Shahini: E padrejtë që bizneset të ndëshkohen për zvarritje dhe vonesa të tatimeve (VIDEO)

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka thënë se është e padrejtë që bizneset në Kosovë të cilat kanë qenë të kufizuara për shkak të pandemisë, të ndëshkohen për zvarritje dhe vonesa të tatimeve.

Në Edicionin Special në Klan Kosova, ai ka thënë se nëse Qeveria nuk ka mundësi që t’i mbështetë me fonde këto biznese; atëherë duhet të krijojë lehtësira për to.

“Ne kemi kërkuar përkrahje edhe nga Qeveria Kurti më 28 prill, i kemi dërguar këto dy ndër 12 pika të tjera”.

“Sot kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka përkrahë një kërkesë tonën që i kemi dërguar edhe kryetarëve tjerë të partive politike si dhe ministrave të ndryshëm për lehtësira të bizneseve në pamundësi për t’i mbështetur me fonde sepse rimëkëmbja e ekonomisë mund të mbështetet edhe me lehtësira”.

“Në një ndër pikat, kemi kërkuar që të shtyhet afati i tatimit të mbledhur të detyrueshëm deri në fund të vitit për arsye të ndryshme, qoftë të pandemisë, qoftë të vështirësive që kanë bizneset”.

“Kemi kërkuar që të ketë lehtësira edhe në ulje të tatimeve, në subvencion të eksportit dhe në lehtësimet për të marrë licenca të ndryshme”.

Shahini thotë se ende nuk kanë pranuar ndonjë përgjigje nga Qeveria Kurti.

“Është e padrejtë që bizneset në Kosovë që kanë qenë të kufizuara, të ndëshkohen për zvarritje dhe vonesa të tatimeve”.

“Në program të qeverisë për rimëkëmbje të ekonomisë ne shohim mbështetje të vogël për bizneset, andaj kemi kërkuar lehtësira që të shtyhen afatet”.

[embedded content]

klankosova.tv

Burimi i lajmit: Klan Kosova

Author: admin