May 22, 2022

KleaBe

ALL HERE FOR YOU

Në mbrojtje të Minskut, Rusia ndalon uljen e aeroplanëve evropianë në Moskë – KOHA.net

3 min read

Rusia i është kundërpërgjigjur të enjten ndalesës për hyrjen e aeroplanëve në hapësirën ajrore të Bjellorusisë, duke ua mohuar lejen fluturakeve evropiane për kalim mbi Moskë.

Në një përshkallëzim të qartë të situatës nga Kremlini, autoritetet ruse të aviacionit kanë shtrënguar kompaninë ajrore “Austrian Airlines” që t’i anulojë fluturimet e saj nga Vjena në kryeqytetin rus. “Air Francë” ka anuluar gjithashtu fluturimin Paris-Moskë për të dytën ditë radhazi, pasi që i ishte mohuar leja të enjten për t’u ulur në Rusi, ka raportuar e përditshmja britanike “The Guardian”.

Që të dy aviokompanitë kanë postuar ruta të reja të udhëtimit që e anashkalojnë Bjellorusinë.

Veprimi është ndërmarrë pas “rrëmbimit” të dielën të një avioni të “Ryanair” që fluturonte midis Greqisë dhe Lituanisë dhe arrestimit të dy udhëtarëve në bordin e tij, gazetarit Roman Protasevich dhe të dashurës së tij ruse, Sofia Sapega.

“Air France” dhe “Austrian Airlines” po e ndiqnin rekomandimin e Agjencisë së Bashkimit Evropian për Siguri në Aviacion (EASA). Nuk dihet nëse kundërpërgjigja e Moskës është e përkohshme apo sinjalizon pengesa më afatgjate, të cilat mund të shpijnë drejt kundërmasave ndaj kompanisë ajrore ruse “Aeroflot”.

Kompanitë ajrore, përfshirë “British Airëaysin” dhe “KLM”-në, sipas “Guardianit” kanë mundur të përdorin ruta të reja në fluturimet drejt Moskës.

Organizata e OKB-së për Aviacion Ndërkombëtar Civil do të mbajë një takim lidhur me çështjen në Montreal. Kjo si rrjedhojë e pritjes për ndërmarrjen e hetimeve të ngutshme rreth vendimit të presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko, për uljen e aeroplanit me të cilin fluturonte Protasevichi.

“Këshilli 36-anëtarësh i ICAO-s do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme për ndarjen dhe rishikimin e informatave më të fundit në dispozicion dhe për ta diskutuar uljen e detyrueshme të fluturakes në Minsk”, ka thënë një zëdhënës për “Guardian”.

Ekspertët ligjorë kanë bërë të ditur se hetimet qartazi do të zhvillohen dhe se është i mundshëm përjashtimi i Bjellorusisë nga konventa ndërkombëtare që e lehtëson udhëtimin.

Bjellorusia është akuzuar për shkeljen e kushteve të Konventës, me anë të detyrimit të pilotit të “Ryanairit” për t’u ulur në Minsk duke e përdorur pretendimin e rremë për bombë në bord. Një aeroplan luftarak MiG-29 është angazhuar për ta shoqëruar avionin civil drejt uljes, në atë që e la pilotin pa ndonjë opsion tjetër.

Ministrat e Jashtëm të G7-s, të cilët do të takohen muajin e ardhshëm për një samit në Cornwall, kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të Protasevichit, bashkë me të gjithë gazetarët dhe të burgosurit e tjerë politikë. Ata janë duke i shqyrtuar sanksionet e mëtutjeshme ndaj Bjellorusisë, në rrafshin e potasiumit dhe petokimikateve.

Sipas “Guardian”, ministrat kanë akuzuar Lukashenkon për rrezikimin e sigurisë së pasagjerëve dhe ekuipazhit ndërsa i kanë kërkuar ICAO-s që t’i adresojë menjëherë shkeljet e rregullave dhe standardeve të saj.

Në kundërpërgjigje qeveritë kombëtare u kanë kërkuar aviokompanive që të shmangin hapësirën ajrore bjelloruse ndërsa disa, si në rastin e Mbretërisë së Bashkuar, kanë pezulluar lejet operacionale për “Belavia”, duke ia ndaluar kësisoj kompanisë bjelloruse fluturimin mbi territorin e tyre.

Burime të afërta me Qeverinë në Minsk kanë bërë të ditur për “Guardianin” se Lukashenko do të zhvillojë gjatë së premtes në Sochi bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, aleatin e tij kryesor. Në këtë takim besohet se do të vendoset mbi fatin e Sapegas, por kjo varësisht prej asaj nëse Putini do të intervenojë në emër të saj, ka raportuar të enjten britanikja BBC.

Deri më tani Kremlini nuk ka shfaqur interesim të madh për faktin e arrestimit të saj nga Bjellorusia.

Burimi i lajmit: Koha.net