January 19, 2022

KleaBe

Të Gjitha Këtu për Ju

BE-ja i ofron Bjellorusisë miliarda euro në këmbim të kthimit në demokraci – KOHA.net

4 min read

Bashkimi Evropian është zotuar të premten që t’ia sigurojë Bjellorusisë 3 miliardë euro nëpërmjet granteve dhe huave po qe se vendi “ndryshon shtegun” në një përpjekje të qartë për ta thelluar presionin e brendshëm ndaj presidentit Alexader Lukashenko në ditën që ai takoi në Moskë homologun dhe aleatin rus, Vladimir Putin.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kësisoj ka bërë thirrje të hapur për ndryshim regjimi në vend, teksa është zotuar për ofrimin e fondeve në këmbim të “transicionit” në demokraci.

“Mesazhet tona janë të dyfishta. Popullit të Bjellorusisë: ne po i shohim dhe po i dëgjojmë dëshirat tuaja për ndryshim, për demokraci dhe për një të ardhme të ndritur”, ka theksuar ajo. “Dhe për autoritetet bjelloruse themi: asnjë shkallë e represionit, brutalitetit apo detyrimit nuk do t’i sjellë legjitimitet regjimit tuaj autoritar. Deri më tani keni injoruar haptazi zgjedhjen demokratike të popullit bjellorus. Ka ardhur koha për ndryshim të shtegut. Kur – dhe ne besojmë se puna është se kur e jo nëse – Bjellorusia ta nisë transicionin e saj paqësor demokratik, BE-ja do të jetë aty për ta shoqëruar”.

Oferta është adresuar pak kohë para se Lukashenko të arrinte në Sochi të Rusisë të premten për një samit me presidentin rus, Qeveria e të cilit është distancuar nga arrestimi i gazetarit opozitar, Roman Protasevich, dhe të dashurës së tij ruse, Sofia Sapega, gjatë të dielës.

Protasevich dhe Sapega janë vënë në arrest në Minsk, pasi që aeroplani me të cilin fluturonin nga Athina për një Vilnius ishte ulur detyrueshëm në kryeqytetin bjellorus me pretendimin e rremë për bombë në bord. Një avion luftarak i tipi MiG-29 ishte angazhuar për ta shoqëruar aeroplanin civil, i cili vetëm pak minuta më herët ishte larguar nga hapësira ajrore e Bjellorusisë.

“Sot presidenti Putin do ta ketë mundësinë që ta marrë atë që quhet informatë e dorës së parë mbi ngjarjen”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, para takimit të dy liderëve.

Për vite me radhë BE-ja ka synuar që ta mbajë Bjellorusinë larg sferës së ndikimit të Rusisë, por të gjitha shpresat duket t’i jenë shuar nga regjimi aktual. Oferta e fundit e BE-së me para përmban të gjitha tiparet e qasjes së “shkopit dhe karotës” që synon nxitjen e ndryshimit në udhëheqje.

Përveç ndalesës vënë aviokompanisë shtetërore bjelloruse për kalimin në hapësirën ajrore të BE-së dhe nxitjes së kompanive evropiane që të shmangin fluturimet mbi Bjellorusinë, liderët e bllokut janë dakorduar të hënën për një valë sanksionesh të reja ekonomike ndaj vendit.

Sanksionet, hollësitë e të cilave ende nuk janë bërë të ditura, përbëjnë shtesë për ngrirjen e aseteve dhe ndalesave për viza vendosur më herët ndaj më se 80 zyrtarëve bjellorusë, përfshirë Lukashenkon dhe të birin e tij Victor. Kjo për shkak të shtypjes së protestave paqësore kundër rezultateve të manipuluara të zgjedhjeve presidenciale nga gushti i shkuar.

Lukashenko, i cili njihet si diktatori i fundit i Evropës, ka qeverisur Bjellorusinë që nga viti 1994.

Një zëdhënëse e Komisionit Evropian ka bërë të ditur se Von der Leyeni i ka shkruar gjithashtu lideres opozitare bjelloruse, Svetlana Tsikhanovskaya, dhe figurave të tjera opozitare, për të “shprehur respektin dhe admirimin e saj për guximin dhe fuqinë e popullit bjellorus”.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë se oferta e BE-së për fonde “duhet të jetë një shtysë reale që regjimi të ndryshojë shtegun”.

Në anën tjetër, Ministria e Jashtme e Lituanisë ka njoftuar të premten se ka dëbuar dy diplomatë bjellorusë shkaku “i aktiviteteve që nuk përkojnë me statusin e një diplomati”.

“Dy zyrtarëve të inteligjencës (bjelloruse) që punojnë nën petkun diplomatik u është kërkuar që të largohen nga Lituania. Jo faleminderit dhe lamtumirë!”, ka shkruar ministri i Jashtëm, Gabrielius Landsbergis, në Twitter. Ai ka specifikuar se veprimi përbën solidarizim me Lituaninë fqinje, i gjithë stafi i ambasadës së të cilit vend është dëbuar nga Bjellorusia.

Në Moskë, Kremlini ka njoftuar se ka nisur bllokimin e fluturimeve evropiane në Rusi pasi që autoritetet e Aviacionit kanë shtrënguar “Austrian Airlinesin” që të anulojë fluturimin e saj nga Vjena në kryeqytetin rus. “Air France” ka anuluar gjithashtu fluturimet Paris-Moskë për të dytën ditë radhazi, pas refuzimit të lejes për ulje të mërkurën. Zëdhënësi i Kremlinit i ka cilësuar telashet si “çështje teknike”.

Përktheu: Nita Lleshi-Dobroshi

Burimi i lajmit: Koha.net