December 4, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

“Manipulim i shifrave të të infektuarve me COVID”, apo “teori konspirative”

4 min read

Qeveria e Kosovës është akuzuar se po manipulon numrat e të infektuarave me Coronavirus meqë ditë të fundit kanë rënë shumë shifrat, por në terren asgjë nuk ka ndryshuar.

Kosova mbetet vendi i fundit në rajon sa i përket procesit të vaksinimit dhe deri tani janë vaksinuar vetëm 3.2 për qind e popullsisë.

Madje, në mbledhjen e fundit të Komisionit për Shëndetësi, lidhur me këtë çështje ka pasur përplasje mes kryetares së komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, dhe ish-ministrit të kësaj fushe nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.

Ky i fundit edhe më parë, në një emision televiziv ka deklaruar se ka marrë informacione të cilat hedhin dyshime në fshehjen e numrit të viktimave dhe të infektuarve.

Sipas tij, nëse evidentohet një gjë e tillë është “skandaloze”.

“Kam kërkuar që këto informacione zyrtare të përcillen përmes shtabeve emergjente. Sot kam komunikuar me disa zyrtarë të komunave dhe familjarët e tyre kanë adresuar që X personi ka vdekur nga infektimi dhe nuk është pasqyruar në statistikat e dhëna të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike”, ka thënë Zemaj.

Jo vetëm dyshime, por i bindur se numrat e të infektuarve po fshihen është deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh anëtar i Komisionit për Shëndetësi, Bekim Haxhiu.

Ai në një prononcim për Gazetën Online Insajderi thotë se për t’u vërtetuar një gjë e tillë mjafton të vizitohet kujdesi intensiv qendror në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.

“Ju inkurajoj që të shkoni dhe t’i shikoni emrat e pacientëve të vdekur nga COVID-19. Do ta shihni se nuk janë të raportuar nga IKSHPK-ja. Mu kanë ardhur dhe më kanë raportuar që kanë vdekur dy pacientë nga Gjilani që kanë qenë të infektuar dhe të njëjtit nuk figurojnë në raportin e IKSHPK-së. Kanë qenë duke u trajtuar në Intensivë”, deklaron Haxhiu.

Këtyre akuzave u është përgjigjur kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Ajo në një prononcim për Insajderi-n thotë se “nuk merrem me teori konspirative”.

“Janë spekulime dhe më vjen keq që bëhen nga dikush që deri dje ka qenë vetë ministër. Ata (Zemaj dhe Haxhiu) e dinë fare mirë se deklaratat e tyre janë të paqëndrueshme”.

Por, se ka raportim jo të saktë të shifrave e thotë edhe infektologu, Ilir Tolaj, megjithatë mendon se nuk po bëhet qëllimisht.

“Raportimi i saktë, jo vetëm për rastet me Covid-19, por në përgjithësi për çdo gjë, nuk është ana e fortë e vendit tonë. Fakti që mungojnë sisteme adekuate të mbikëqyrjes lë vend për improvizime, duke bërë që raportimet të jenë ose të pasakta ose të vonuara”, pohon ai për Insajderi-n.

Sipas tij, situata e volitshme epidemiologjike “nuk është meritë e menaxhimit adekuat të pandemisë nga ana e autoriteteve te vendit, por është meritë kryesore dhe ndoshta e vetme e strukturës demografike të popullatës tonë”.

Tolaj shton se numri i rasteve të reja ka rënë ndjeshëm pasi “tashmë ka përfunduar vala e tretë e pandemisë, duke lënë pas vetes të infektuar pjesën më të madhe të popullsisë”.

“E vlerësoj se deri tash, në forma të ndryshme, me ose pa simptoma, mbi 60% e popullatës së Kosovës mund ta kenë kaluar Covid-19, duke lënë pas vetës një imunitet kolektiv të mjaftueshëm për ta penguar përcjelljen e pakontrolluar të virusit, gjë që ka rezultuar edhe me situatën e volitshme epidemiologjike që tash e kemi në vend”.

Megjithatë, paralajmëron se nëse procesi i vaksinimit vazhdon me këtë ritëm, “ka gjasa që pas verës të ketë sërish rritje të numrit, gjithsesi jo në nivelin e valës së fundit.

Sipas tij, mposhtja e pandemisë do të bëhej vetëm nëse autoritetet shëndetësore dhe politike do të siguronin vaksinim masiv të popullatës brenda 4-5 muajve të ardhshëm.

E për të nisur vaksinimi masiv, Tolaj thotë se “duhet të kemi një milion vaksina për periudhën e ardhshme 3-4 muajshe, në mënyrë që të vaksinohen me dozën e dytë së paku gjysmë milioni banorë”./Insajderi.com

Burimi nga Insajder