November 29, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Racizmi i rrënjosur në Ushtrinë amerikane – KOHA.net

10 min read

Për Stephanie Davis, e rritur në modesti, ushtria ishte drejt ëndrrës amerikane, fushë ku të gjithë do të merrnin trajtim të barabartë.

Ajo iu bashkua shërbimit më 1988, pasi që e mbaroi shkollën e mesme në Thomasville të Georgias, qytet i vogël që thuhet se u emërtua kështu për nder të një ushtari që luftoi në Luftën e Madhe të vitit 1812.

Gjatë viteve, përparoi vazhdimisht, duke u bërë kirurge ushtarake, komandante e mjekësisë së fluturimeve në bazën e forcave ajrore “Fairchild” dhe krejt në fund arriti gradën e nënkoloneles.

Mirëpo shumë nga kolegët e saj të shërbimit, thotë Davis, e shihnin atë vetëm si një ushtare me ngjyrë. Tregon për kolegët e racës së bardhë që bënin me shenjë “ABW” në drejtim të saj.

ABW që bëhej në formë talljeje në gjuhën angleze do të thotë “angry black woman” (gruaja e zemëruar me ngjyrë). Ishte thirrje tipike raciste. Davisi thotë se vartësit e racës së bardhë shpesh refuzonin ta përshëndesnin ose u dukej e pakëndshme që të merrnin urdhra prej saj.

Disa pacientë nuk pranuan që ta thërrisnin sipas gradës së duhur ose edhe ta pranonin. Ajo u sulmua me sharje racore. Dhe gjatë qëndrimit të saj, ishte banorja e vetme me ngjyrë në një program fakulteti që nuk kishte tjetër të racës së saj në staf dhe personel.

“Për ata që janë me ngjyrë dhe pakicat, kur fillimisht përjetojmë racizëm ose diskriminim në ushtri, ne ndihemi të verbër”, thotë Davis. “Jemi mësuar të flasim se është vendi i vetëm ku të gjithë janë të barabartë dhe ne mund ta arrijmë atë në majë me punë që bazohet në meritë”.

Heshtja e ushtrisë

Departamenti i Mbrojtjes nuk ka asnjë formë për të zbuluar numrin e ushtarëve të dëbuar për pikëpamje ekstremiste, me gjithë premtimet e vazhdueshme se do ta çrrënjosë ekstremizmin. Më shumë se 20 persona të dyshuar për organizimin e trazirave të 6 janarit në Capitol të Washingtonit u zbulua se kishin lidhje ushtarake.

Ndërkaq diskriminimi racor nuk ekziston vetëm brenda rangut ushtarak. Çdo vit civilët që punojnë në sektorët financiarë, teknikë dhe mbështetës të ushtrisë, forcave ajrore dhe marinës, dorëzojnë me qindra ankesa nën pretendimin se kanë qenë cak i diskriminimit racor dhe të ngjyrës së lëkurës, thuhet në një analizë të Associated Press për të dhënat e Komisionit të Punës së Barabartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vetëm në vitin fiskal 2020, tri shërbimet ushtarake morën 900 ankesa civile për diskriminim racor dhe mbi 350 ankesa për diskriminim sipas ngjyrës së lëkurës.

Në shkurt Lloyd J. Austin III – ish-gjeneral i Ushtrisë i cili tani është sekretar i mbrojtjes, njeriu i parë i racës së zezë që shërben në këtë post – urdhëroi komandantët dhe mbikëqyrësit të bëjnë një pushim operacional për një ditë me qëllim që të diskutohet ekstremizmi në mesin e anëtarëve të shërbimit.

Austin u dha komandantëve gjerësinë për të adresuar çështjen siç e shihnin të arsyeshme, por theksoi se diskutimet duhet të përfshijnë kuptimin e betimit të tyre, sjelljet e pranueshme si me dhe pa uniformë, dhe si anëtarët e shërbimit mund të raportojnë sjellje ekstremiste aktuale ose të dyshuara përmes zinxhirit të tyre komandues.

Qendra Jugore e Ligjit për Varfërinë i dërgoi Austin një letër menjëherë pas urdhrit të tij, duke e duartrokitur për veprimin vendimtar, por duke nënvizuar se ndryshimi sistematik në të gjitha nivelet ushtarake është urgjent.

“Ata që janë të indoktrinuar me ideologjinë e supremacisë së bardhë paraqesin një kërcënim për sigurinë kombëtare dhe sigurinë e komuniteteve tona”, shkroi Margaret Huang, presidente e QJLV-së.

Në pikun e trazirave të vitit të kaluar të nxitura nga vrasja e qytetarëve me ngjyrë në duart e policisë, gjenerali Mark A. Milley, i cili është gjithashtu kryetari i departamentit të mbrojtjes të shefave të përbashkët të shtabit, u tha udhëheqësve të Kongresit se ushtria nuk mund të përballojë racizmin ose diskriminimin.

