Të jesh “pro” vlen vetëm kur je edhe “kundër” – Telegrafi

Nga: Naun Shundi

Përfshirjen e artistëve në spotet elektorale nuk e quaj as të gabuar e as te drejt. Artistët kanë si mision emancipimin e shoqërisë. Është e drejta e gjithsecilit të përfshihet ose jo në politikë, qoftë si pjesëmarrës aktiv e qoftë duke përkrahur ose jo një forcë të caktuar politike. E keqja në gjykimin tim është kur artistët përdoren nga politika; kur artistët dhunohen nga politika. Kjo pastaj është fatkeqësi dhe ka lidhje drejpërsëdrejtë me karakterin e gjithsekujt.

Unë do të isha shumë dakord që për ideale personale çdo artist të përkrahte një forcë politike. Me keqardhje them se në shumë raste bëhen pjesëmarrës në aktivitete politike. Bëhen pjesëmarës në politikë për qëllime personale, për qëllime fitimi dhe ç’është më e keqja akoma, të detyruar nga dhuna e nga presioni që i ushtron pushteti mbi ta. I mirëkuptoj të gjithë, sepse kur vjen puna tek një presion që ka të bëjë me të ardhmen tënde dhe me te ardhmen e familjes tënde, duhet të jesh shumë i fortë, duhet të jesh i vendosur të durosh.

Komuniteti teatror është shumë I vogël në numër; tjetër punë nga influenca e madhe që ai ka në publik. Duke qenë shok e miq me njëri-tjetrin, është e kuptueshme që ia dimë problemet, hallet, të mirat dhe të këqijat. Kur dy artistë kanë pikëpamje të ndryshme politike ose kur kanë pikëpamje të njëjta politike dhe në rastin më të keq kur pozicionohen në kampe të kundërta, kjo nuk do të thotë që ata do të jenë armiq me njëri-tjetrin. Shoqëria nuk ecën dot përpara vetëm nëpërmjet paqes. Ecën përpara edhe nëpërmjet konflikteve, por jo luftës. E keqa është se politika vet përpiqet ta krijojë këtë frymë përçarjeje. Pra, ky është i joni – ky tjetri është kundër nesh. Dakord, mund të jesh kundër, por nuk je armik.

Vijmë tek parulla e famshme e komuniste: “Kush nuk është me mua është armiku im”! Jo, nuk është ashtu! Nuk mund të jetë ashtu. Fajin kryesor, përveç fajit personal që ka gjithsecili në atë deklaratë që bën, e ka politika që ka vazhduar të shërbejë si mjet përçarjeje. Pyetjes se si ndjehem unë kur shoh dy përplasje kolegësh, do t’i përgjigjesha se unë i mirëkuptoj të dyja palët të përfaqësojnë dhe të përçojnë nëpërmjet fjalës së tyre si artistë zërin e X ose Y force politike. Është e drejta e patjetërsueshme e çdo personi. Nuk me vjen keq. Realisht më vjen keq kur këta persona kanë shkelur, kanë mohuar, kanë tradhtuar atë që kanë deklaruar vetë më parë. Do isha më dakord nëse dikush që ka bërë deklarata të forta në mbrojtje të teatrit në një moment të caktuar, të heshtte.

Tërheqjen nga deklaratat e mëparshme, por jo deklarata krejtësisht në kundërshtim me ato që kanë deklaruar më përpara. Kjo bie erë të keqe. Unë i bëj thirrje të tërë komunitetit artistik: Le të mbajnë pozicionet e tyre ashtu siç i mendojnë ata e jo siç i imponohen nga politika. Për mua është dinjitoz ai që mban qëndrimin konsekuent të asaj që ka deklaruar përpara. Ose të paktën të na japë arsyet se përse ndërroi mendim. Pse u hodh nga një kamp, në kampin tjetër? Pse në fillim tha jo e tani thotë po? Që më pas të gjithë mos të aludojnë për përse-në dhe në fund të fundit vijmë tek ajo që është tipike në të gjitha rastet – çështje karakteri.

Ajo që e përkeqëson situatën është kur publiku e ka dashur një aktor të caktuar falë punës së tij, ka dashur një personazh sepse ka parë tek ai mishërimin e diçkaje të mirë, e diçkaje fisnike dhe kur shikon të përmbyset imazhi që kishte krijuar mbi atë personazh, mbi atë aktor është shumë keq për të. Edhe politika vetë, e di që zëri i një artisti është më I fortë, më i besueshëm dhe më ndikues në publik, në raport me zërin e çdo politikani. Pra, ndikimi nëpërmjet besimit që publiku ka tek një artist nuk duhet keqpërdorur në asnjë rast.

