December 9, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Sahiti i kënaqur me vendin e 43-të në Evropianin e shenjëtarisë – KOHA.net

2 min read

Nexhat Sahiti e ka përfunduar i 43-ti garën në kampionatin Evropian që po mbahet në Osijek të Kroacisë. Ai në disiplinën 10 metra pistoletë ajrore la prapa vetes 40 garues, ndërsa rezultati i tij ishte 570 rrathë. Sahiti është i kënaqur me të arriturën e tij.

“Gara ka shkuar mirë. Jam i kënaqur deri diku me rezultatin, por mendoj se kam mundur të kem edhe 2-3 pikë më shumë. Ishte rezultati më i mirë i imi në gara ndërkombëtare, ndërsa në Kosovë kam arritur disa herë rezultat më të mirë”, ka thënë Sahiti të enjten për Komitetin Olimpik të Kosovës.

Me këto pikë, Nexhati fitoi MQS-në, që në sportin e shenjëtarisë njihet si “pikët minimale kualifikuese për Lojërat Olimpike”.

MQS-ja në këtë disiplinë arrihet me 563 rrathë.

“Isha vetëm nëntë pikë larg vendit të tetë që u kualifikua në finale. Me pak fat kam mundur të jem në finale”, shtoi 25-vjeçari, që Kosovën e kishte përfaqësuar edhe në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”.

Dy garuesit tjerë të Kosovës ishin Ibrahimi dhe Rama Gagica. Ibrahimi doli i 75-ti në 10 metra pistoletë ajrore me gjithsej 585.6 rrathë, ndërsa Rama Gagica doli e 93-ta në 10 metra pushkë ajrore, me 590.3 rrathë.

Rama Gagica e mbrojti MQS-në e fituar më herët, ndërsa Ibrahimi MQS-në e kishte fituar në garat e mëhershme. Urata Rama Gagica e përfaqësoi Kosovën në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Asaj iu mundësua pjesëmarrja në Rio me ftesë nga Komisioni Tre Palësh. Këtë herë, i propozuar për këtë ftesë nga KOK-u është Drilon Ibrahimi, që në momentin e propozimit kishte rezultatet më të mira.

Lojërat Olimpike “Tokio 2020” mbahen prej 23 korrik deri më 8 gusht në Tokio të Japonisë.

Burimi i lajmit: Koha Net