“Ne që veshim rrobat e kombit e kuptojmë se kohezioni është një shumëzues i forcës”, thotë Milley. “Përçarja çon në humbje. Siç tha një nga presidentët tanë të famshëm, ‘një shtëpi e ndarë nuk mund të qëndrojë në këmbë’”.

Çrrënjosja e racizmit

Austini u zotua që t’i hiqte qafesh “racistët dhe ekstremistët” nga radhët e ushtrisë, teksa po dëshmonte para Kongresit që u rrezikua fort në trazirat e Capitolit.

“Detyra e Departamentit të Mbrojtjes është ta mbajë Amerikën të sigurt nga armiqtë tanë”, thotë ai. “Por ne nuk mund ta bëjmë atë nëse disa prej armiqve janë në radhët tona”.

Disa oficerë të racës së zezë të intervistuar nga AP-ja thanë se kultura duhet të lëshojë vendin nëse lypset lulëzimi i ushtrisë.

Teksa shërbente në Afganistan, një oficer i marinsave kujtoi se u mor në pyetje nga një koleg i bardhë pse po bisedonte me shokët e tjerë me ngjyrë brenda policisë.

“Përgjigjja ime ndaj tij ishte: ‘Nuk të pyes pse je gjithmonë duke u shoqëruar me oficerë të bardhë’’, thotë marinsi që nuk ka dashur t’i përmendej emri, për shkak se ende është në detyrë. “Pse nuk mund të jenë vetëm oficerë? Pse ky kualifikim?”, pyet ai.

Thomas Hobbs, kolonel i këmbësorisë i cili doli në pension pas 27 vjet shërbimi në Trupat Detare në 2018, ishte në mesin e oficerëve të intervistuar që folën për presionet e përpjekjes për t’u përzier me një “kulturë të bardhë mashkullore”, teksa ndiente nevojën se duhej të ishte më i suksesshëm se oficerët e racës së bardhë për të mohuar stereotipat racorë.

Hobbs thotë se marinsat kanë kryer punë më të mirë sesa degët e tjera të ushtrisë në rekrutimin e kadetëve të racës së zezë, por vuri në dukje se “shumë prej tyre nuk qëndrojnë në ushtri më shumë se dhjetë vjet”.

“Për momentin, kemi më shumë kapitenë sesa kemi pasur ndonjëherë më parë”, thotë ai. “Por nivelet tona po vazhdojnë të ulen. Pse nuk qëndrojnë? Sepse janë të lodhur nga detyrimet për të vepruar në një mënyrë të caktuar gjatë gjithë kohës dhe kurrë nuk mund të jenë vetvetja”.

Shkolla Themelore i tha AP-së se seancat mbi larminë dhe përfshirjen janë një pjesë thelbësore e trajnimit që ofron, përfshirë “diskutimet rreth ndikimit negativ të paragjykimit që ka në udhëheqje, vendimmarrje dhe kohezion”.

Vitin e kaluar gjenerali David Berger, i cili u bë gjenerali kryesor i Trupave të Marinës më 2019, përdori rastin e ekspozitës vjetore të Ditës Moderne të Marinës të Shoqatës së Marinsave të Korpusit Marine për të përçuar mesazhin shumëracorë që mund ta shpëtojë ushtrinë.

“Jam absolutisht i bindur: Shumë ngjashmëri, aq shumë sa dukemi njëlloj, mendojmë njëlloj, kemi të njëjtin sfond – do të vritemi sepse do të përfundojmë me zgjidhje që të gjithë jemi të njohur me to, por ato janë të lehta për t’u kundërvënë”, thotë Berger.

Histori e racizmit

Racizmi në radhët e ushtrisë nuk është thjesht një njollë moderne. Më shumë se një gjysmë shekulli më parë, në vitin 1971, Frank W. Render, i racës së zezë që ishte ndihmëssekretari i mbrojtjes, dha dorëheqjen për shkak të asaj që ai e konsideronte trajtim të pabarabartë të njerëzve me ngjyrë.

Në të njëjtin vit, Departamenti i Mbrojtjes krijoi atë që tani njihet si Instituti i Menaxhimit të Mundësive të Barabarta të Mbrojtjes – agjencia kryesore e Pentagonit për programet e arsimit dhe trajnimit që mbulon diversitetin dhe përfshirjen brenda ushtrisë amerikane.

Një prej mjeteve është studimi anonim i “klimës organizative” që ofron pamje të efektivitetit institucional të njësisë dhe u siguron komandave depërtim në çështjet e diversitetit dhe përfshirjes brenda radhëve të tyre si dhe mënyrën si adresohen.

“Mahitë raciste, seksuale dhe fanatike, janë dukuri të përditshme në vendin tim të punës”, shkroi një marins në bazën California Pendleton të Kalifornisë, teksa po merrte pjesë në sondazhin e vitit 2017. “Shumë pak punë është bërë për parandalimin e këtyre mahive”.

Një tjetër marins kishte shkruar se fyerjet dhe talljet raciste bëheshin nga oficerët. Nuk kishte asnjë pasojë për këto fyerje.

