December 5, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Mllefi i PDK-së ndaj Qeverisë, kjo është frika e saj për zbulimin e të fshehtave

7 min read

Që nga fillimi i pandemisë, vazhdimisht ka pasur ndryshime në numrin e të prekurve nga COVID-19, madje disa prej tyre nuk kanë arritur t’i mbijetojnë. Ndërsa, së fundmi Kosova ka shënuar zero raste të vdekjeve nga Covid-19.

Por, në mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu anëtar i këtij komisioni e ka ngritur një shqetësim se ka dyshime për manipulim të shifrave të personave të vdekur nga covid-19.

Ndërsa, kryetarja e këtij komisioni, Fatmire Kollçaku tha se është e pakuptimtë se si deputetë nuk po gëzohen se nuk ka raste me fatalitet nga COVID-19 në dy ditët e fundit dhe se me këto dyshime po fajësohen profesionistët shëndetësor.

Ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se nëse rastet e vdekjeve nëse janë post COVID-19 dhe kanë përfunduar me fatalitet por nuk janë futur në listë kjo është skandal.

Ndërsa, deputeti Haxhi Avdyli kërkoi qe mos te politizohet kjo situatë dhe nëse ka këso raste, atëherë të merren organet kompetente.

Por, a mund të ketë vërtetë manipulime me raste të vdekjeve nga Covid dhe pse po bëhen akuza nga PDK? Lidhur me këtë për gazetën “Bota sot”, kanë folur analistët.

Qarri: Partitë me mllef, andaj fajësojnë Qeverinë Kurti

Analisti politik, Gani Qarri, për gazetën “Bota sot” ka thënë se në historinë e shtetit tonë deri më tani nuk ka parti që e ka dëmtuar Kosovën më shumë se PDK dhe partitë tjera, pra ato që asnjëherë nuk janë larguar nga korrupsioni, kështu duke e izoluar Kosovën nga e gjithë bota, madje duke bërë që edhe udhëheqësit shtetëror t’i kërkojnë falje shtetit serb për bombardimet, por duke e quajtur edhe Kosovën pjesë të Serbisë.

“Në historinë e shtetit tonë të brishtë, as në atë të shteteve me traditë më të gjatë shtetërore të rajonit, nuk ka parti, segment politik as figurë partiake e shtetërore, që në dy dekadat e fundit dhe 21 vitet e pasluftës, ka mundur ta dëmtojë më shumë Kosovën, se sa PDK dhe partitë tjera të degjeneruara politike, të dërguara nga vota e lirë e qytetarëve në opozitë. Parti të cilat jo vetëm që nuk janë distancuar kurrë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar me të cilat kanë detyruar të emigrojnë rreth gjysmë milioni qytetar nga vendi dhe izolojnë Kosovën totalisht nga e gjithë bota, por kanë rritur irritimin dhe neverinë edhe tek të huajt deri në atë masë, sa që rreth 22 vite pas përfundimit të luftës, udhëheqës shtetëror si presidenti çek dhe deputet të majtë e të djathtë edhe nga vendet mike si Gjermania, t’i kërkojnë falje publike Vuçiqit për bombardimet e vitit 1999 si dhe ta quajnë Kosovën publikisht pjesë e Serbisë, siç vepruan para pak ditësh, një apo dy deputet në Bundestagun gjerman”, ka deklaruar ai.

Qarri ka shtuar se përveç zhvatjes së vendit, nuk kanë bërë tjetër asgjë, ndërsa tani për shkak të frikës se do të gjenden për të bëmat e tyre, tani PDK hedh dyshime se po manipulohet me numrin e vdekjeve, vetëm për faktin se për here të pare nuk ka pasur asnjë vdekje.

Ai më tej tha se përveç këtyre, PDK i ka mbushur mllef edhe partitë tjera, sa që fajësojnë tani Qeverinë se pse nuk ka asnjë vdekje nga Covid.

“Madje, të dëshpëruar se përveç zhvatjes e gllabërimeve të paligjshme, nuk kanë bërë asgjë për këtë vend dhe faktin se përditë e më tepër po rikthehet rendi e forcohet ligji, nga frika se udhëheqësit e kësaj partie, së shpejti mund të gjenden edhe vet në bankën e të akuzuarave, për të bëmat e tyre kundërligjore dhe kundër kushtetuese, në 21 vitet e kaluara të sundimit arbitrar të shtetit, një parti e inkriminuar si PDK, e cila ka harruar edhe vdekjet e shqiptarëve të pambrojtur nga ushtria dhe policia barbare serbe, tani gjen forcë për të hedhur dyshime se po manipulohet edhe me numrin e vdekjeve nga Covid 19, vetëm pse fatmirësisht në dy ditët e kaluara, Kosova për herë të parë nuk shënoi asnjë rast të vdekjes nga pandemia. Për aq më tepër, duke kuptuar aktet e pafalshme që këto segmente të degjeneruara politike kanë bërë kundër Kosovës, me të cilat kanë rrezikuar jo vetëm tërësinë territoriale por edhe vet ekzistencën e shtetit tonë të brishtë, i kanë mbushur aq shumë mllef këto parti, sa që tani fajësojnë, Qeverinë Kurti edhe pse nuk ka vdekje nga pandemia, nëpër spitalet e Kosovës”, ka thënë tutje Qarri.

