January 19, 2022

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Nexhat Sahiti, shenjëtari që la prapa 40 garues në Kampionatin Evropian

2 min read

Tre shenjëtarët e Kosovës, Drilon Ibrahimi, Urata Rama- Gagica dhe Nexhat Sahiti, përfaqësuan Kosovën në Kampionatin Evropian të Shenjëtarisë Sportive që po mbahet në Osijek të Kroacisë.

Të tre garuesit garuan të hënën, derisa ai që la mbresa të mira me paraqitjen e tij ishte Nexhat Sahiti, i cili garoi në 10 metra pistoletë ajrore.

Shenjëtari i Klubit “Katana” nga Obiliqi zuri vendin e 43-të nga 83 garues, pesë prej të cilëve u diskualifikuan. Rezultati i Sahitit ishte 570 rrathë. “Gara ka shkuar mirë. Jam i kënaqur deri-diku me rezultatin, por mendoj se kam mundur të kem edhe 2-3 pikë më shumë. Ishte rezultati më i mirë i imi në gara ndërkombëtare, ndërsa në Kosovë kam arritur disa herë rezultat më të mirë”, ka thënë Sahiti për Komitetin Olimpik të Kosovës.

Me këto pikë, Nexhati fitoi MQS-në, që në sportin e shenjëtarisë njihet si “pikët minimale kualifikuese për Lojërat Olimpike”. MQS-ja në këtë disiplinë arrihet me 563 rrathë.

“Isha vetëm nëntë pikë larg vendit të tetë që u kualifikua në finale. Me pak fat kam mundur të jem në finale”, ka shtuar 25-vjeçari, që Kosovën e kishte përfaqësuar edhe në Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018. Ëndrra e tij është pjesëmarrja në Lojërat Olimpike. Nëse kjo ëndërr nuk i realizohet në Tokio 2020, atëherë ai shpreson ta përfaqësojë vendin në Paris 2024. Dy garuesit e tjerë që garuan në Evropian, Ibrahimi dhe Rama Gagica, janë bursistë olimpikë të KOK-ut për LO Tokio 2020. Ibrahimi doli i 75-ti në 10 metra pistoletë ajrore me gjithsej 585.6 rrathë, ndërsa Rama Gagica doli e 93-ta në 10 metra pushkë ajrore, me 590.3 rrathë.

Rama Gagica e mbrojti MQS-në e fituar më herët, ndërsa Ibrahimi MQS-në e kishte fituar në garat e mëhershme. Pikërisht Urata kishte përfaqësuar shenjëtarinë tonë në Lojërat Olimpike Rio 2016, në të cilat kishte marrë pjesë me ftesë nga Komisioni Tre Palësh (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, Asociacioni i Komiteteve Olimpike Kombëtare, Asociacioni i Federatave Ndërkombëtare të Sporteve Verore). Këtë herë i propozuar për këtë ftesë nga KOK-u është Drilon Ibrahimi, që në momentin e propozimit kishte rezultatet më të mira. Lojërat e shtyra olimpike “Tokio 2020” mbahen prej 23 korrik – 8 gusht 2021 në Tokio të Japonisë.

Burimi i lajmit: Epoka e Re