May 25, 2022

KleaBe

ALL HERE FOR YOU

Osmani: Themelet e Kosovës qëndrojnë të forta, nuk ka kush që i lëkundë – KosovaPress

3 min read

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se suksesi i FSK-së në stërvitjet që po mbahen me ushtrinë amerikane, është rikonfirmim i një aleance të fuqishme në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që sipas Osmanit është e fortë si guri. Pasi u është adresuar ushtarëve që janë pjesë e stërvitjes “Defender Europe 21”, komandantja supreme ka thënë para mediave se Kosova edhe njëherë e ka bërë të qartë orientimin strategjik drejt integrimeve euroatlantike.

[embedded content]

E para e shtetit në kampin e FSK-së në Deve të Gjakovës, është shprehur krenare me pjesëtarët e Forcës.

“Dita e sotme është rikonfirmim i një aleance të fortë sa guri, një aleancë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne së bashku me shumë vende të tjera e rikonfirmuam sot orientimin tonë strategjik, e rinkofirmuam sot rrugën tonë të përbashkët përpara drejt integrimeve euroatlantike, rikonfirmuam sot se gjaku i derdhur për këtë vend nuk ka shkuar huq. Me suksesin e jashtëzakonshëm të ushtarakëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ushtrisë sonë e cila është ndërtuar me shumë mund, u konfirmua sot se themelet e Kosovës qëndrojnë të forta dhe nuk ka kush që i lëkundë ato”, ka thënë Osmani.

Presidentja e Kosovës ka falënderuar aleatin kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka kujtuar kontributin e tyre 22 vjet më parë në çlirimin e Kosovës nga policia e ushtria serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nënoficerët e oficerët e FSK-së dëshmuan aftësitë e tyre për gatishmëri në mbrojtje të sovranitetit dhe territorit të Republikës së Kosovës.

Ai ka thënë se ushtria e Kosovës nuk ngel prapa ushtrive që tashmë janë pjesë e NATO-s.

“Me FSK-në shteti i Kosovës, republika jonë është shumë e fuqishme në njërën anë dhe anën tjetër e ka perspektiven e siguritë. Ne e dimë prej nga vimë, e dimë edhe kudo të shkojmë, pra vimë prej përpjekjeve tona të shekullit 20 për liri, pavarësi e bashkim që kulmuan me luftën çlirimtarë, me UÇK-në, dhe në anën tjetër e dimë se ku do të shkojmë, do të shkojmë në aleancën më të madhe ushtarake që e njeh historia, e njerëzimit e kjo është NATO. Pra me ketë gatishmëri dhe aftësi, me këtë që e dimë nga vimë dhe e dimë se ku do të shkojmë edhe do të jemi të sigurt e të mbrojtur mirë por gjithashtu edhe do të kontribuojmë në paqen e sigurinë afatgjate të kontinentit tonë e globit në përgjithësi”, ka thënë Kurti.

Forca e Sigurisë së Kosovës nga 17 maji, po zhvillon operacione luftarake në kuadër të stërvitjes “Defender Europe 21”, që është ushtrimi më i madh i ushtrisë amerikane që prej Luftës së Dytë Botërore.

Kosova sivjet është në mesin e 16 shteteve pritëse të kësaj stërvitje prej së cilës pret të dalë e validuar me kapacitetet e këmbësorisë në operacionet mbrojtëse, sulmuese dhe për operacionet e stabilitetit të nivelit të kompanisë.

Burimi i lajmit: Kosova Press