Kosova blen 1.2 milion doza të Pfizerit

Kosova pret që deri në fund të vitit të pranojë 1.213.290 doza të vaksinës kundër koronavirusit të kompanisë Pfizer. Kështu ka thënë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Pas mbledhjes së qeverisë, Vitia ka deklaruar në një konferencë për media se nga 15 qershori, do të nisë së zbatohet plani i imunizimit në masë kundër koronavirusit.

Vitia ka pohuar se plani i imunizimit në masë parasheh administrimin e një numri mes “300 mijë dhe 400 mijë vaksinave në muaj”.

Kjo është kontrata e parë që Kosova ka arritur të nënshkruajë me ndonjë kompani farmaceutike për sigurimin e vaksinave kundër koronavirusit.

Deri më tani, Kosova ka përdorur vaksinat e dhuruara nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe nga Bashkimi Evropian.

Të enjten, Kosova pranoi një kontingjent prej mbi 100 mijë vaksinash të kompanisë Pfizer nga COVAX-i.

Aktualisht, po vaksinohen personat personat nga mosha 65 deri në 79 vjeç, pasi u vaksinuan personat mbi 80 vjeç, ata me sëmundje kronike dhe personeli shëndetësor.

Burimi i lajmit: Epoka e Re

Author: admin