December 4, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Osmani: FSK-ja po shndërrohet në ushtri moderne, sinonim i paprekshmërisë së territorit

2 min read

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj dhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, kanë marrë pjesë sot në përmbyllje të ushtrimit “Defender Europe 21”.

Presidentja Vjosa Osmani, tha se sot po e sheh të jetësuar ëndrrën e secilit ushtarak, të secilit qytetar që kanë pritur me dekada të tëra që të shohin demonstrime ushtarake përkrah aleatëve strategjik, e veçanërisht duke demonstruar profesionalizëm me ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“E themi kumbueshëm sot se përtej lumturisë që na sjell demonstrimi i përbashkët ushtarak, gatishmëria për ta thelluar partneritetin strategjik me aleatët tanë perëndimor është e paluhatshme. 22 vjet më parë gra e burra, të udhëhequr nga ideali i lirisë u rreshtuan nën emblemën e UÇK-së, dëshmuan këmbënguljen për ta fituar lirinë, patën guximin dhe vendosmërinë për të qëndruar fortë në kauzën e lirisë. Mbi të gjitha patën fatin të vepronin nën flamurin e një aleance të fuqishëm me perëndimin të krijuar  ndër vite me urti e durim”, tha ajo.

Ajo tha se “qytetarët e Kosovës e kanë ditur se duke mbrojtur shtëpitë tona, duke luftuar për lirinë tonë ne i kemi mbrojtur vlerat e lirisë universale”.

“Si vend  e si komb, kemi pasur qëllim të vetëm mbrojtjen e atdheut tonë, e të lirisë sonë. Ushtria jonë është rritur dhe krijuar mbi këtë vizion për ushtri moderne. Jam e lumtur të shoh se si FSK po shndërrohet në ushtri moderne e partner i besueshëm i aleatëve tanë”, tha Osmani.

Presidentja e vendit më tej shtoi se Forca e Sigurisë së Kosovës është sinonim i shtetësisë sonë, mbrojtjes së sovranitetit dhe i paprekshmërisë së territorit, burim nga rrjedh fuqia jonë kohezive për të qëndruar fort përkrah popujve liridashës, në partneritet të ngushtë me SHBA-në dhe shtetet tjera perëndimore. /Botapress/

Burimi i lajmit: Bota Press