December 9, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë vizituan Kushtetuesen e Kosovës – KosovaPress

1 min read

Një delegacion i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i prirë nga kryetarja e kësaj gjykate, Vitore Tusha, qëndroi për vizitë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, të premten, më 28 janar 2021.

Delegacioni nga Shqipëria u prit në takim nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama – Hajrizi dhe gjyqtarët e tjerë të Gjykatës, ku temë qendrore e diskutimit ishin funksionimi i të dy gjykatave në kushte pandemie, praktikat dhe metodat e punës në procedimin e lëndëve, vendimmarrja në distancë, si dhe konsolidimi i jurisprudencës të të dy gjykatave në harmoni me standardet ndërkombëtare të drejtësisë kushtetuese.

Në vijim të takimit, gjyqtarët e të dyja palëve diskutuan për përvojat dhe sfidat e deritanishme në trajtimin e çështjeve të ndryshme kushtetuese, për kontrollin incidental dhe atë abstrakt, si dhe për nivelin e zbatueshmërisë së aktgjykimeve në nivel vendi.

Kryetarja Rama – Hajrizi dhe kryetarja Tusha në fund shprehën zotimin dhe gatishmërinë për intensifikimin e raporteve të bashkëpunimit ndërmjet dy gjykatave kushtetuese nëpërmjet organizimit të takimeve të rregullta vjetore dhe organizmit të aktiviteteve të përbashkëta me qëllim të shkëmbimit të ndërsjellë të përvojave.

Burimi i lajmit: Kosova Press