December 4, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Qeveria mblidhet sot, pritet lehtësimi i masave antiCOVID-19 – Telegrafi

2 min read

Qeveria e Republikës së Kosovës sot mban mbledhje, ndërsa pritet shqyrtimi i masave antiCOVID-19, gjegjësisht lehtësimi i tyre.

Mbledhja e Qeverisë mbahet në ora 18:00.

Të mërkurën Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kanë mbajtur një takim virtual lidhur me gjendjen me pandeminë, ndërsa nga ky takim u bë e ditur se Vitia është pajtuar që të hiqet ora policore, vendim ky duhet të merret edhe në Qeverinë e Kosovës.

Sazan Ibrahimi, nga Asociacioni i komunave të Kosovës kishte thënë për Telegrafin se kanë kërkuar nga ministri lehtësimin e masave që ndihmojnë në zhvillimin ekonomik lokal.

“….Jemi pajtuar që të hiqet ora policore, po, vetëm duhet miratim nga qeveria, si dhe lehtësira të tjera, që i kemi kërkuar si AKK”, ka thënë ai.

Në njoftimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës thuhej se pritet që lokalet të lejohen të punojnë deri në ora 23:00, ndërsa organizimi i dasmave pritet të lejohet nga 15 qershori, me masa të posaçme.

Ndryshe, të enjten mbrëma në Kosovë kanë arritur 100 mijë e 620 vaksina Pfizer falë Aleancës Gavi të COVAX në Republikën e Kosovës.

“Që nga arritja e 24, 000 dozave të para të vaksinës, të cilat u pasuan nga 38, 400 doza që morëm dy javë më parë, dhe 15, 000 doza, që janë dorëzuar deri më tani nga Mekanizmi i Bashkimit Evropian për Ballkani Perëndimor, ekipet e vaksinimit në të gjithë vendin kanë vaksinuar grupet prioritare dhe qytetarët me sëmundje kronike siç përcaktohet në Planin shtetëror të Vaksinimit”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Nga MSH, theksojnë se “Vaksinimi është mjeti thelbësor dhe shpresa më e mirë për t’i dhënë fund pandemisë COVID-19”, raporton Telegrafi.

“100, 620 vaksinat e siguruara përmes COVAX janë një hap i rëndësishëm për të ndjekur planin e vaksinimit me ritme të shpejta dhe pandërprerë, sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë”, thuhet tutje në komunikatë.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia një ditë më parë në Kuvendin e Kosovës ka thënë “Ne do ta arrijmë synimin tonë të vaksinimit të 60% të qytetarëve deri në fund të vitit”.

Ai shtoi se për vaksinimin në masë janë duke hartuar planin e ri.

“Plani është para përfundimit dhe nga 15 qershori do të hyjë në fuqi, ku nga 15 qershori do të fillojë vaksinimi në masë, ku do të shtojmë edhe numrin e ekipeve të vaksinimit”, u shpreh Vitia. /Telegrafi/

Burimi i lajmit: Telegrafi