorist”, por dënimi iu reduktua dhe ai u lirua në
vitin 2014.

Pas largimit nga
Turqia, në dy vjetët e fundit, Peker gjeti strehim herë në Mal të Zi, herë në
Shqipëri, herë në Maqedoni të Veriut e pjesërisht edhe në Kosovë, ku ende ka
një leje të përkohshme qëndrimi me të cilën u pajis në vitin 2014.

Leja e tij e
qëndrimit është valide deri më 29 dhjetor, 2021.

Sipas Ministrisë
së Punëve të Brendshme të Kosovës, për herë të fundit Peker ka hyrë në
territorin e Kosovës më 18 janar, 2021 dhe është larguar në drejtim të Shqipërisë
pas vetëm dy ditësh.

Mediat në
Maqedoni të Veriut kishin raportuar se Peker ishte arrestuar të njëjtën ditë
për shkak të shkeljes së lejes së qëndrimit dhe se ai ishte deportuar për në
Kosovë.

Asokohe u
raportua se Sedat Peker kishte shtetësi të Kosovës, gjë që u mohua nga Ministria
e Punëve të Brendshme.

Në muajin janar
të këtij viti, përmes një reagimi, MPB-ja sqaroi se Sedat Peker nuk kishte nënshtetësi
të Kosovës, por konfirmoi se ai ka një leje qëndrim të përkohshëm, me të cilën
ishte pajisur në vitin 2014.

Radio Evropa e
Lirë, më 12 prill, 2021, ka dërguar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të
Kosovës disa pyetje sa i takon mënyrës së pajisjes me leje të përkohshme të
qëndrimit, evidencat e hyrje-daljeve në territorin e Kosovës si dhe faktin nëse
Peker po hetohet nga institucionet e Kosovës.

MPB-ja është
pyetur gjithashtu nëse autoritetet e Maqedonisë së Veriut apo Turqisë kanë
kërkuar bashkëpunim me Kosovën për të identifikuar vendndodhjen e Pekerit.

Ky institucion
nuk është përgjigjur. Njëjtë ka vepruar edhe Prokuroria e Shtetit.

Në një përgjigje
të shkurtër ka dhënë Policia e Kosovës. Ky institucion, më 13 prill, 2021, ka
thënë se nuk mund të ndajë informacione për hyrje-daljet e Sedat Pekerit, pasi
kjo sipas tyre, kjo bie ndesh me Ligjin e të dhënave personale.

Gjatë qëndrimit
në Kosovë, Peker është takuar edhe me politikanë të atjeshëm. Fikrim Damka,
udhëheqës i Partisë Demokratike Turke në Kosovës, tani ministër i Zhvillimit
Rajonal, në të kaluarën ka pasur disa takime me Sedat Pekerin. Në internet
gjenden disa fotografi në të cilat Peker shihet i shoqëruar nga ministri Damka.

Në njërin nga
takimet që u zhvillua mes Pekerit dhe Damkës, i pranishëm ka qenë asokohe edhe
ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Yildiray Bayram, që po
ashtu është pjesëtar i komunitetit turk në Kosovë.

Në vitin 2019, Peker ka vizituar edhe Komunën e Mamushës, komunë kjo që banohet kryesisht nga pjesëtarë të komunitetit turk. Aty është pritur zyrtarisht nga kryetari i kësaj komune, Abdylhadi Krasniç.Gjatë një vizite tjetër në Kosovë, Peker, kishte takuar edhe kryetarin e Hanit të Elezit, Rufki Suma. Në një reagim të tij, Suma kishte mohuar të ketë njohur apo pasur informacione për Sedat Pekerin para se ta takonte.

/GazetaSinjali/

Burimi i lajmit: Gazeta Sinjali