May 24, 2022

KleaBe

ALL HERE FOR YOU

Presidentja Osmani: Në këtë ditë e përkujtojmë arkitektin e shtetit tonë, Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova

3 min read

Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, në Ditën e Presidentit, bashkë me ish-presidentët Fatmir Sejdiu, Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli, vendosi buqeta me lule te shtatorja e presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova.

Presidentja Osmani tha se ndihet e nderuar që së bashku me ish-presidentët, e filloi këtë ditë duke nderuar arkitektin e shtetit tonë, njeriun i cili e bëri bashkë popullin e Kosovës në mënyrë që të artikulohet qartë vullneti ynë për liri dhe pavarësi të vendit tonë.

“24 maji është ditë e rëndësishme, sepse përafërsisht rreth tri dekada më herët qytetarët e Kosovës masivisht treguan se cili ishte vullneti i tyre, treguan se nuk do të ketë asgjë që do të mund t’i ndalë në rrugën e tyre të drejtë për shtet të pavarur. Prandaj, edhe duke e marrë për bazë që ishin zgjedhjet e para ku shqiptarët e Kosovës merrnin pjesë aq masivisht dhe i themeluan institucionet e tyre nëpërmjet vullnetit të lirë, Presidenti Rugova pikërisht 24 majin e shpalli si Ditë të Presidentit”, ka thënë Presidentja Osmani.

Sipas presidentes kjo ditë na e kujton jo vetëm historinë, por edhe të sotmen dhe rëndësinë e një institucioni të tillë në përfaqësimin e unitetit të popullit.

“Si Presidente e vendit për mua është me rëndësi që këtë ditë ta përkujtojmë, e në veçanti arkitektin e shtetit tonë ta përkujtojmë së bashku me titullarët e këtij institucioni në faza të ndryshme të historisë sonë”, ka theksuar Presidentja.

Më pas, presidentja Osmani ka vizituar edhe familjen e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Ajo ka falënderuar familjen për kontributin e  madh të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, teksa zonjës Fanë Rugova, ia  ka dorëzuar një kopje të vendimit për themelimin e Bibliotekës Presidenciale,  e cila do ta bartë emrin Ibrahim Rugova.

Në vazhdën e aktiviteteve për nder të Ditës së Presidentit, presidentja Osmani e shoqëruar nga tre ish-presidentët Sejdiu, Jahjaga dhe Pacolli, ka vizituar Muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”. Sipas saj, kjo shtëpi i dedikohet përpjekjeve epokale, të cilat kulmuan edhe me shpalljen e shtetit të pavarur të republikës së Kosovës.

“Përpjekje këto të udhëhequra nga Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, të cilat ndodhën në këtë shtëpi të vogël, por të cilat impaktin e kishte jashtëzakonisht të madh”, është shprehur Presidentja Osmani.

Më tej, ajo ka rikujtuar një pjesë të historikut të kësaj shtëpie.

“Së bashku me tre presidentët pamë që nga dëmi i madh që forcat serbe ia kishin bërë kësaj shtëpie duke e djegur në vitin 1999, kishte mbetur vetëm një fotografi e Presidentit Rugova, por falë miqve e bashkëpunëtorëve të tij brenda e jashtë Kosovës janë ruajtur shumë fotografi, janë ruajtur shumë kujtime të cilat edhe e dëshmojnë se çfarë pune e jashtëzakonshme është bërë në këtë shtëpi, duke ndërtuar themelet e para të shtetit tonë të pavarur, por po ashtu duke dërguar jashtë vendit, duke dërguar në tërë botën mesazhin e fuqishëm të përpjekjeve të drejta dhe luftës së drejtë të popullit të Kosovës për liri”, ka thënë presidentja Osmani, thuhet në në faqen zyrtare të Presidencës.

Burimi i lajmit: Kosova Live 360