May 24, 2022

KleaBe

ALL HERE FOR YOU

Thirrjet për kujdes ndaj virusit e urimet për solidaritet e përcollën Fitër Bajramin – KOHA.net

3 min read

Në situatë pandemie, besimtarët e fesë islame kanë festuar edhe këtë vit festën e Fitër Bajramit.

Për dallim nga viti i kaluar kur nuk ishte lejuar asnjë organizim për faljen e namazit të Bajramit, mëngjesi i së enjtes bashkoi qytetarë të shumtë nëpër xhamitë e vendit.

Megjithatë, edhe këtë vit nuk u zhvilluan ceremonitë e zakonshme me rastin e shënimit të kësaj feste.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, tha se festa e Fitër Bajramit kultivon më së miri ndjesinë e mirëkuptimit, harmonisë, respektit e bujarisë.

Tërnava, në fjalën e tij pas faljes së namazit, ka bërë thirrje për kujdes gjatë vizitave tradicionale.

“Ne sot kemi festë dhe bashkërisht kemi për të shijuar festën e Fitër Bajramit, por duhet të kemi kujdes dhe të jemi të vëmendshëm se virusi është në mesin tonë, andaj apeloj te ju që ta ruani shëndetin tuaj dhe ta ruani njëri-tjetrin. Ju ftoj të bëni kujdes edhe në vizitat tradicionale të Bajramit me të afërmit”, ka thënë ai.

Kthimin e faljes së namazit të Fitër Bajramit në xhami e kanë mirëpritur qytetarët.

Shkaku i pandemisë munguan edhe vizitat e zakonshme të liderëve institucionalë e të ipeshkvit në Bashkësinë Islame të Kosovës.

Urimet për këtë festë, presidentja, kryeministri dhe kryetarë të partive politike i kanë përcjellë përmes rrjeteve sociale.

Presidentja Vjosa Osmani, derisa ka bërë thirrje për solidaritet, ka uruar që festat e ardhshme t’i gjejnë qytetarët duke festuar, siç kanë bërë para situatës së krijuar nga përhapja e koronavirusit.

Për shëndet, paqe e mirëqenie ka uruar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca

Kurse kryeministri Albin Kurti ka bërë thirrje që në këtë ditë feste lumturinë ta ndajmë me të tjerët, duke uruar për më të mirat e duke u kujdesur për shëndetin e njëri-tjetrit.

Ndërsa, ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Dodë Gjergji, i ka shkruar myftiut Naim Tërnava duke i thënë se do të donte që në këtë ditë feste të shkonte personalisht në Bashkësinë Islame për ta uruar, por se rrethanat me pandeminë e kanë pamundësuar këtë.

“Edhe pse në rrethana të vështira, besoj shumë që besimtaret e besimtarët e të dyja besimeve tona janë bërë më të fortë në fe dhe kanë kuptuar më mirë se sa shumë kemi nevojë për njëri-tjetrin”, ka shkruar ipeshkvi Gjergji.

Përveç thirrjeve për solidaritet, urimi që situata me pandeminë të marrë fund sa më shpejt ka qenë e përbashkëta e të gjitha adresimeve që u bënë edhe këtë vit me rastin e festës së Fitër Bajramit.

Burimi i lajmit: Koha.Net