City e Chelsea në kërkim të lavdisë evropiane në finalen e Portos – KOHA.net

Manchester City i Pep Guardiolas është 90 minuta larg trofeut që e dëshiron kaq shumë. Por një ekip i Chelseat i transformuar në muajt e fundit i qëndron në rrugë në finalen e Ligës së Kampionëve, që luhet në Porto, qytet që u caktua mikpritësi i minutës së fundit.

Finalja angleze do të luhet të shtunën mbrëma prej orës 21:00. Është finalja e tretë e garës elitare të Evropës për klube që do të luhet midis dy skuadrave të Premier Leagues, dhe e dyta në tri edicionet e fundit, duke e konfirmuar fuqinë e kampionatit të Anglisë.

City dhe Chelsea janë dy klube që janë transformuar në dy dekadat e fundit, falë pronarëve të pasur që kanë bërë më të mirën për të ndryshuar përgjithmonë pamjen e Premier Leagues.

Jo shumë kohë më parë, ideja e takimit të Chelseat dhe Cityt në finalen e Championsit, do të ishte konsideruar si një shaka. Takimi i tyre i vetëm i mëparshëm në një finale erdhi në vitin 1986 në Full Members Cup, garë me jetë të shkurtër, të cilën e fitoi Chelsea me rezultatin 5:4 në stadiumin “Wembley”. Kjo ishte para se të ekzistonin Premier League dhe Liga Kampionëve moderne, para se Roman Abramovich të blinte Chelsean në vitin 2003 dhe City të futej nën pronësinë e familjes nga Abu Dhabi në vitin 2008.

Klubi nga Londra Perëndimore ishte i pari sa u përket shpenzimeve të mëdha dhe si ekip ka më shumë përvojë se City në finale. E fitoi Championsin në vitin 2012 duke e mposhtur Bayern Munichun pas penalltive. Chelsea që nga ajo kohë ka triumfuar dy herë edhe në Ligën e Evropës, rangu i dytë i garave të UEFA-s. Për trajnerin e Chelseat, Thomas Tuchelin, që mori ekipin në fillim të këtij viti, kjo është finalja e dytë në Champions. Edicionin e shkuar ai humbi me Paris Saint-Germainin nga Bayerni.

“Nuk kam menduar se do të kthehem kaq shpejt në këtë finale. Ne tani jemi këtu dhe kjo është një arritje e pabesueshme. E pasi kemi arritur kjo do të thotë se duam ta fitojmë. Mirëpo përballë kemi Cityn, që për momentin është ekipi më i mirë në Evropë, mbase edhe në botë. Duhet ta mbyllim ndeshjen brenda 90 minutave dhe këtë ua kam thënë edhe lojtarëve”, ka thënë Tuchel, që ka në dispozicion portierin Edouard Mendy dhe mesfushorin N’Golo Kante, që janë bashkuar të mërkurën me ekipin në stërvitje.

“Në futboll gjithçka është e mundur, sikurse në një finale. Dua ta fitoj këtë trofe dhe mendoj se jemi të gatshëm. Por për ta bërë këtë duhet të jemi shumë më të mirë se kundërshtari, gjë që shpresoj”.

Për dallim prej Chelseat, skuadra e Cityt kurrë nuk ka arritur më parë në finalen e Championsit. Megjithatë, këtë e bëri këtë edicion pas 13 vjetësh investime nga pronarët e klubit dhe katër vjet zhgënjimi nën trajnerin Guardiola, i cili u punësua kryesisht për ta fituar këtë trofe. Guardiola këtë e ka parasysh dhe nuk dëshiron ta lëshojë nga duart një mundësi të tillë.

“Ne jemi një ekip mjaft i ngjashëm me ekipin që ishim në të kaluarën kur u eliminuam. Mirëpo detajet e vogla këtë vit ishin vendimtare që arritëm më në fund në finale”, tha Guardiola, që po kërkon trofeun e tretë të Championsit. Në dy herët e mëparshme, ai e fitoi këtë trofe si trajner i Barcelonës, të fundit para një dekade. Pas titullit të kampionit në Premier League, i treti në katër edicionet e fundit, Guardiola thotë se ekipi i tij është gati për finale. Mirëpo ai e ka parasysh se në gjashtë javët e fundit, City ka pësuar dy humbje nga Chelsea, në gjysmëfinale të FA Cup dhe në kampionat.

“Nuk mund të prisja një kundërshtar më të ashpër. Jam më se i sigurt se do të vuajmë shumë për fitore. Por është një ndjenjë e mirë kur luan në finale. E di shumë mirë se si do të luajmë dhe ndihem krenar që kemi ardhur deri këtu”, shtoi Guardiola. “Jemi këtu dhe nuk duam ta lëshojmë këtë rast të artë për trofeun e parë evropian në histori të klubit”.

Sigurisht pandemia Covid-19 hedh një hije mbi finalen, e cila luhet në Porto pas vendimit të minutës së fundit për ta larguar ndeshjen nga Stambolli. Metropolit turk nuk iu dha mundësia për të organizuar finalen për shkak të masave anti-Covid dhe ky është viti i dytë që Stambolli e humb finalen për arsyen e njëjtë.

Ashtu si vitin e kaluar, kur Lisbona ishte zgjedhja e minutës së fundit, Portugalia doli sërish në skenë për të garantuar sigurinë edhe në këtë finale. Me autoritetet portugeze që lejojnë, stadiumi “Estadio do të Dragao” të mbushet me 33 për qind të kapacitetit, do të ketë 16.500 spektatorë gjithsej, përfshirë gjashtë mijë tifozë të secilit klub.

Burimi i lajmit: Koha Net

Author: admin