Nuk ka aktor që nuk do një teatër të ri. Ky është abuzim që bëhet se duan një teatër të ri ose “të parametrave bashkëkohor”. Natyrisht se një teatër që ndërtohet tani do të jetë  me parametra “bashkëkohorë” se jetojmë në këtë kohë. Kjo është një alibi e keqe. Askush nuk është kundër, përkundrazi, nëse më pyet mua, unë nuk jam vetëm për një teatër, por për dhjetëra. Tirana tani po shkon një milion banorë. Problemi qëndron të mos e prishë këtë, jo pse ndërtoi teatër “bashkëkohor”. Ndërtoni sa të doni. Do të jeni të nderuar nëse i ndërtoni, por mos prishni, sepse vijmë rishtas te parulla komuniste: “Mbi gërmadhat e Shqipërisë së vjetër do ndërtojmë Shqipërinë e re”. Unë vazhdoj ta quaj prishjen e teatrit si një “Krim shtetëror” me qëllim. Aq më tepër mënyra se si u prish “në mes të natës”. Aq më tepër duke qenë të bindur se brenda në atë teatër kishte njerëz të gjallë që e mbronin. Larg qoftë sikur të kishte pasur humbje jete, që rastësisht dhe fatmirësisht nuk pati, çfarë do të ndodhte? Kush do ta mbante përgjegjësinë? Kush e mban tani përgjegjësinë për atë krim që u bë? Godina është simbol, nuk është çështja se rrëzuan disa tulla, disa faqe muri. Teatri, salla, janë të magjishme… ato nuk duheshin prekur. Vetëm komunizmi bëri atë që shembi tempuj, shembi kishat, shembi xhami. Është njësoj edhe prishja e një teatri. Ajo nuk është thjesht një godinë. Ajo nuk është apartament banimi.

Artistët duke qenë  njerëz që operojnë në fushën e ndjesive të thella dhe të emocioneve, sado të mençur që të jenë, sado të kulturuar, të zgjuar, pragmatistë, në fund të fundit një pjesë e madhe janë naivë. Naiviteti I tyre i çon drejt besimit. Të besosh është vlerë. Të jesh skeptik nuk është ndonjë vlerë e madhe. Do të uroja që të gjithë ata që janë përfshirë në politikë, t’i kenë hyrë politikës për një ideal, jo për një interes. Duhet kuptuar një gjë: fjala interes këtu te ne merr një ngarkesë tepër negative. Jo, edhe unë kam interesat e mia, ndaj mbroj atë gjë që më duket e drejtë.

Është çështje interesi, siç mendoj që duhet të jetë në interesin e të gjithë komunitetit artistik fryma e bashkëpunimit dhe jo e përçarjes, fryma e unitetit dhe e ndasive. Të mos harrojmë që gjithkujt mund t’i ndodhë që në një vepër të caktuar teatrore të ketë për vëlla ose motër, baba apo nënë partnerë që nuk kanë të njëjtat bindje politike me ta. Nëse bindjet e kundërta kthehen në armiqësi personale, si mundet që të përqafosh dhe të puthësh në skenë “vëllain apo motrën”, “nënën apo babanë”, të “dashurin ose të dashurën e zemrës”?!. Në këtë rast teatri do të kthehej nga një lojë e bukur, në një lojë dyfish të shëmtuar dhe të stisur.

Unë nuk jam askushi të jap këshilla. Dikush do të mund të thotë se “kush je ti që po na jepke neve këshilla” e për respekt të pyetjes suaj unë po e bëj. Unë do të isha i kënaqur nëse kushdo, si artist, si kushdo, do të votonte duke u nisur nga interesi i tij personal, nëse ai do të vlerësonte realisht me mëndje të kthjellët, pa tifozllëqe ndaj atij prej të cilit ka patur të mirë në pushtet, pa inate ndaj atij prej të cilit ka patur të keqe në pushtet. Të vërë në balancë të mirën ose të keqen dhe të votoje duke përkrahur atë që ai beson dhe dëshiron t’i sjelli të mira. Çdokush e di fare mirë çfarë i është bërë dëm dhe çfarë i është bërë mirë atij familjes së tij. Vetëm kështu do të shkoje haka tek i zoti. Vetëm kështu do të kemi qeverinë që meritojmë.

Artistët, nëse përfaqësojnë një forcë të caktuar politike, duhet të nisen nga jo thjesht nga përfitimet që u sjell politika dhe që përkthehen në të mira materiale, por të nisen nga ideale të caktuara që kanë të bëjnë me të qënurit njeri i lirë, njeri që aspiron të jetojë në një komb të lirë. Që të jetojnë jo nën presionin e “bukës së gojës”. Mendoj se politika këtu tregohet e mençur kur përdor artistë për të bërë propagandën e saj elektorale. Mençuria e artistit, e përdorur për këto qëllime, duhet të jetë në atë shkallë që ai të përçojë nëpërmjet spoteve, deklaratave… urtësi. Sa më tepër të influencojë tek qetësimi i situatave të acaruara të momentit ku po jetojmë. Kjo kthehet e tëra në bashkëveprim, në unitet qoftë edhe nëpërmjet të kundërtave. Është e njohur teoria e luftës dhe unitetit të të kundërtave.

Burimi i lajmit: Telegrafi

Author: admin