December 3, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

89-shi kërkon mbetjen në Superligë, Dukagjini kthimin – KOHA.net

4 min read

Sulmuesi më i mirë i Trepçës ’89, Arbnor Muja, shpreson që në ndeshjen e fundit të këtij edicioni, atë kundër skuadrës së Dukagjinit, ta gjejë rrugën drejt portës. Muja synon që në ndeshjen vendimtare të shënojë gol për ta ndihmuar ekipin e tij që ta konfirmojë statusin e anëtarit të Superligës së Kosovës edhe për edicionin e ardhshëm.

Muja këtë edicion ka shënuar 14 gola në total, 11 në Superligë dhe tre në kuadër të garave të Kupës së Kosovës.

Trepça ’89 do të përballet me Dukagjinin në ndeshjet e barazhit për Superligë, e cila do të zhvillohet të premten prej orës 16:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Muja pranon se kjo është ndeshja më e rëndësishme e këtij edicioni për 89-shin dhe është optimist se do ta fitojnë. Ekipi nga Mitrovica e përfundoi edicionin 2020/21 në elitën e futbollit kosovar në pozitën e tetë në tabelë, që e dërgoi në ndeshjen e barazhit. Për ta konfirmuar mbetjen në Superligë, Trepçës ’89 i duhet fitorja përballë Dukagjinit, të cilin Muja e konsideron si kundërshtar tejet të papërshtatshëm. Skuadra mitrovicase edhe para dy vjetësh ka qenë në situatë të tillë. Ia pati dalë kur në barazhin e edicionit 2018/19 pati triumfuar 4:2 ndaj Vëllaznimit, pikërisht në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Muja ka thënë se 89-shi është përgatitur mirë për këtë ndeshje dhe se ekipi do të jetë i kompletuar.

“Na pret një ndeshje e vështirë, duke marrë parasysh faktin se ndeshjet e barazhit e kanë presionin e vet. Në takimet e barazhit nuk ka favorit. Atmosfera te skuadra jonë është shumë e mirë. Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen kundër Dukagjinit. Besoj që do t’ia dalim dhe do të mbesim në Superligë. E mira është se ekipi është i kompletuar dhe do të japim më të mirën për të arritur synimin”, ka deklaruar Muja të enjten për KOHËN.

Skuadra e Dukagjinit ka më shumë përvojë në ndeshjet e barazhit të Superligës, por jo edhe shumë fat. Në dy ndeshjet e mëparshme për vend në elitë Dukagjini ka dështuar. Është mposhtur me rezultatin 2:1 nga Drenica në vitin 2016 dhe nga Drita një vit më vonë.

Dukagjini në këtë ndeshje do të futet i motivuar pas fitores ndaj skuadrës së Flamurtarit në ndeshjen e barazhit të Ligës së Parë. Atë ndeshje e fitoi javën e shkuar në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas me rezultatin 2:1.

Dukagjini doli nënkampion i Grupit A në Ligën e Parë, duke dështuar në xhirot e fundit që ta mbajë pozitën e parë, pas humbjes në Vushtrri (3:1). Në vend të Dukagjinit nga Grupi A në Superligë është promovuar skuadra e Malishevës që doli kampione. Prej Grupit B ishte skuadra e Ulpianës që arriti të kthehet në elitë pas më shumë se një dekade.

Skuadra nga Klina për ndeshjen vendimtare do të jetë e hendikepuar. Mark Milicaj mungon për shkak të lëndimit derisa në dyshim mbetet edhe Met Millaku që u dëmtua në duelin kundër Flamurtarit. Ndërkohë, për shkak të kartonëve, trajneri Armend Dallku nuk do të mund të llogarisë në Rinor Kuçin e Laurant Marmullakun. Trajneri Dallku ka besim në ekipin e tij dhe thotë se pret fitore me të cilën Dukagjini do të kthehej në Superligë pas një viti në një kategori më poshtë. Dallku ka pranuar se kjo është ndeshja më e rëndësishme e sezonit për Dukagjinin, i cili më herët pësoi humbje, është në finalen e Kupës së Kosovës nga Llapi pas gjuajtjes së penalltive.

Dallku insiston se ndeshja e barazhit ndaj Trepçës ’89 të jetë “e treta dhe e vërteta” duke aluduar në dy humbjet e Dukagjinit më përpara në barazh.

“Është ndeshja më e rëndësishme e sezonit dhe besoj që jemi përgatitur mirë për të treguar një lojë të mirë dhe natyrisht të shënojmë fitore. Synimi është kthimi në Superligë, pavarësisht telasheve që i kemi pasur përgjatë rrugës gjatë këtij edicioni. Mendoj se kjo ndeshje është finalja më e madhe për ekipin tonë dhe fitorja do të na bënte të harrojmë edhe humbjen në finalen e Kupës së Kosovës, si dhe vendin e parë në grupin tonë që e patëm deri në xhiron e parafundit. Thjesht besoj se është e treta dhe e vërteta për Dukagjinin, i cili do të konfirmojë kthimin në Superligë”, është shprehur Dallku. “Do të jetë ndeshje e vështirë për të dy ekipet duke pasur parasysh se si ne ashtu edhe Trepça ‘89 synon fitoren. Presioni do të jetë tek të dyja palët, por më shumë te Trepça ’89 që do të mundohet ta ruajë statusin e anëtarit të Superligës. Besoj në një përmbyllje të sezonit me fitore, që do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm për ne”.

Burimi i lajmit: Koha Net