January 20, 2022

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Një ditë para barazhit të Superligës – shpresa në të dyja taboret

3 min read

Një ditë para barazhit të Superligës - shpresa në të dyja taboret

Vendimtarja për të përcaktuar anëtarin e 10 të Superligës për sezonin 2021/22; Foto: KFTrepca89/fb

Kanë mbetur rreth 24 orë para fillimit të ndeshjes që do të përcaktojë edhe skuadrën e fundit pjesëmarrëse në Superligë 2021/22.

A do të arrijë Dukagjini që të shënojë rikthimin në Superligë, apo Trepça’89 do të ruajë anëtarësinë aty edhe për një stinor? Gjithçka do të vendoset në Fadil Vokrri të premten më 28 maj 2021 në përballjen që nis në ora 16:00 dhe do të transmetohet direkt në Artmotion.

Sikurse klinasit, ashtu edhe mitrovicasit shpresojnë në Superligë dhe besojnë në fondin e lojtarëve për të nxjerrë më të mirën nga përballja.

“Qyteti i Klinës ka besim te djemtë e klubit, ndërsa u mbetet atyre në fushë që të vazhdojnë angazhimin maksimal dhe kjo sezonë fantastike në fund t’ju shpërblehet,” është thënë në njoftimin e KF Dukagjinit botuar në Facebook para ndeshjes.

KF Dukagjini

Dukagjini përfundoi i dyti në Ligën e Parë A dhe veçse kaloi një fazë barazhi, duke e eliminuar Flamurtarin që kishte zënë vendin e dytë në Ligën e Parë B. Tash, është finalja përfundimtare për ekipin që po drejtohet suksesshëm nga Armend Dallku.

“Rrugës që i jemi nis nga fillimi, po i vjen fundi. Shpërbleni veten, ktheni klubin ku e ka vendin,” ka shtuar faqja e skuadrës në një postim të fundit para ndeshjes.

Kapiteni Altin Merlaku, pastaj ish-golashënuesi më i mirë i Superligës, Labinot Osmani dhe të tjerë me shokë, besojnë se ekipi do të arrijë triumfin e aq kërkuar ndaj ‘89-shit për të siguruar elitën.

Trepça’89 në anën tjetër drejtuar nga ish-mesfushori i tyre Shpëtim Idrizi po beson gjithashtu në mbijetesë. Mitrovicasit nuk dëshirojnë ta lënë qytetin pa prezencë në Superligë, duke ditur se ekipi tjetër, Trepça veçse është disa vite në Ligë të Parë.

Kapiteni i “minatorëve” Muharrem Jashari, një mesfushor nga i cili pritet shumë në një prononcim të shkurtë të tijin për gazetën Zëri ka thënë se ata janë përgatitur maksimalisht dhe se përkundër që Dukagjini ka skuadër cilësore, besojnë në sigurimin e mbijetesës.

“Jemi përgatitur maksimalisht, pa dyshim që do të jetë ndeshje e vështirë, pasi që Dukagjini ka skuadër cilësore,” ka thënë ndër të tjera Jashari.

Kujtojmë, Trepça’89 përfundoi në pozitën e tetë të renditjes tabelare të Superligës, pozitë kjo e rrezikshme, pasi që siguron mbijetesën vetëm përmes barazhit.

Trepça'89

Por, skuadra vetëm një xhiro më parë se kjo ka qenë në pozitë të rënies dhe me fitore në xhiron e fundit ndaj Drenicës, dolën të tetët për të shpresuar në Superligë 2021/22 dhe kjo tashmë ka shtuar apetitet e mitrovicasve.

Federata e Futbollit e Kosovës ende nuk ka zyrtarizuar gjyqtarët e kësaj ndeshjeje, ndërsa pritet që ata të jenë minimalisht treshja që është me FIFA licensë referimi.

Gjithsesi, gjithçka më hollësishëm të premten më 28 maj me fillim prej orës 16:00.

Burimi i lajmit: FFK