Makolli nga Kizhevaku: Kërkojmë përgjigje edhe për 11 lokacione të tjera që mund të ketë trupa të varrosur – Sinjali

Kryetari i Grupit Punues të Delegacionit të Kosovës për Persona të Zhdukur, Ibrahim Makolli, ka qëndruar në Kizhevak të Serbisë, aty ku është përmbyllur procesi i zhvarrosjes së mbetjeve mortore të viktimave nga lufta e fundit në Kosovë, transmeton Gazeta Sinjali.

Është konfirmuar se në
këtë lokacion janë gjetur nëntë trupa të personave të zhdukur.

Makolli para medieve
është shprehur se ndaj këtyre njerëzve është bërë krim i trefishtë; vrasje dhe
masakrim, zhvarrosje dhe fshehja e tyre për 21 vjet me radhë.

“Qëllim ka qenë fshehja e gjurmëve të krimit”.

“Sikurse dihet tashmë vazhdojmë të kemi edhe mbi një mijë e 600 persona të zhdukur për fatin dhe vendndodhjen e të cilëve nuk dihet. Ka edhe një numër të lokacioneve të dyshuara në Serbi që besojmë se do të trajtohen në muajt dhe javët e ardhshme. Ka dyshime për 16 varreza masive të të vrarëve dhe masakruarve dhe ky është lokacioni i pestë. Kërkojmë përgjigje edhe për 11 lokacione të tjera që mund të ketë trupa të të vrarëve”, është shprehur Makolli.

Makolli ka pohuar se
varreza masive në Kizhevak ka lidhje edhe me atë të zbuluar më 2014 ku ishin
identifikuar 54 trupa të shqiptarëve të vrarë në Masakrën e Rrezallës.

“Ka ndërlidhje sepse në dy indetifikime të deritashme j,anë identifikuar viktima të Masakrës së Rrezallës. Vërehet që ka pasë planifikim të mirë jo vetëm për vrasjen e tyre por edhe zhdukjen e kufomave. Sjellja në territorin e Serbisë e dëshmon këtë”.

Ai ka shtuar se kriminelët që kanë kryer këto krime duhet të dalin para drejtësisë. /Gazeta Sinjali/

Burimi i lajmit: Gazeta Sinjali

Author: admin