November 29, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Arkeologët e Kosovës larg projekteve në terren tash e tre vjet – KOHA.net

6 min read

Instituti Arkeologjik i Kosovës është institucion qendror sa i përket trashëgimisë arkeologjike në vend. Por nuk është institucion funksional, të paktën tash e tre vjet. Jo që nuk mund të realizojë ndonjë projekt në terren, por nuk mund të kryejë punë as për ndonjë ndërhyrje krejt të thjeshtë.

Rasti më i mirë ilustrues është ai i pitosit të fshatit Bllatë të Kamenicës. Gjetja e rastit nëpër arat e fshatit lindor të Kosovës në kushte normale do të aktivizonte IAK-un që pas tërheqjes së pitosit rreth 1 mijë e 700 vjet të vjetër të hulumtonte përreth për gjetje të reja e të dilte me konstatime për atë lokalitet. Por IAK-u, siç është arsyetuar, për 450 euro nuk ia ka dalë që ta tërheqë pitosin. E ka lënë atje për gjashtë muaj. Personat që tash po përballen me organet e rendit ia kishin mësyrë ta vidhnin. E kanë gërmuar hapësirën e duke shkuar për ta marrë me qëllim që ta dërgonin në Serbi janë kapur nga Policia e Kosovës. Si pitosi janë disa gjetje të rastit që vjet IAK-u nuk ia ka dalë as të shkojë t’i marrë shkaku se institucioni nuk është funksional.

Koha kur ka nisur problemi që i mban arkeologët mbyllur në zyra dihet saktë. Por ende nuk dihet se kur do të ndryshojë situata. E “faturën” e tre vjetëve mosfunksionim në terren e paguan trashëgimia arkeologjike.

Në qershorin e vitit 2015, në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit do të konstatohej se llogaritë bankare të institucioneve qendrore të kulturës dhe trashëgimisë kulturore janë në banka komerciale. MKRS-ja derdhte mjetet në këto llogari dhe institucionet i shpenzonin ato për nevojat e veta. Llogaritë nuk ishin të autorizuara nga Thesari i shtetit. Për pasojë u mbyllen. Prej atëherë krejt pagesat bëhen nëpërmjet Divizionit të financave në MKRS. Kësisoj ende ka të angazhuar në projekte arkeologjike e të cilët nuk janë paguar as për projektet e vitit 2018 e as për ato të viti 2019. Më 2019 ishte punuar në disa lokalitete deri në muajt gusht e shtator. Si mungesë e mundësisë për të bërë pagesa puna ishte pezulluar. Nuk ka nisur kurrë më. Në vitin 2009, MKRS-ja do të nxirrte Rregulloren me numër 01/2009 për pagesën në terren. Punonjësit e angazhuar në gërmime nëpërmjet kësaj Rregulloreje paguheshin 15 euro bruto për tetë orë punë. Stafi profesional, përfshirë arkeologët e Institutit, paguheshin 20 euro bruto për tetë orë punë në terren. Auditorët kishin konstatuar se kjo Rregullore ishte e shfuqizuar nga viti 2011.

Këto dy probleme ia dhanë tatëpjetën Institutit Arkeologjik të Kosovës. Fakti se IAK-ja nuk posedon asnjë veturë për të dalë në terren e ka paralizuar këtë institucion.

Efekti i krejt kësaj shtetit do t’i kushtojë financiarisht e lokaliteteve arkeologjike me dëmtime jo të vogla.

Lokaliteti arkeologjik i Dresnikut është njëri prej atyre që ka bërë jehonën më të madhe jo veç në Kosovë. Lajmi se një mozaik shumëngjyrësh antik fshihet pak kilometra larg Klinës u transmetua në media prestigjioze përfshirë “Euronews”. Prej gushtit të vitit 2019 aty nuk është punuar. Mozaiku është mbuluar përkohësisht.

Arkeologu Elvis Shala, që ka udhëhequr punimet aty, ka thënë se kurdo që nis puna duhet një sezon i plotë vetëm për ta kthyer lokalitetin në gjendjen e vitit 2019.

“Janë degraduar muret”, ka thënë ai. Ka thënë se nuk dihet se në çfarë gjendjeje është mozaiku i dyshemesë. Rreth 300 metra katrorë janë të zbuluara e të mbuluara përkohësisht. Po aq llogaritet të jenë ende të pazbuluara.