Sipas tij, këto parti do të duhej që shumë më parë të fillonin të mblidhnin prova për të dëshmuar me fakte atë që kanë bërë serbët, por tani kur Kurti që është duke u marrë me këtë çështje kundër Serbisë, tani këta deklarojnë se ka manipulime me numrin e vdekjeve, në vend se të gëzohen për këtë

“Madje është shumë e habitshme se si këto parti, të cilat qysh para shumë vitesh, do duhej të kishin nisur të paktën të mblidhnin provat e shumta që ende edhe sot e kësaj dite, ekzistojnë në Kosovë për të dëshmuar me fakte dhe argumente se forcat okupatore serbe kanë kryer krime dhe gjenocid në Kosovë, jo vetëm që nuk e bën kurrë këtë punë, edhe pse ishte obligim i tyre, para popullit dhe shtetit që e sunduan, në mënyrë arbitrare për më tepër se një dekadë, por edhe tani kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur përgatitjet që ta çojë drejt realizimit premtimin e dhënë qysh në fushatën elektorale për ngritjen e padisë për gjenocid dhe krime të luftës, kundër Serbisë, opozitarët e sotëm dhe ish pushtetarët e kriminalizuar të deridjeshëm, në vend se t’i kërkojnë falje popullit dhe gjithë familjeve të të vrarëve e të kidnapuarve nga Serbia, eshtrat e të cilëve vazhdojnë të zhvarrosen edhe sot gjithandej Serbisë, pa fije turpi, as pendimi, dalin dhe deklarojnë se tani paska manipulime me numrin e vdekjeve nga pandemia, në vend se t’i gëzoheshin edhe këta injorant, faktit që më në fund nuk ka raste të vdekjes së shqiptarëve nga pandemia”, tha Qarri.

Analisti ka vlerësuar se nga frika se do të zbardhen marrëveshjet e fshehta të Thaçi dhe Vuçiqit, ka bërë që PDK të kthehet të makth të rëndë për Kosovën, tani bën edhe shpifje, kështu duke e bërë lojë edhe jetën e qytetarëve.

Qarri shtoi se PDK përmes Thaçit dhe Haxhiut, proklamonte publikisht faljen e krimeve të shkaktuara nga Serbia në Kosovë.

“Frika e madhe e udhëheqësve të rinj të PDK-së, se në dialog mund të zbardhen edhe të gjitha marrëveshjet e fshehta të Thaçit me Vuçiqin, të bëra prapa shpinës së Kosovës dhe pa dijen e publikut, në dëm të popullit dhe shtetit të Kosovës, për mese dhjet vite bisedime sa kjo parti e turpit, ka bartë mbi vete procesin e deritashëm të dialogut me Serbinë, duke e pasur në krye të shtetit vet Hashim Thaçin, deri në arrestimin e tij nga Gjykata Speciale, ka bërë që partia enigmatike e ashtuquajtur PDK, e cila gjithnjë e më tepërt, po kthehet në traumë dhe makth të rëndë për Kosovën, tani të guxojë të bëjë edhe shpifje, duke kthyer në lojë politike edhe jetën e qytetarëve të këtij vendi dhe kërkuar arsyetime se pse nuk ka vdekje të reja në spitalet e Kosovës, e cila qysh moti ka harruar trupat e vdekur dhe të kidnapuar të shqiptarëve gjatë luftës, madje përmes tellallit të Hashim Thaçit, spiunit Baton Haxhiu, proklamonte publikisht edhe faljen e gjenocidit dhe krimeve të shkaktuara nga Serbia hegjemoniste në Kosovë”, ka deklaruar Gani Qarri.

Bytyqi: Shpifin, pasi nuk mund të argumentojnë asgjë me fakte

Ndërsa, në një prononcim analisti Adem Bytyqi, ka thënë se PDK-ja nuk janë në gjendje as argumente të kenë për manipulimin e vdekjeve nga Covid, madje ai shtoi se kjo qeveri e cila humbi zgjedhjet dhe të pakënaqur me humbjen e pushtetit, do të mundohen për ta sabotuar Qeverinë Kurti.

“Të gjitha partitë, duke përfshirë edhe PDK-në që i kanë humbur zgjedhjet, përveç shpifjeve nuk janë në gjendje të argumentojnë se Ministria aktuale e shëndetësisë ka manipuluar numrin e vdekjeve nga Kovid-19. Partitë politike të cilat ishin bashkë në Qeveri dhe Qeverinë e tyre Gjykata Kushtetuese e shpallë Qeveri ilegjitime dhe pastaj i humbën edhe zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit 2021, të pa kënaqur me humbjen e pushtetit, privilegjet e të cilit i kishin gëzuar gjatë, nuk do të lënë gur pa rrokullisur për ta sabotuar qeverisjen aktuale Kurti, edhe sikur ajo të jetë njëra ndër qeverisjet më të mira të pas luftës”, ka deklaruar Bytyqi.

Burimi i lajmit: Bota Press