May 25, 2022

KleaBe

ALL HERE FOR YOU

Neutraliteti politik i sistemeve të sigurisë

5 min read

Shkruan: Arben Dashevci

Para këtij shkrimi urova policinë e Kosovës të rajonit të Mitrovicës së Jugut (Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj) me vlerësimin më pozitiv nga qytetarët nga të gjitha rajonet

  1. Parandalimi I veprave penale
  2. Të kënaqur me punën e policisë Mitrovicë- Jugu
  3. Më së paku korrupsion- Mitrovica -Jugu

Hulumtimi është bërë nga IPK, krenar me policinë e Kosovës- Mitrovicë.

Krenar me qytetin tim Mitrovicën dhe Policinë e Kosovës

Neutraliteti

Në zhvillimin e çdo shoqërie ekzistojnë marrëdhënie shumë komplekse, të ndërlikuara dhe të shumëllojshme të ndikimit ndërmjet nënsistemeve të ndryshme, kështu që në kuadrin e politikës, sistemi politik dhe proceseve politike zhvillohen forma të shumëllojshme të komunikimit dhe ndikimit, të cilat ndonjëherë marrin edhe diskurs negativ.

Në këto koordinata duhet të vështrohet veprimi i sistemit të sigurisë, përkatësisht elementeve themelore të tij (sistemit policor, të mbrojtjes dhe informative), të cilët janë në funksion të mbrojtjes së vlerave dhe interesave vitale të çdo shoqërie demokratike.

Trupat ligjvënëse të kuvendit (Parlamentit) në shoqëritë bashkëkohore nxjerrin ligjet themelore që kanë të bëjnë me sferën e policisë, mbrojtjes dhe informimit. Në këtë nivel duhet të përfundojë ndikimi konkret i politikës, për shkak se veprimi sipas ligjit janë çështje të karakterit operativ e profesional e strukturave të përmendura.

Por, në praktikë, vjen shpesh deri te ndikimet reciproke. Kjo ndikon që organet dhe shërbimet e sigurisë të mos mund të eliminojnë automatikisht dhe në mënyrë profesionale të gjitha rreziqet që ndikojnë në situatën e sigurisë.

Politizimi:

Parlamenti është institucion që e kontrollon punën e organeve ekzekutuese. Por, dobësitë evidente dhe faktorët e shumtë janë ato që ndikojnë në sigurinë e shoqërisë.

Ato bëjnë që përpjekjet për vendosjen e formave të reja të fuqisë shoqërore do të mbeten pjesërisht jashtë kontrollit të mekanizmave  nga ana e institucioneve kompetente.

Politizimi i tyre dhe përfshirja  aktive në rrethanat politike, të sigurisë e të tjera varet para së gjithash nga forma e rregullimit shoqëror.

Orientimi politik i veprimit mbrojtës, sigurues e informativ varet në masë të madhe nga aktorët kryesorë politik-bartësit e forcës politike, të cilët përpiqen të mbrojnë gjendjen ekzistuese.

Pa marrë parasysh mbikëqyrjen parlamentare e të formave të tjera, përvoja historike ka dëshmuar se gjithnjë duhet të ketë kujdes në disa elemente të sistemit të sigurisë.

Duke shfrytëzuar kundërshtitë e theksuara, rrethanat e ndërlikuara politike, të sigurisë e sociale, apatia politike dhe boshllëku, me rrënimin e mekanizmave vlerësues në fushën e politikës, ato mund të mos përbëjnë fondamentin dhe qëllimin përfundimtar të forcës së pushtetit.

E vetmja zgjidhje optimale është neutraliteti politik i sistemit të sigurisë, përkatësisht i elementeve të tij i cili duhet të zhvillohet në kornizat kushtetuese juridike.

Pra këtu bëhet fjalë për veprimin e pavarur në raport me politikën, përkatësisht për distancën kushtetuese juridike dhe ligjore, në mënyrë që në pajtim me synimet civilizuese mund të përfshihen në mënyrë më përmbajtjesore në formulimin dhe zbatimin e programit  social preventive, me qëllim të zvogëlimit të distancës, pra edhe të shërbimit të qytetarëve. Kjo ka të bëjë sidomos me sistemin policor.

Nga sa u tha më lartë : sistemi i sigurisë është i obliguar të jetë lojal ndaj qeverisë së zgjedhur demokratike, pavarësisht nga përbërja politike e saj.

Parimi i neutralitetit politik, i cili është inauguruar dhe i mbështetur me dispozita ligjore kërkon që organet dhe shërbimet e sigurisë, si aparate detyruese të shtetit, gjatë veprimit të tyre konkret të mos thirren në të drejta politike të partive ose institucioneve.

Neutraliteti politik- është element qenësor për vendosje në rrethana të komplikuara të sigurisë ku në plan të parë duhet të jenë aftësitë profesionale dhe vetëbesimi në  veprimin operativ.

Në këso rrethanash duhet të vijë në shprehje autonomia, efikasiteti dhe aftësitë, me ndjenja të zhvilluara për zhvillimet politike paraprake që kanë pasur ndikime në situatën e sigurisë në mënyrë që aktivitetet e tyre të mos marrin konotacione politike të cilat mund të shpien deri te problemet politike, sociale e të tjera në shoqëri.

Çdo shfrytëzim i cilit do element të sigurisë nga ana e politikës në rrethana që para së gjithash nevojitet zgjidhje politike konsiderohet keqpërdorim .

Për këtë arsye organet dhe shërbimet e mbrojtjes nuk guxojnë të veprojnë në vend të politikës, por duhet te veprojnë në mënyrë që është e përcaktuar me kushtetutë dhe me ligj.

Çdo paternalizëm shpreh qartë indikacionet politike të instrumentalizmit të sistemit të sigurisë, i cili nuk mund të marrë mbi vete zgjidhjen e problemeve të karakterit politik.

Për së dyti me radhë në shkrimet e mia po e theksoj thënien e Winston S. Churchill ,që gjithsecili ta kuptojë shkrimin tim se çka  dua të them, dhe ku dua të dal në përfundim:

“Në sferat e larta të punës zbuluese faktet kanë qenë të barabarta me fiksionet më fantastike të romaneve dhe melodramave. Ngatërresë mbi ngatërresë, tradhti mbi tradhtinë, mashtrim dhe mashtrim i dyfishtë, agjent i vërtetë, agjent i rrejshëm, ari dhe çeliku, bombë, thikë dhe skuadër pushkatimi- të gjitha këto kanë qenë të ngatërruara në mënyrë të pabesueshme, por që kanë ekzistuar me të vërtetë. Shefi dhe oficerët e lartë  kanë lëvizur nëpër këto labirinte të nëndheshme dhe e kanë bërë punën e tyre me pasion te heshtur dhe pa asnjë fjalë”.

Burimi i lajmit: Epoka e Re