PDK-ja kritikon vizitën disaditore të Haskukës në bregdetin e Turqisë – KOHA.net

Qëndrimi disaditor në bregdetin e Turqisë i kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka po kritikohet nga partitë opozitare. Dega e PDK-së në Prizren ka vlerësuar se aktualisht nuk është koha për realizimin e ekskursioneve të Haskukës me kabinetin në Antalia të Turqisë. Kjo parti opozitare ka theksuar se Prizreni po përballet me një mori sfidash që kërkojnë praninë dhe angazhimin e të parit të Komunës.

“Të gjitha problemet që na shqetësojnë neve si qytetarë të Prizrenit, si duket nuk janë aspak esenciale për Kryetarin e Prizrenit, i cili përveç se i papërgjegjshëm, pa ekip adekuat për të adresuar problemet e qytetarëve, pa dëshirë e aftësi për të menaxhuar projektet për qytetin dhe pa planifikim të veprimit, por gjithmonë i gatshëm për të pozicionuar në vendet e duhura militantët, familjarët dhe bashkëpartiakët, mesa duket është shumë i lodhur dhe i ngarkuar nga ‘puna’ dhe ka vendosur të pushojë e të relaksohet në Turqi, saktësisht në Antalia”, ka thënë zëdhënësja e degës së PDK-së në Prizren, Jona Hoxhaj.

PDK-ja si çështje problematike ka veçuar kaosin infrastrukturor në Qendrën Historike; papastërtinë si dhe infrastrukturën rrugore të rrënuar me gropa të hapura me muaj të tërë, problemet ekonomike të gastronomëve, tregtarëve e zejtarëve, etj. Sipas kësaj partie këto probleme kërkojnë zgjidhje.

“Tani është koha e punës, e zgjidhjes së problemeve, e përballjes me gabimet e bëra në 4 vitet e fundit, e ballafaqimit me të vërtetën e hidhur, e përballjes me qytetin që është nëpërkëmbur, keqmenaxhuar e degraduar nga Kryetari në shkuarje Haskuka. Tani nuk është koha e ekskurzioneve me kabinetin në Antalia”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ajo ka shtuar se Prizreni nuk ka kohë dhe se nuk e meriton që të përballet me një “shfaqje kaq hipokrite” ku pushtetarët interesat e tyre personale i vendosin mbi çdo gjë tjetër”.

“Prizreni nuk është trofe i cili duhej fituar, e të nëpërkëmbej pastaj nga fituesi. Pozita e Kryetarit të Prizrenit nuk është arritje profesionale në karrierë, e as promovim në pozitë për të pasuruar CV. Kryetari i Prizrenit duhet të jetë i qasshëm 24 orë, 7 ditë në javë, e jo vetëm i qasshëm por edhe i gatshëm të punojë, bashkëveprojë me qytetarët, të dëgjojë hallet e qytetarëve dhe të gjejë zgjidhje për to. Kryetari i Prizrenit gjatë 4 viteve, më shumë ka qenë jashtë qytetit dhe shtetit sesa brenda, më shumë në Turqi, Prishtinë e gjetiu, por asnjëherë i qasshëm dhe i afërt me qytetarët. Prizreni nuk duhet të harrojë, sjellja e Mytës duhet të ndëshkohet. Qytetarët meritojnë kryetar me dinjitet dhe të gatshëm të punojë për ta dhe me ta, çdo ditë, çdo orë, gjatë javës, në vikend e në ditë pushimi. Por së shpejti kryetari nuk do ketë nevojë të pushojë në Antalia nga mbingarkesa e rrejshme, por do të mund të rrijë në pushime në Antalia për 4 vite me radhë”, është shprehur Hoxhaj.

Në anën tjetër kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka të enjten përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar se në fundjavë, bashkë me veteranët e futbollit ka marrë pjesë në turneun ndërkombëtar në Antalia të quajtur “Best of Masters Cup 2021”, ku në mesin e 24 ekipeve, pjesëmarrës kanë qenë edhe dy ekipe nga Prizreni, KFV ‘Lumbardhi’ dhe KFV ‘Prizren Masters’.

“Të dy ekipet tona fituan çmimin për “Fair Play”. Falënderoj veteranët e futbollit prizrenas që vërtetuan që Prizreni është qytet i sportit dhe i kulturës”, ka bërë të ditur Haskuka.

Ndërsa lidhur me kritikat e opozitarëve ka theksuar se ky udhëtim ka qenë privat dhe se nuk janë shpenzuar paratë publike.

“Për të pafytyrët, që janë duke monitoruar jetën time private, ky udhëtim ishte privat dhe nuk është shfrytëzuar asnjë cent nga buxheti komunal”, ka shkruar Haskuka.

Burimi i lajmit: Koha.net

Author: admin