December 9, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Veternik, banorët ankohen për mungesë uji (VIDEO)

2 min read

Banorët e një kompleksi banesor në Veternik tash e gati tre vjet detyrohen që ujin e pijes ta blejnë, meqë nuk mund ta shfrytëzojnë nga ujësjellësi.

“Kemi mungesë të ujit vazhdimisht, kjo thuajse rregullisht ka filluar para tre vjetësh. Edhe gjatë kohës së pandemisë ka vazhduar, po vazhdon edhe tash. Domethënë ma shumë s’kemi sesa kemi ujë”, tha një banor i këtij kompleksi.

Ai shtoi se kanë dyshuar që kjo mungesë e ujit po ndodhte për shkak të pishinave që posedon hoteli i cili gjendet në afërsi të këtij kompleksi.

Menaxheri i hotelit, Lavdim Grajqevci, në anën tjetër, duke mos dashur të fliste para kamerave, mohoi se uji i pishinave ka lidhje me furnizimin e banorëve të kompleksit banesor. Ai tha se hoteli burimin e ujit e ka nga pusi.

E për këtë çështje sot aty dolën Ujësjellësi i Prishtinës dhe inspektorati të cilët vëzhguan problemin nga afër.

Drejtori i Inspekcionit, Adonis Tahiri, konfirmoi se pishinat e hotelit nuk janë shkaktar i problemit të furnizimit me ujë të banorëve.

Problemi i banorëve, sipas Tahirit, qëndron te rrjeti i furnizimit, meqë janë ndërtuar shumë banesa në atë pjesë dhe gypi është i vjetër dhe nuk arrin të furnizojë.

Ujësjellësi rajonal “Prishtina” u ofroi një zgjidhje banorëve. Zëdhënësja e kësaj kompanie, Arjeta Mjeku, theksoi se këtë po e bëjnë nga vullneti i mirë, sepse nuk është përgjegjësi e tyre.

“Propozuam një zgjidhje për banorët që të njëjtit të ndahen nga kyçja e përbashkët e objektit të hotelit dhe të kyçen në gypin furnizues kryesor nga KRU “Prishtina”, pa asnjë kosto shtesë për banorët”.

Tani banorëve të këtij kompleksi banesor iu mbetet të vendosin nëse do të pranojnë zgjidhjen e ofruar nga ujësjellësi.

[embedded content]

Burimi i lajmit: Klan Kosova