“Të mos harrojmë që mozaiku derisa nuk ka konstruksion duhet të hapet çdo vit dhe t’i përcillet gjendja. Pra, është konservim që duhet të bëhet rutinë”, ka thënë ai. Ka treguar se secili monument kërkon mbrojtje të vazhdueshme e sidomos strukturat arkeologjike.

“Mund ta emëroni si të keni dëshirë pasi kështu është gjendja”, është përgjigjur Shala në pyetjen se a është IAK-u institucion jofunksional.

Në kushte normale, arkeologët e Institutit Arkeologjik të Kosovës këto ditë do të ishin duke punuar në së paku dhjetë lokalitete arkeologjike. Në planet e këtij institucioni për këtë vit parashihnin gërmime, konservime, restaurime e studime të gjetjeve arkeologjike. Ulpiana, Dresniku, Vuçaku, pastaj lokaliteti i Dardanës, Artanës, Harilaqit, Marecit, Barilevës, Vendenisit ose Gllamnikut planifikoheshin që të mbusheshin me punonjës lokalë e profesionalë.

Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, ka një duzinë shkresash me të cilat i është drejtuar MKRS-së prej vitit 2019 e deri tash. Ka zhvilluar edhe një takim me ministrin aktual të Kulturës, Hajrulla Çeku.

“Kemi biseduar edhe problemin që kemi. E kemi njoftuar për çështjen e veturave, rregullores dhe angazhimin e stafit teknik e profesional. Na është premtuar që të zgjidhet çështja për dy a tre muaj”, ka thënë ai. Sipas tij, u mbetet që kur të nisë puna t’u kthehen projekteve të vjetra që nuk janë zhvilluar në të kaluarën.

“Tash ishte dashtë me qenë duke punuar. Kjo do të ishte koha më e mirë për të punuar në lokalitetet arkeologjike. Por nuk mund të angazhojmë njerëz”, ka thënë ai.

Vazhdimisht është kërkuar te institucionet qendrore të kulturës dhe ato të trashëgimisë kulturore të pavarësohen financiarisht. Në Ligjin mbi ndarjet buxhetore të këtij viti institucionet kanë kodet e veta buxhetore. Por ato nuk janë aktive. Do të duhet që secili institucion të kishte të paktën edhe tre zyrtarë shtesë për të zhvilluar procedurat e shpenzimit të parasë. Mungojnë zotuesit, certifikuesit dhe shpenzuesit.

Ministri aktual i Kulturës, Hajrulla Çeku, në një intervistë në Kohavision para dhjetë ditësh ka thënë se pasi ka pranuar detyrën ka kuptuar se shkaku i Rregullores për pagesa arkeologët kanë vendosur të mos dalin në terren.

“Por ky nuk është problemi i vetëm. Ka edhe telashe të tjera. Ne jemi takuar dhe kërkesa jonë ka qenë që derisa të zgjidhen këto probleme, pasi kanë edhe kërkesa me vend, nuk mund të bojkotohet puna”, ka thënë ai.

Të mërkurën këshilltarja e ministrit Çeku, Nora Arapi-Krasniqi, ka thënë se pas analizës së situatës dhe sfidave që ndërlidhen me funksionimin e fushëveprimit të institucioneve vartëse, në fushën e trashëgimisë kulturore, është iniciuar procesi i hartimit të Udhëzimit Administrativ që do të rregullojë mënyrën e angazhimit të stafit profesional dhe teknik të jashtëm dhe të brendshëm për projektet që zbatohen në fushën e trashëgimisë kulturore duke përfshirë dhe kategorinë e trashëgimisë arkeologjike.

“Deri në miratimin e këtij akti obligohemi t’i zbatojmë dispozitat e Rregullores nr. 01/2013 dhe ligjet e tjera në fuqi. Duke u bazuar në gjërat e lartcekura, edhe nga Instituti Arkeologjik i Kosovës është kërkuar të ndërmarrin hapat në përputhje me dispozitat ligjore të lartcekura”, ka thënë Arapi-Krasniqi.

Por ajo i është referuar një rregulloreje që nuk ka të bëje fare me këtë punë. Rregullorja numër 01/2013 është për punën e jurisë vlerësuese, për projektet filmike që subvencionohen nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Burimi i lajmit: Koha.Net