December 4, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Osmani: Në javën e bibliotekës dhe Ditën e Presidentit nisë punën Biblioteka Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”

3 min read

Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, sot ka marrë pjesë në hapjen e edicionit të 18-të të Javës së Bibliotekës. Kjo javë, sipas saj vë në pah rolin thelbësor, të cilin e kanë bibliotekat në promovimin e leximit. Në anën tjetër, po ashtu u jep zë sfidave dhe nevojave të institucioneve bibliotekare në Kosovë për t’u përkrahur në përpjekjet e tyre për rritje të kapacitetit në profesionin e tyre fisnik në shërbim të të gjithë lexuesve.

“Për ne bibliotekat përbëjnë qendra të ruajtjes së kujtesës sonë të përbashkët dhe të promovimit të vazhdueshëm të saj. Prandaj, ne kemi nevojë që ta bëjmë sa më të dukshëm rolin e bibliotekave dhe ta njohim funksionin e tyre si një ndër shtyllat e forta të popullit të Kosovës”, ka theksuar Presidentja.

E para e vendit, në fjalën e saj ka kumtuar lajmin se që nga sot nis punën edhe Biblioteka Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”.

Unë kam nderin dhe entuziazmin e veçantë që sot, në ditën e hapjes së Javës së Bibliotekës, por edhe në ditën kur me disa aktivitete po e shënojmë “Ditën e Presidentit”, e shpallur si e tillë nga Presidenti historik dr. Ibrahim Rugova, t’ua kumtoj qytetarëve të Kosovës lajmin se nga sot nisë punën edhe Biblioteka Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”, e ndërtuar sipas modelit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e cila, po ashtu është fryt i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet të institucioneve tona në radhe të parë, por edhe e përkrahjes së pakursyer të miqve tanë nga SHBA-të. Këtë vendim do ta pasojë marrëveshja e bashkëpunimit me MKRS-në, përfshirë institucionet vartëse të saj, Bibliotekën Kombëtare, Arkivat e Shtetit dhe Muzeun Kombëtar, për ngritjen profesionale të bibliotekës presidenciale. Po kështu, së shpejti do ta mirëpresim në disa sesione të përbashkëta znj. Susan Donius, ish-drejtoreshë e të gjitha Bibliotekave Presidenciale në SHBA, e caktuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan si eksperte për të ndihmuar në ngritjen profesionale të bibliotekës presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova””, ka thënë presidentja Osmani.

Sipas Presidentes, kjo bibliotekë do të mbledhë dhe do të ruajë dokumente zyrtare e personale, artefakte e materiale historike që dokumentojnë historinë e shtetformimit dhe jetën institucionale të Kosovës, mbi të gjitha periudhën e rëndësishme të udhëheqjes dhe kontributit të Presidentit historik, por edhe shumë bashkëpunëtorëve të tij.

“Misioni i kësaj biblioteke do të jetë t’ia ofrojë çdo qytetari mundësinë e qasjes në këtë arkiv, duke mbështetur kështu hulumtimin dhe kuptimin më të mirë të historisë sonë kombëtare, vuajtjet, sakrificat e sfidat nëpër të cilat ka kaluar kombi ynë e shteti ynë. Kjo bibliotekë do të jetë vend që promovon vlerat e demokracisë dhe të shtetit të Kosovës, që edukon dhe frymëzon gjeneratat e ardhshme”, ka shtuar ajo.

Presidentja e vendit ka bërë ftesë që të vizitohen sa më shumë bibliotekat, të përdoren materialet e pafundme bibliotekare, por edhe arkivore e muzeale, për ta njohur më mirë vendin tonë e kombin tonë, e për të marrë formim sa më të mirë për vetveten tonë.

“Si presidente e vendit, por edhe si një njeri që ka ardhë pikërisht nga bota akademike, do të kujdesem bashkërisht me kolegët që bibliotekat tona të marrin vëmendjen e merituar dhe mbështetjen e duhur institucionale, por po kështu do ta mirëpres secilën iniciativë që synon promovimin e dijeve, të kulturës e të trashëgiminë sonë të përbashkët, e cila e forcon rolin e institucioneve të kulturës në një shoqëri të dijes. Pikërisht kështu do të japim shembull të mirë jo vetëm brenda vendit tonë, por edhe ndërkombëtarisht”, ka thënë presidentja Osmani, në faqen zyrtare të Presidencës.

Burimi i lajmit: Kosova Live 360