Por jo të gjithë janë të kënaqur të plotësojnë sondazhet ose të jenë të sinqertë.

Gratë e caktuara në njësitë e Navy SEAL, për shembull, kanë frikë se mund të identifikohen pasi që sondazhet ndajnë demografitë sipas gjinisë, gradës dhe racës dhe jo shumë gra janë caktuar në njësitë e operacioneve speciale.

Kongresi dhe Departamenti i Mbrojtjes kanë obliguar që sondazhet të kryhen çdo vit ose sa herë që një njësi ndryshon komandantët, por nivelet e përgjigjeve ndryshojnë shumë nëpër njësi, sondazhet nuk bien nën Ligjin Federal për Regjistrimet dhe ato shkatërrohen pas tre vjetësh.

Sondazhet e brendshme

Duke përdorur kërkesa të shumta të Aktit të Lirisë së Informacionit, AP-ja ka arritur të mbledhë sondazhet e katër viteve të fundit, duke u përqendruar në njëmbëdhjetë transportuesit e avionëve në flotën e Marinës amerikane për shkak të numrit të madh prej 5 mijë anëtarëve.

Në sondazhet e mbledhura nga viti 2017, 265 marinarë nga USS Abraham Lincoln, USS George Washington, USS John C. Stennis, USS Nimitz dhe USS Dwight D. Eisenhower thanë se kanë përjetuar personalisht diskriminim racor. Por në vjeshtën e atij viti çështja e diskriminimit u zbut, duke kaluar nga hetimet e theksuara në pyetjen e gjerë nëse diskriminimi “nuk ndodh”.

Që prej këtij ndryshimi, më 2019, viti i fundit i plotë i marrë nga AP-ja, më shumë se 1.600 marinarë – ose 1 në 5 – nuk pajtoheshin, duke thënë se diskriminimi racor ndodhi në anijet e tyre, me gati një të tretën që raportuan për shaka, komente dhe sharje racore. Gati 1 në çdo 4 marinarë thanë se nuk mund të përdorin zinxhirin e tyre të komandës për të raportuar incidente pa frikë nga hakmarrja dhe 4 në 10 thanë se masat disiplinore shqyrtohen padrejtësisht.

Në një deklaratë, Flota e quajti diversitetin “përbërës kryesor për të ruajtur gjendjen tonë më të lartë të gatishmërisë”, duke shtuar se “sigurisht që ushtria jonë shërben më mirë kur pasqyron kombin që i shërben dhe të gjithë anëtarët e saj trajtohen me dinjitet dhe respekt”.

Të varrosur thellë brenda projektligjit me më shumë se 1,400 faqe janë mekanizmat që synojnë të transformojnë mënyrën se si ushtria adreson racizmin dhe ekstremizmin nga brenda. Ligji përcakton kërkesat e ndjekjes dhe raportimit për aktivitetin supremacist, ekstremist dhe bandën kriminale dhe krijon një inspektor të përgjithshëm për të mbikëqyrur larminë dhe përpjekjet e përfshirjes.

Ky ligj thotë se ushtria duhet të shtrojë pyetje në sondazhet e saj të klimës që në mënyrë të qartë bëjnë pyetje rreth racizmit, antisemitizmit dhe supremacizmit.

Pasi vrasja policore e George Floyd në Minneapolis ndezi protesta që përfshinë krejt botën, Shands më në fund u përball me një nga ish-eprorët e tij – një grua e bardhë e përfshirë në detyrën e deponisë më shumë se një dekadë më parë.

Pasi gruaja postoi në një grup privat ushtarak në Facebook se “Jetët e zezakëve kanë rëndësi”, Shands e kontaktoi për t’i thënë se shpresonte që “vrasjet e zezakëve” nuk do të duhej të ndodhnin për të zgjuar vëmendjen ndaj diskriminimit dhe racizmit që ekziston si në SHBA, ashtu edhe në Forcën Ajrore.

Gruaja pranoi se nuk e trajtoi mirë Shandsin dhe kishte qenë “tepër injorante për të pranuar shumë gjëra, përfshirë racizmin sistematik dhe praninë e tij në Forcën Ajrore”

Për Shands, biseda ishte lehtësim mendor, pasi të tjerët u bënë bashkë për t’i ofruar mbështetje. Por ajo solli në vëmendje dualitetet me të cilat përballen amerikanët e racës së zezë, brenda dhe jashtë ushtrisë, të cilët po përpiqen të lundrojnë në një komb të zhytur në racizëm.

“Ju nuk do t’i shpëtoni racizmit askund në këtë vend” thotë ai. “Interpretimi më i mirë që kam dëgjuar ndonjëherë në ushtri, veçanërisht një pakicë ose një person me ngjyrë në ushtri, është se ushtria është një mikrokozmos i shoqërisë së rregullt”.

Përktheu: Gent Mehmeti

Burimi i lajmit: Koha.net