December 9, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

RrGK mirëpret dënimin e Pajazitajt, kërkon që dhuna ndaj grave të luftohet pa kompromis

2 min read

Rrjeti i Grave të Kosovës ka përshëndetur vendimin e sotëm të Gjykatës Themelore në Ferizaj, e cila e ka dënuar me burgim të përjetshëm Naser Pajazitin, i akuzuar për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitajt, në nëntor të vitit 2015.

Nga RrGK kanë thënë se ata kanë bërë përpjekje të vazhdueshme që drejtësia të vihet në vend dhe vrasësi të marrë dënimin e merituar.

Sipas këtij Rrjeti, vendime si ky i sotmi sjellin shpresë se dhuna dhe vrasjet e grave dënohen, pa kompromis e pa asnjë arsyetim.

Njoftimi i plotë:

Përmes kësaj kumtese, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përshëndet vendimin e sotëm të Gjykatës Themelore të Ferizajt, e cila e ka dënuar me burgim të përjetshëm Naser Pajazitajn, i akuzuar për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitajt, në nëntor të vitit 2015.

Që prej vrasjes së Donjeta Pajazitajt, RrGK ka bërë përpjekje të vazhdueshme që drejtësia të vihet në vend dhe vrasësi të marrë dënimin e merituar.

RrGK, duke përfaqësuar 158 organizata anëtare nga e gjithë Kosova, ka protestuar për të kërkuar drejtësi për këtë rast, si dhe vazhdimisht u ka bërë thirrje institucioneve që të ketë reagim adekuat- kjo pasiqë fillimisht Gjykata Themelore në Pejë e kishte liruar të akuzuarin Pajazitaj, në mars të vitit 2018.

Duke qenë dëshmitarë se kohën e fundit janë bërë publike një numër tejet shqetësues i rasteve të dhunës fizike dhe seksuale ndaj grave, vendime të tilla, si ky sot, sjellin një fije shprese se dhuna dhe vrasjet e grave dënohen, pa kompromis e pa asnjë arsyetim të vetëm.

Kujtojmë se raporti ynë i fundit hulumtues “Nga Ligjet në Vepra”, ndër të tjerash, ka vënë në pah edhe një herë se dënimet për ushtruesit e dhunës me bazë gjinore janë të ulëta, se ka prirje të “fajësimit të viktimës”, si dhe zyrtarët policor më shpesh e dërgojnë viktimën në strehimore sesa që fillojnë procedurat ndëshkimore ndaj ushtruesit të dhunës.

Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.

RrGK zotohet se do të vazhdojë përpjekjen tashmë disa dekadëshe të monitorimit të reagimit institucional ndaj dhunës me bazë gjinore, duke u përpjekur për parandalimin e dhunës ndaj grave, si dhe duke përmirësuar mbështetjen institucionale dhe publike për personat të cilët kanë përjetuar dhunë.

Burimi i lajmit: Bota Press