December 5, 2021

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

Xhaka synon të luajë në finale të Evropianit – KOHA.net

3 min read

Synimi i Përfaqësueses së Zvicrës në “Euro 2020”, do të jetë kualifikimi në çerekfinale të këtij turne, por kapiteni Granit Xhaka dëshiron më shumë.

Në fakt, ai ka paralajmëruar se do t’i paketojë gjërat për një muaj, pra synimi i tij është që të luajë në finalen e Evropianit që nis më 11 qershor. Kështu, ka shkruar e përditshmja zvicerane “Blick” të premten.

“Synimi ynë është të shkruajmë historinë”, ka thënë mesfushori i Arsenalit, i cili në vitin 2009 e fitoi titullin e Botës me Përfaqësuesen U17 të Zvicrës.

“Në çdo turne shkoj me këtë qëndrim. Nëse nuk kam synime të larta, atëherë nuk mund të arrijë asgjë. Ne kemi potencial për të shkruar historinë, dhe këtë e kemi dëshmuar disa herë. Përfundimisht, do të paketoj gjëra që do të jenë të mjaftueshme deri në ndeshjen e fundit, pra finalen”.

Për dallim prej Xhakës, te Zvicra do të pajtoheshin me arritjen deri në çerekfinale. Zvicra asnjëherë nuk ka arritur në çerekfinale të Evropianit në katër paraqitjet që i ka pasur.

Suksesin më të madh në këtë turne, zviceranët e arritën në “Euro 2016” kur u eliminuan në 1/8 e finales ndërsa në vitin 2000, 2004 dhe 2008, garat i përfunduan në fazën e grupeve.

Zvicra prej të mërkurës i ka nisur përgatitjet për Kampionatin Evropian që nis më 11 qershor dhe përzgjedhësi Vladimir Petkoviq në listën e zgjeruar prej 29 futbollistëve ka ftuar katër futbollistë shqiptarë: Granit Xhakën, Xherdan Shaqirin, Admir Mehmedin dhe Andi Zeqirin, i cili është grumbulluar për herë të parë me Përfaqësuesen A.

Kjo listë do të reduktohet në 26 futbollistë javën e ardhshme, të cilët pastaj do të jenë pjesë e Zvicrës në Evropian. Vet përzgjedhësi Petkoviq ka pranuar se synimi i tij është të arrijë në çerekfinale të këtij turneu.

Zvicra është pjesë e Grupit A dhe do të ketë punë me Italinë, Uellsin e Turqinë.

“Jemi optimistë, por në të njëjtën kohë edhe realistë. E kemi parasysh që Uellsi po luan shumë mirë dhe se Turqia e Italia, janë kundërshtarë tejet të fortë për momentin. Mirëpo, ne do të futemi në Evropian me besim të madh, ndonëse do t’i mbajmë këmbët në tokë dhe do t’i respektojmë të gjithë kundërshtarët. Megjithatë, synimi ynë minimal është të arrijmë deri në 1/8 e finales”, ka thënë Petkoviq.

Ndërkohë, edhe drejtori i Përfaqësueses së Zvicrës, Pierluigi Tami, ka konfirmuar fjalët e Petkoviqit, ndonëse ka pranuar se dëshira është për të shkuar përtej kësaj faze.

“Ne e kemi bërë një marrëveshje me lojtarët dhe ata do t’i marrin bonuset vetëm nëse arrijmë synimin e caktuar në Evropian, që do të thotë vetëm prej 1/8 së finales”, shtoi Tami.

Para Evropianit, Zvicra do t’i luajë dy ndeshje miqësore, me SHBA-në (30 maj) dhe Lihtenshtajnin (3 qershor).

Burimi i lajmit: Koha Net