November 29, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Prokuroria Speciale jep detaje për rastin ku u arrestua kryetari i LDK-së në Drenas si i dyshuar për pastrim të parasë

2 min read

Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Drenas, Bedri Nika, është në mesin e tre të arrestuarve si i dyshuar për pastrim të parave.

Ai u arrestua sot në një aksion të udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Prokuroria Speciale njoftoi se Bedri Nika, është ndaluar për 48 orë, ndërkaq të arrestuarit e tjerë me inicialet E.N dhe A.N, janë liruar në procedurë të rregullt.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, thuhet se prokurori i rastit do të bëjë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj ish-kandidatit të LDK-së për kryetar të komunës në Drenas.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka arrestuar tre të dyshuar me inicialet B.N., A.N dhe E.N”.

“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri B.N., është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Pastrim i parasë” “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.

“Ndërkaq, të dyshuarit me inicialet A.N dhe E.N., dyshohen se në bashkëveprim kanë vënë në qarkullim bankënota me ngjyrë kimike, të cilat dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, janë vënë në qarkullim duke i deponuar si dhe duke i tërhequr pastaj në bankomate”.

“Gjatë urdhër kontrollit në shtëpinë dhe objektet përcjellëse janë sekuestruar gjësende të cilat do të përdoren si provë në procedurë. I dyshuari me inicialet B.N. është ndaluar për 48 orë, kurse dy të dyshuarit me inicialet A.N dhe E.N, janë liruar në procedurë të rregullt. Po ashtu, Prokurori i rastit do të bëjë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit me inicialet B.N”.

Ish-kandidati i LDK-së për kryetar të Drenasit arrestohet nën dyshimin për pastrim parash

Burimi i lajmit: Klan Kosova